Ndërlidhjet

Karaxhiq dënohet me burgim të përjetshëm


Vendimi i pritur për Karaxhiqin
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:31 0:00

Gjykata Ndërkombëtare në Hagë ka kundërshtuar apelin e ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq kundër dënimeve që i janë shqiptuar për gjenocid dhe krime të luftës në Bosnje Hercegovinë në vitet 1990, si dhe i është zgjatur dënimi 40-vjeçar me bugim të përjetshëm.

Kjo është masa e fundit që i shqiptuar Karaxhiqit për rolin e tij në masakrën në Srebrenicë më 1995, për orkestrimin e rrethimit gati katërvjeçar të Sarajevës dhe për krimet e kryera gjatë luftës në 20 komuna të Bosnjës.

Për këto akuza ai ishtë dënuar më 2016 me 40 vjet burgim.

Ky vendim është marrë më 20 mars nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunalet Penale, një gjykatë e Kombeve të Bashkuara, e cila merret me rastet që kanë mbetur të papërfunduara nga Tribunali Ndërkombëtar për krime në ish-Jugosllavi.

Teksa ka lexuar apelet para gjykatës, gjyqtari, Vagn Joensen ka thënë se Karaxhiq ka dështuar që të hedhë poshtë vendimet e Tribunalit paraparak rreth qëllimit të tij për të kryer gjenocid.

Joensen ka thënë se Tribunali Ndërkombëtar për krime në ish-Jugosllavi, ka vepruar drejtë kur ka vërtetuar se Karaxhiq ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Srebrenicës, pasi ka qenë në kontakt të ngushtë me njerëzit që kanë qenë në ato zona.

Në këtë vend janë vrarë më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë nga forcat serbe të Bonjës, për të shënuar mizorinë më keqe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Ai ka thënë se Karaxhiq nuk ka arritur të dëshmojë që gjykata ka gabuar kur ka vlerësuar se ai ka qenë fajtor për pjesëmarrje në terrorizimin e popullatës së Sarajevës.

Bosnje e Hercegovinë: Një grua pranë varrezave të familjarëve
Bosnje e Hercegovinë: Një grua pranë varrezave të familjarëve

Karaxhiq, 73-vjeçar, ish-poet dhe psikiatër, ishte shpallur fajtor më parë edhe për orkestrim të rrethimit të Sarajevës, që ka rezultuar me gati 10,000 persona të vdekur.

Përveç kësaj, Joensen ka thënë se Karaxhiq vetëm ka rendituar “mospajtimet e tij me gjykatën” në apelin që ka bërë.

Megjithatë, gjykata ka kundërshtuar një apel të prokurorëve për të përmbysur një vendim, ku Karaxhiq ishte liruar nga akuza e dytë për gjenocid.

Kjo akuzë ka qenë e lidhur me vrasjet e myslimanëve boshnjakë dhe kroatëve më 1992 në territorin e Republikës Sërpska.

Më shumë se 100,000 persona janë vrarë dhe rreth 2.2 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë Luftës në Bosnjë në periudhën 1992-95.

Presidenti i Asociacionit për Viktima dhe Dëshmitarë të Gjenocidit, Murat Tahiroviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë në Hagë se anëtarët e kësaj organizate janë të kënaqur me vendimin e gjykatës mirëpo edhe janë të dëshpëruar pse është kundërshtuar apeli i prokurorëve për një akuzë të dytë për gjenocid.

“Ai është dënuar me burgim të përjetshëm”, ka thënë Tahiroviq.

“Fatkeqësisht akuza e dytë për gjenocid është kundërshtuar. Me pak fjalë, ne morën atë për të cilën besojmë se ai duhej gjykuar. Dhe atij i është shqiptuar ky dënim. Këto fakte do të mbesin”.

Anëtari kroat në presidencën tripalëshe të Bosnjës, Zhelko Komshiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vendimi përfundimtar për Karaxhiqin “shpërfaq gëzim të pjesshëm” për familjarët e viktimave të gjenocidit.

“Fatkeqësisht ky vendim nuk do të zëvendësojë dhimbjen dhe traumën e të mbijetuarve”, ka thënë Komshiq.

“Sot, para së gjithash, ne duhet të kemi në mendje të mbijetuarit dhe familjet e viktimave të gjenocidit”.

Në Zagreb, presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq i ka thënë të përditshmes Veçerni List se “vendimi nuk mund të kthejë jetërat e dhjetëra mijëra viktimave apo të lehtësojë dhimbjen e familjarëve dhe të mbijetuarve. Mirëpo ky dënim duhet të shërbejë si paralajmërim i përjetshëm”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG