Ndërlidhjet

SHBA: Kërkohet që OKB-ja ta ndëshkojë Iranin


Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që ta ndëshkojë Iranin, për atë që ajo e cilësoi si “sjellje destabilizuese” dhe “shkelje e rrezikshme” e embargos së armatimit të OKB-së. Por, Rusia e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së sanksioneve dhe është angazhuar për dialog.

Duke folur mbëmë vonë në Kshillin e Sigurimit të OKB-së, ambasadorja Haley tha se sulmi me raketë balistike kundër Arabisë Saudite, nga kryengritësit shiitë huthi në Jemen, ishte “sirenë e kuqe ndezëse për këtë këshill”.

Ajo, po ashtu, theksoi se aksioni i kishte “të gjitha shenjat e sulmeve të mëparshme me përdorim të armatimit të dërguar nga Irani”.

Arabia Saudite ka njoftuar se e ka interceptuar një raketë, e cila për cak e kishte pallatin e Mbretit Salman dhe e ka akuzuar Iranin për furnizim të kryengritësve me armatim.

Irani, me popullatë shumicë shiite, i ka hedhur poshtë akuzat për furnizim të kryengritësve huthi, të cilët luftojnë kundër Qeverisë së Jemenit dhe koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Arabia Saudite, që sundohet nga sunitët.

“Është vetëm çështje e kohës para se një raketë e tillë ta qëllojë cakun”, tha ambasadorja Haley dhe ka shtuar se “nëse ne nuk bëjmë diçka, do ta humbim rastin për parandalim të dhunës së mëtejshme nga Irani”.

Javën e kaluar, zonja Haley u ka treguar reporterëve në Uashington copë të një rakete, për të ciën tha se paraqet “dëshmi të pakontestueshme” se Irani i ka furnizuar kryengritësit huthi me raketa në dy raste të sulmeve të mëparshme kundër Arabisë Saudite, dhe theksoi se ajo do ta shtrojë këtë çështje në Kombet e Bashkuara.

Gjatë fjalimit të saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ajo theksoi se duhet të shqyrtohen sanksione lidhur me atë që ajo e vlerësoi si “shkelje e qartë” e Iranit të embargos së Kombeve të Bashkuara për shitje të armatimit në Jemen dhe e ka mbajtur përgjegjëse Gardën Revolucionare Islamike të Iranit, për shkelje të disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Por, zëvendësambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vladimir Safronkov, me të shpejtë e ka hedhur poshtë mundësinë e sanksioneve, duke kërkuar që “të braktiset gjuha e kërcënimeve dhe sanksioneve, dhe të fillojë përdorimi i instrumenteve të dialogut”.

Safronkov tha se këshilli duhet të “koncentrohet në zgjerimin e bashkëpunimit dhe besimin reciprok” me Iranin.

Kjo mbledhje e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ishte thirrur për të diskutuar për raportin e këtij muaji të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në të cilin thuhet se Irani po bashkëpunon me marrëveshjen atomike, e cila synon kufizimin e aktiviteteve atomike të Iranit, në këmbim për lehtësim të sanksioneve.

Por, raporti thekson se Teherani ndoshta e ka injoruar ftesën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndaljen e zhvillimit raketor balistik, që ishte përfshirë në rezolutën për marrëveshjen atomike.

Irani dhe Rusia konsiderojnë se kjo pjesë e marrëveshjes nuk ishte obliguese.

Sekretari Guterres tha se OKB-ja po zhvillon hetime nëse Irani i ka furnizuar me raketa balistike, të cilat kryengritësit huthi i kanë përdorë në sulmet kundër Arabisë Saudite.

Përfaqësuesi rus, Vladimir Safrankov, e ka akuzuar sekretariatin e OKB-së se ndërmerr hetime pa miratim paraprak të këshillit, duke theksuar se “nuk ka as autoritet e as njohuri”.

Ai, po ashtu, tha se informacioni i siguruar “nuk mund të konsiderohet i saktë”.

Pas sulmit të djeshëm raketor të kryengritësve huthi, Departamenti amerikan i Shtetit e publikoi një kumtesë ku theksoi se është “thellë i shqetësuar nga aksionet agresive të kryengritësve huthi, të mbështetura nga armatimet e avancuara iraniane, që e kërcënojnë sigurinë rajonale dhe e zgjasin konfliktin në Jemen”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG