Ndërlidhjet

Kandidati opozitar e quan Orbanin “tradhtar” lidhur me luftën në Ukrainë  


Peter Marki-Zay, kandidati i opozitës së bashkuar hungareze.
Peter Marki-Zay, kandidati i opozitës së bashkuar hungareze.

Peter Marki-Zay, kandidati i opozitës së bashkuar, që po e sfidon kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në zgjedhjet e përgjithshme të 3 prillit, ka paralajmëruar për përkeqësimin e izolimit nën modelin “joliberal” të Orbanit. Ai e cilësoi kryeministrin hungarez “tradhtar”, që sipas tij, vë në rrezik hungarezët.

Që prej se presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës pesë javë më parë, Marki-Zay sugjeroi se “tradhtia e Orbanit” ndaj interesave të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka sjellë “largim dhe përjashtim ndërkombëtar” dhe mund të çojë në vendosjen e sanksioneve ndaj Hungarisë.

“Unë vazhdoj të them se ne duhet ta ndalim Putinin, jo Brukselin. Le të jemi vetëm një herë në anën e duhur të historisë, le të jemi vetëm një herë në anën e fitores”, tha për Shërbimin Hungarez të Radios Evropa e Lirë, Marki-Zay.

Sondazhet sugjeron se aleanca Fidesz e Orbanit ka një epërsi të ngushtë ndaj gjashtë partive opozitare në zgjedhjet e 3 prillit, ku 8 milionë hungarezë do të kenë të drejtë vote. Por, një pjesë e rëndësishme e elektoratit kanë thënë se janë të pavendosur para përmbylljes së fushatës.

Fidesz ka qeverisur me vendin në 12 vjetët e fundit me një shumicë prej dy të tretave të ulëseve të Parlamentit, duke i lejuar kësaj partie të bëjë ndryshime të mëdha, pa pasur nevojë për votat e opozitës.

Më 3 prill, hungarezët po ashtu do të votojnë për referendumin lidhur me diskutimet në shkolla për orientimin seksual, një lëvizje, që sipas ekspertëve, Fidesz ka planifikuar që t’i ndihmojë të marrë votat e votuesve më tradicionalë.

Marki-Zay, 49 vjeç, fitoi zgjedhjet paraprake të opozitës së bashkuar vitin e kaluar, pasi mori vëmendje kombëtare duke mposhtur kandidatin e Fideszit për kryetar të komunës së Hodmezovasarhely në zgjedhjet e vitit 2018.

Ai është bashkëthemelues i Lëvizjes Hungaria e të Gjithëve (MMM), dhe besimi katolik dhe konservatorizmi i kësaj lëvizjeje mund të joshë votuesit e qendrës së djathtë të Fideszit. Zgjedhjet e sivjetshme ka të ngjarë që të prodhojnë rezultatin më të ngushtë që nga viti 2010.

Orban ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por ka shmangur fajësimin e drejtpërdrejtë të Moskës. Ai është pajtuar që t’i bashkohet sanksioneve të paprecedentë të Perëndimit kundër Rusisë, por ka thënë se Hungaria nuk do të ndihmojë drejtpërdrejt në armatosjen e ushtrisë ukrainase.

Marki-Zay fajësoi Orbanin jo vetëm për politikat e tij karshi Moskës, por edhe karshi Pekinit.

“Edhe nëse do të nënkuptonte një treg të madh dhe një mundësi strategjike, gjatë 12 vjetëve të fundit Orbani ka dështuar të tregojë se ka siguruar ndonjë lloj tregu, qoftë në Kinë apo në Rusi”, tha ai. “Nuk është aspak e dukshme që Orbani e ka zhvilluar ekonominë hungareze”.

Në fjalimin e tij në Ditën Kombëtare më 15 mars, së bashku me sloganin “paqe dhe siguri”, Orban tha se Hungaria është “në kufi midis botëve: midis Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut” dhe shtoi se kushdo që fiton luftërat në rajon, “ne do të dilnim humbës”.

“Evropa Qendrore është thjesht një tabelë shahu për fuqitë e mëdha botërore dhe Hungaria është thjesht një figurë shahu në lojën e tyre”, tha ai.

Në regjistrimin e popullsisë të vitit 2001, afër 150,000 ukrainas janë deklaruar si hungarezë etnikë, që përbën një prej diasporave më të mëdha në botë dhe burim të irritimit dypalësh, teksa Budapesti e ka akuzuar Kievin se po tenton që t’ia mohojë këtij minoriteti të drejtën e gjuhës dhe të drejta të tjera.

“Një politikan... i cili, sikurse Orbani, vë në rrezik të madh hungarezët e Transkarpatisë dhe nuk i mbështetë ata edhe kur rusët i bombardojnë dhe i qëllojnë, është tradhtar”, tha Marki-Zay për Radion Evropa e Lirë.

Marki-Zay dhe aleatët e tij opozitar kanë thënë se zgjedhjet janë një garë mbi orientimin Lindor apo Perëndimor, dhe janë një mundësi për të çrrënjosur interesat politike dhe korrupsionin.

Orban, i cili viteve të fundit është tërhequr nga normat demokratike dhe ka krijuar raporte më të ngushta me Moskën dhe Pekinin dhe ka zemëruar Brukselin, në fjalimin e 15 marsit ka shtuar se “ne do të luftojmë” elementët, përfshirë edhe “burokratët në Bruksel”.

Qeveria e Orbanit është përfshirë në mosmarrëveshje të mëdha me BE-në, pasi blloku evropian tërhoqi miliarda euro të ndihmës në pandemi, për shkak të dështimeve të Budapestit në fushën e sundimit të ligjit.

Në shkurt, Gjykata Evropiane e Drejtësisë mbështeti kushtëzimin e fondeve të BE-së me standardet demokratike, duke thënë se blloku evropian “duhet të jetë në gjendje që t’i mbrojë ato vlera”.

Marki-Zay po ashtu foli për vizionin politik dhe taktikat e Orbanit që prej se ai erdhi në pushtet më 2010.

Ai tha për REL-in se Orbani ka “humbur luftën” kundër borxhit shtetëror, COVID-19 dhe inflacionit, duke shtuar se “ai do të humbasë luftën kundër Brukselit. Orban ka qeverisur sërish Hungarinë në anën e gabuar”.

Marki-Zay përmendi “një traditë të keqe hungareze” të shkeljes së syrit dhe tundjes së kokës, duke bërë lëvizje majtas dhe djathtas, dhe sugjeroi se edhe populistët e tjerë që qeverisin në Poloni, kishin humbur durimin me Orbanin.

Orban kishte deklaruar se manovrat e tij politike kishin për synim që të shkelnin kundërshtarët, duke u tërhequr më pas pak, me qëllim që të arrihen synime më të mëdha.

“Joliberalizmi më nuk është interes i përbashkët, më së shumti me Poloninë”, tha Marki-Zay, duke cituar fjalimin e famshëm të Orbanit të vitit 2014. “Por, polakët u zemëruan aq shumë me Orbanin për shkak të tradhtisë së tij duke pasur raporte miqësore me Putinin, saqë ata më nuk flasin me hungarezët”.

Marki-Zay ia atribuoi dështimin e Hungarisë për të marrë pjesë në Zyrën e Prokurimit Publik Evropian frikës së ndjekjes së mundshme penale të “familjes dhe miqve” të Orbanit. Megjithatë, ai nuk dha detaje për këtë pretendim.

Njëzetedy nga 27 anëtarët e BE-së bashkëpunojnë plotësisht me Zyrën e Prokurimit Publik dhe dy të tjera kanë të ashtuquajturat përjashtime bazuar në lirinë, sigurinë dhe drejtësinë. Vetëm Polonia, Suedia dhe Hungaria kanë refuzuar që të jenë pjesë e kësaj zyre, por ato mund të bashkohen në çdo kohë.

Marki-Zay është zotuar se do t’i bashkohet Zyrës së Prokurimit Publik nëse zgjidhet, duke thënë se një gjë e tillë do të ndihmonte që Hungaria të pranonte mbi 8 miliardë dollarë ndihmë për COVID-19, fonde të cilat BE-ja i ka pezulluar.

Ky kandidat opozitar gjithashtu foli për politikat energjetike të Hungarisë, përfshirë edhe varësinë ndaj Rusisë, prej së cilët merr rreth 90 për qind të gazit natyror.

Marki-Zay tha se koalicioni i ri “duhet të pranojë disa nga hapat e Qeverisë Fidesz” për pavarësi të mëtejme energjetike, pavarësisht se e akuzoi atë se “i shërben Hungarisë në varësinë nga gazi rus”.

Ai po ashtu tha se ka progres në interkonektivitet, në kuptimin e transferimit të gazit dhe energjisë nga shtetet fqinje dhe tha se gazi i lëngshëm natyror mund të importohet nga Kroacia apo Polonia.

Megjithatë, ai shtoi se duhet të bëhet më shumë.

“Nëse Bullgaria, e cila brenda BE-së ishte më e varura nga gazi rus se ne, deklaroi se mund të zgjidhë furnizimet e gazit pa gazin rus, atëherë Hungaria është po ashtu mund ta bëjë një gjë të tillë”, tha Marki-Zay.

Marki-Zay tha se nëse koalicioni i tij fiton, do ta ekstradonte “menjëherë” ish-kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, i cili u arratis në Hungari me ndihmën e Qeverisë hungareze, pasi u dënua për korrupsion më 2018.

Ndërkaq, sa i përket Kinës, Orban së fundmi ka inauguruar pjesën e hekurudhës Budapest-Beograd që çon në Vojvodinë. I pyetur se nëse zgjidhet, a do ta inaugurojë pjesën e kësaj hekurudhe në Hungari ai tha se ndërtimi i kësaj hekurudhe, që është një iniciativë kineze, është bërë në bazë të një kontrate që ende është e fshehtë.

“Kjo hekurudhë shërben vetëm për interesat kineze. Kurrë nuk do të nxjerrë përfitime, as nuk do të sjellë përfitime ashtu siç ata kanë llogaritur se do të ndodhë në 972 vjet. Kjo nënkupton se nëse do të ishte ndërtuar nga Shën Stefani, themeluesi i shtetit, në këtë kohë, kjo hekurudhë do të sillte përfitime. Ky projekt i shkakton detyrime financiare kombit hungarez në një mënyrë që Orbani dhe njerëzit e tij vjedhin një shumë të madhe. Nuk është rastësi që çdo kilometër është 40 për qind më shtrenjtë sesa në Serbi. Dhe me këtë nuk dua të them se as ata nuk po vjedhin nga ndërtimi i kësaj hekurudhe”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG