Ndërlidhjet

Kërkohen reforma në arsim në Maqedoninë Veriore


Ilustrim
Ilustrim

Sistemi arsimor në Maqedoninë Veriore, ka shumë hallka jofunksionale , siç është eksperimentimi me shumë pilot-projekte, kushtet e vështira në pjesën më të madhe të shkollave dhe veçanërisht zhvendosja e sistemit të vlerave që kanë të bëjnë me nxënien e dijes, thonë punëtorët e arsimit.

Këto reagime vijnë pasi publikimit të projekt-raportit të përgatitur nga ekipi ekspert i OECD-së (Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim), e cila vitin e kaluar ka bërë një analizë rreth gjendjes në arsimin fillor dhe të mesëm në Maqedoninë Veriore, sipas të cilit në pah ka dalur se nxënësit e vendit stagnojnë në arritjet e testimeve ndërkombëtare, ndërsa mbi gjysma e tyre nuk i zhvillojnë kompetencat themelore, të cilat u nevojiten për sukses pas përfundimit të arsimit.

Më shumë se 50 për qind e nxënësve në PISA testimet gjatë vitit 2015, nuk kanë treguar kompetenca themelore në matematikë, shkenca natyrore dhe lexim .

Organizatat joqeveritare që në fokus kanë të drejtat e të rinjve, thonë se kjo duhet të paraqet kambanë alarmi për autoritetet qeveritare, veçanërisht për faktin se një pjesë e madhe e të rinjve edhe pasi mbarojnë shkollën e mesme kanë probleme serioze në formulimin e gjërave elementare në të shkruar dhe kjo i bën jokonkurrues në tregun e punës.

Dimitar Nizamovski nga organizata joqeveritare Forumi Rinor për Arsim, thotë se percptimi i krijuar tek të rinjtë se partitë politike janë ata që hapin portat e punësimit dhe ata që vendosin për perspektivat, është problem kryesor, sipas tij, prej ku fillon kalbja e, siç shprehet, shtyllave që mbajnë në këmbë sistemin arsimor.

“Pjesa më e madhe e të rinjve arsimimin formal e shohin si rrugë që duhet kaluar, jo dhe aq sa për të fituar dije, por me një qëllim të vetëm që në fund të pajisen me një diplomë e cila do t`ua hap dyert përmes ndihmës së politikës, për tu sistemuar në një vend pune të rehatshëm në institucionet e shtetit.

"Shumë pak i kushtohet vëmendje procesit edukativo-pedagogjik, krijimit të shprehive të punës, dhe shumë elemente të tjera përcjellëse që mundësojnë një individ të jetë i suksesshëm në jetë”, thotë Nizamoski.

Ndërkaq, Naser Miftari, i kyçur në projektin "Shkolla dhe të mësuarit në shekullin 21" që përfshin shumë shkolla të vendit, thotë se duhet të ndryshojë e tërë forma e mësimdhënies.

Miftari thotë se procesi I mësimdhënies që nga grupmoshat më të hershme duhet realizuar me shumë ndërgjegje dhe përgjegjësi të lartë mendore, dhe evolutive, në përputhje me nevojat dhe kërkesave të tregut,

“Duhet shmangur fokusi në përfitimin e njohurive fiktive, bazuar në teste dhe numra ku prioritet është nota, mësimdhënia duhet orientuar kah arritja e shkathtësive të caktuara të cilat mund të zbatohen në vepra”.

“Çdo mësimdhënës në këtë kohë nuk duhet ta quaj veten se ai është i vetmi burim i informacionit.

"Mësimdhënësi fillimisht duhet të kërkojë të mësojë se çka dinë nxënësit. Duhet të motivojë nxënësit të thonë atë që ata kanë si njohuri dhe pastaj me leksionet përmbajtjesore nga mësimdhënësi të shkohet drejt qëllimeve sipas plan-programit të paraparë”, thotë Naser Miftari .

Për të tejkaluar këtë problem, Dikasteri i Arsimit në Maqedoninë Veriore është zotuar se në Ligjin e ri ri për arsim fillor dhe atë të mesëm do të inkorporohen të gjitha sugjerimet që dalin nga analizat e organizatave ndërkombëtare, por dhe sugjerimet e mësimdhënësve, sic janë reforma gjatë vlerësimit, revidimi i maturës shtetërore si dhe zhvillimi i një sistemi profesional për trajnimin e mësimdhënësve".

Por, Iljo Trajkoski, ligjërues në Departamentin e Psikologjisë në kuadër të Universitetit të Shkupit, thotë se problem i cilësisë së ulët në arsim burimin e ka tek mosrespektimi i dijes si vlerë dhe sipas tij nga kjo pikë duhet filluar.

"Dija më nuk është e rëndësishme, nuk janë të rëndësishme shkathtësitë që përvetësohen gjatë arsimimit. Më e rëndësishme është bërë se si të arrihet tek paratë dhe influenca", thotë Trajkovski.

Nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim), kanë theksuar se me rëndësi të veçantë është që të gjitha dispozitat ligjore si dhe të gjitha planet e mira në letër duhet të gjejnë zbatim në praktikë.

XS
SM
MD
LG