Ndërlidhjet

Komisioni i Venecias konteston disa nene të Ligjit për gjuhët


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Komisioni i Venecias ka dhënë vlerësimin për Ligjin e gjuhëve, të miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në vitin 2018, me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, por disa përcaktime të këtij ligji, siç bëhet e ditur nga përmbajtja e raportit, “tejkalojnë standardet e përcaktuara në Konventën-kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe Deklaratën evropiane për gjuhët rajonale dhe të pakicave”.

“Në krahasim me Ligjin e gjuhëve të vitit 2008, ligji i vitit 2018 në mënyrë të theksuar avancon përdorimin e gjuhës shqipe, si gjuhë që e flasin së paku 20% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, në organet publike. Por, në fusha të caktuara, ligji shkon shumë larg duke i imponuar institucioneve publike detyrime joreale, në veçanti në procedurat gjyqësore. Obligimet janë joreale dhe të shtrenjta për t’u zbatuar”, thuhet veç tjerash në draft-konkluzionet e Komisionit të Venecias, që janë publikuar nga mediat maqedonase.

Komisioni kërkon që të shqyrtohet ligji, para se gjitha të hiqen përcaktimet lidhur me dygjuhësinë në procedurat gjyqësore dhe të ndërmerren masa që të sigurohet zbatim efikas i kërkesave gjuhësore në bazë të përcaktimeve të ligjit të mëparshëm, të vitit 2008.

Komisioni gjithashtu rekomandon revidimin e nenit 3 të ligjit, që parasheh përdorimin e gjuhës shqipe në komunikim brenda institucioneve, por edhe në sfera tjera deri në përcaktimin e qartë të tij. Raporti po ashtu rekomandon anulimin e gjobave për moszbatimin e ligjit deri në qartësimin e plotë të tij.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se nuk do të komentojnë mendimin e ekspertëve të Komisionit të Venecias deri në zyrtarizimin e tij nga komisioni. Ligji për mendim në Komisionin e Venecias është dërguar nga vetë qeveria, pas kritikave të shumta në opinionin maqedonas se me këtë ligj, vendi bëhet shtet dygjuhësh dhe se me këtë rrënohet karakteri unitar i shtetit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka thënë më parë se ligji është në përputhje të plotë me Kushtetutën, por pavarësisht kësaj do ta dërgojë për mendim në ekspertizë ndërkombëtare.

“Me këtë ligj kemi avancuar përdorimin e gjuhëve të të gjitha bashkësive në vend. Të gjitha përcaktimet në zgjidhjen ligjore janë në përputhje me nenin 5 të Kushtetutës. Pas rrumbullakimit, ligjin do ta dërgojmë në Komisionin e Venecias për të marrë mendim, lidhur jo vetëm për çështjet që kontestohen, por për ligjin në përgjithësi”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se mendimi i Komisionit të Venecias është pasojë e një zgjidhjeje joadekuate të ligjit, ndërlikimit të procedurave për zbatimin e tij, ndryshimin e rregulloreve dhe të ligjeve tjera lidhur me procedurat gjyqësore e kështu me radhë. Bashkim Selmani profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tetovës thotë se e drejta e përdorimit të gjuhës amtare është e drejtë natyrore që nuk mund të mohohet.

“Vazhdimisht do të ketë probleme pasi nuk mund të zbatohet, meqë është kufizuar e drejta natyrore. Ligji i gjuhës shqipe është sjell si veprim politik, por jo i mbështetur në të drejtën natyrore. Ai është miratuar bazuar në politikën e përditshme që lë pasoja, si këto që tani na paraqiten”, thotë Selmani.

Gjuha shqipe në bazë të ligjit të miratuar në vitin 2018 përdoret në organet e pushtetit qendror, si në Qeveri, Kuvend, pushtetin gjyqësor si dhe në komunat ku mbi 20 për qind e popullatës janë të entitetit shqiptar.

XS
SM
MD
LG