Ukraina e ka shpallur person të padëshiruar konsullin rus në portin e Odesas, pas diplomati i dytë ukrainas është dëbuar nga Rusia, në kohën e rritjes së tensioneve diplomatike në mes të të dyja vendeve.
Konsulli duhet të largohet nga shteti deri më 30 prill, ka thënë Ministria e Jashtme e Ukrainës, përmes një deklarate.
Tensionet e fundit diplomatike janë rritur si pasojë e arrestimit dhe dëbimit të një konsulli ukrainas, më herët gjatë këtij muaji në Shën Petersburg.
Autoritetet ruse kanë akuzuar diplomatin se ka tentuar të sigurojë të dhëna personale nga disa agjentë të shërbimit sekret.
Si përgjigje, Kievi ka dëbuar një diplomat rus, çka ka shtyrë Moskën të marrë vendim për dëbim të diplomatit të dytë më 26 prill.
“Ne i kundërshtojmë plotësisht supozimet se diplomati i shpallur i 'padëshiruar' është përfshirë në aktivitete që nuk përputhen me statusin diplomatik. Punëtori i ambasadës së Ukrainës në Moskë nuk ka kryer ndonjë veprim që shkon përtej funksionit të tij diplomatik dhe konsullor”, është thënë në deklaratën e Ukrainës.
“Nëse pala ruse vazhdon të provokojë kundër punëtorëve të misioneve diplomate të Ukrainës në Rusi, ne do ta shfrytëzojmë të drejtën për të marrë masa shtesë”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Marrëdhëniet e tensionuara për shkak të aneksimit që i ka bërë Rusia Krimesë më 2014 dhe mbështetja që ofron Rusia për separatistët në lindje të Ukrainës, janë rritur edhe më shumë si pasojë e pozicionimit të trupave ruse në Ukrainë dhe stërvitjeve ushtarake në rajonin e aneksuar.
Tash e sa vjet, as Rusia dhe as Ukraina nuk kanë ambasadorë nëpër kryeqytetet e njëra-tjetrës.