Ndërlidhjet

Komunat pa kryetarë


Mitrovica e Veriut

Çështja e dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, vazhdon të mbetet pezull dhe e padefinuar ligjërisht.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës patën theksuar se problemi qëndron te përdorimi i termit “Kosovë e Metohi”, në dorëheqjet e ofruara nga kryetarët e këtyre komunave dhe se kjo formë e dorëheqjes ka qenë jo e rregullt, me adresim jo të saktë dhe se mbetet çështje e diskutueshme.

Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që dorëheqja e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, ka krijuar situatë të vështirë për institucionet e Kosovës.

Sipas tij, në aspektin ligjor, çështja e kryetarëve të këtyre katër komunave do të zgjidhej shumë lehtë, por problemi kryesor paraqitet te gjendja reale në terren.

“Pavarësisht se a kanë dhënë dorëheqje ose jo, se a e kanë përdorur këtë apo atë term, kryetari i komunës nëse mungon 30 ditë në vendin e punës pa arsye, ai e humbë atë vend me ligj. Ishte dashur që presidenti menjëherë t’i sugjerojë Komisionit Qendror Zgjedhor që t’i shpallë zgjedhjet. Por, këtu është problemi. Nëse shpallen zgjedhjet dhe ka bojkot të tyre, atëherë çka më tutje? Prandaj, mund ta kuptoj atë që thuhet se është një gjendje e padefinuar më tutje. Gjendja në terren e imponon paraqitjen kinse atje nuk janë pjekur kushtet që të shpallen zgjedhjet”, thotë Ferati.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë theksuar se çështja e dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave mbetet e njëjtë siç ka qenë, e padefinuar.

Ata nuk kanë dashur të komentojnë më tutje lidhur me këtë çështje e as për mundësitë e funksionimit të qeverisjeve lokale në komunat ku kryetarët kanë dhënë dorëheqje.

Rreth dy javë më parë, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Beqir Fejzullahu, pati theksuar se zyra ligjore e kësaj ministre nuk ka dalë me ndonjë konstatim lidhur me ofrimin e dorëheqjeve nga katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës, pavarësisht se ishin tejkaluar afatet kohore për shqyrtimin e atyre dorëheqjeve.

“Kjo çështje tashmë është më shumë jashtë kompetencave të legjislacionit në fuqi, ka karakter politik dhe për këtë punë është deklaruar edhe kryeministri. Pra, këto dorëheqje, kanë më shumë karakter politik sesa procedural”, pati theksuar Fejzullahu.

Në anën tjetër, sa i përket funksionimit të qeverisjes lokale në katër komunat veriore, në mungesë të definimit të ligjshmërisë së dorëheqjes së kryetarëve të tyre, Ferati thotë se në komuna ka struktura, të cilat mund të vazhdojnë me punën.

Sipas tij, arsimi, shëndetësia, shërbimet administrative, ndërmarrjet publike, nuk varen nga vendimet e përhershme dhe të përditshme të kryetarit të komunës. Por, problemet paraqiten te situatat, për të cilat kryetari i komunës ka kompetenca dhe përgjegjësi.

“Problem është në rast se aty duhen të merren rregullore të reja, ligje të reja, vendime të reja ose organizime të reja. Pastaj, çështja e nënshkrimit të pagesave për buxhet, që nuk mund të bëhet përderisa mungon kryetari, tash për tash. Kjo paraqet vështirësi më tutje. Por, kjo nuk mund të zgjasë shumë për shkak se në një moment do të kërkohet nënshkrimi i kryetarit për pagesat edhe për çështjet tjera. Shumë shpejt do të vijë deri te një bllokadë, që do të ndodhë atje në sistem. Kam informacione që për disa çështja të caktuara po i shfrytëzojnë edhe strukturat paralele, pra, drejtoritë paralele. Na mbetet të shohim, por situata është e komplikuar”, thekson Sadriu.

Më 27 nëntor të vitit 2018, kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia.

Kryetari i Listës Serbe,Goran Rakiq, kishte theksuar se që nga ajo ditë “administrimi i qeverisjes lokale nga ana e Prishtinës në veri nuk ekziston”, ndërkaq, pas dorëheqjeve, katër kryetarët e komunave veriore kishin kumtuar se do të ndërpresin edhe komunikimin me Prishtinën.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG