Ndërlidhjet

Kërkohet që Komisioni anti-korrupsion të mos politizohet


Ilustrim

Njohësit e çështje juridike thonë se mënyra se si po zgjidhen anëtarët e Komisionit për anti-korrupsion lë pak për të shpresuar se do të zgjidhen persona jashtë ndikimit politik.

Sipas ekspertëve, në këtë moment anëtarët e këtij komisioni paraqesin një nga hallakat kryesore që dikton dinamikën e përmbushjes së kritereve për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, në Parlamentin e Maqedonisë po vazhdon realizimi i intervistave publike të kandidatëve për anëtarë të Komisionit anti-korrupsion.

Gjatë intervistave, anëtarët e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërtime, kanë pyetur kandidatët se cilat forma do të ndjekin ata për të luftuar korrupsionin ose nëse ata personalisht kanë ndërmarrë ndonjë masë për të luftuar korrupsionin në institucionet ku ata punojnë.

Mirjana Najçevska ish-kryetare e Komitetit të Helsinkit në Shkup, për Radion Evropa e Lirë thotë se me vëmendje po ndjek intervistat publike të kandidatëve për anëtarë të Komisionit për anti-korrupsion dhe forma se si ato bëhen ato, sipas saj, duket qartë se politika është e orientuar që të shtrijë ndikimin edhe në këtë çështje, pavarësisht ashpërsimit të kritereve të përzgjedhjes së anëtarëve të këtij trupi, përmes një ligji të ri që është miratuar javë më parë.

“Nuk është gjetur mënyra më e mirë që të përzgjidhen personat më adekuatë të cilët duhet të luftojnë korrupsionin. Që të zgjidhen personat adekuatë dhe të pakorruptuar, fillimisht kriteret që duhet të përmbushin kandidatët duhet të jenë të përcaktuara në mënyrë precize dhe të njëjtat duhet të kenë prag të lartë të profesionalitetit, përmes së cilave do të shoshiteshin personat më adekuatë. Tani, gjithçka duket se është lënë në dorë të përfaqësuesve politikë, të cilët shtrojnë pyetje mbase dhe jo aq profesionale. Do të thotë se që në start duket qartë ndikimi i politikës gjatë punës së ardhshme të Komisionit për parandalimin e korrupsionit”, thotë Najçevska.

Në bazë të ndryshimit të ligjit që rregullon punën e Komisionit për parandalimin e korrupsionit, anëtarët e ardhshëm të këtij trupi duhet që një 10 vjetët e fundit, të mos kenë qenë deputetë, anëtarë të Qeverisë apo donatorë të partive politike.

Në këtë drejtim, Besa Kadriu, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë Komisioni për parandalimin e korrupsionit paraqet çelësin kryesor për çlirimin e institucioneve nga elementet që e shoqërojnë korrupsionin në forma të ndryshme.

“Mendoj se më e arsyeshme do të ishte krijimi i një strukture tërësisht të pavarur, që nuk ka të bëjë me figurat politike, për të mbështetur fuqimisht mekanizmat që kanë për qëllim uljen e korrupsionit, që sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare kjo dukuri në vend është në nivel të lartë”, thotë Kadriu.

Ndërkaq, Mirjana Najçevska konsideron se intervistat publike nxjerrin në pah preferencat e pushtetit ndaj kandidatëve të caktuar.

Ajo thotë se deklarimet e tipit “zgjidhjen e rasteve që sipas tij ndër vite qëndrojnë nëpër sirtarët e këtij trupi”, paraqesin vetëm paradë pa hartimin e planeve konkrete që opinioni dëshiron t’i shoh dhe qëndrojë pas tyre.

“Për momentin aspak nuk krijohet bindje se do të zgjidhen persona të cilët do të kenë guxim t’i kundërvihen pushtetit për të zgjidhur të gjitha nyjet që janë jofunksionale në institucionet përkatëse dhe e bllokojnë luftën kundër korrupsionit. Qesharake kishim rast ku një kandidat hapur tha se do të bashkëpunojë me pushtetin dhe do të respektojë kërkesat e tyre”, thotë Najçevska.

Ndërkohë që Komisioni shtetërore për anti-korrupsion qe një vit është i bllokuar, pasi pesë prej shtatë anëtarëve të këtij trupi, kanë dhënë dorëheqje, pas një skandali për keqpërdorim të fondeve shtetërore.

XS
SM
MD
LG