Përshëndetje të nderuar lexues. Nëse tani jeni kyçur në blogun tonë, më poshtë mund të mësoni zhvillimet e fundit lidhur me luftën në Ukrainë:
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për bisedime kuptimplotë të paqes dhe sigurisë “pa vonesa” me Moskën. Sipas tij, ky është shansi i vetëm që Rusia të zvogëlojë dëmin e “gabimit” të saj
- Guvernatori i rajonit lindor ukrainas, Luhansk, tha se pala ruse është pajtuar për hapjen e korridorit humanitar për evakuimin e civilëve
- Ukraina pretendoi se ka vrarë një gjenerallejtënant rus në Çernobaievka. Ushtria ukrainase tha po ashtu se ka shkatërruar: dy avionë, tre helikopterë, tre dronë dhe katër raketa ruse
- Ministria e Mbrojtjes së Rusisë pretendoi se të premten ka përdorur për herë të parë armë hipersonike për të goditur një depo armësh në perëndim të Ukrainës
- Inteligjenca britanike tha se Rusia ka dështuar të arrijë qëllimet origjinale në luftën në Ukrainë. Sipas Mbretërisë së Bashkuar, ndryshimi i taktikave ruse mund të rezultojë në vdekjen e më shumë civilëve
Rusia thotë se ka përdorur armë hipersonike në perëndim të Ukrainës
Rusia ka përdorur raketat e reja hipersonike Kinzhal për herë të parë në Ukrainë të premten, duke shkatërruar një depo të armëve në perëndim të vendit, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
“Sistemi raketor i aviacionit Kinzhal me raketa aerobalistike hipersonike ka shkatërruar një depo të madhe nëntokësore ku ruheshin raketa dhe municione të aviacionit në fshatin Deliatin në rajonin Ivano-Frankivs”, tha të shtunën Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Rusisë, Ria Novosti tha se kjo është hera e parë që janë përdorur armët hipersonike Kinzhal, në atë që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë.
Inteligjenca britanike: Rusia e detyruar të ndryshojë taktika
Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar të shtunën ka publikuar informacionet e përditësuara për situatën në Ukrainë, duke paralajmëruar se ndryshimi i taktikave ruse mund të rezultojë në vdekjen e më shumë civilëve.
“Kremlini deri më tani ka dështuar të arrijë objektivat e tij origjinale”, tha Ministria përmes një postimi në Twitter.
Britania shtoi se Rusia është “befasuar nga shkalla dhe egërsia e rezistencës së Ukrainës”.
“Rusia është detyruar të ndryshojë qasjen e saj operacionale dhe tani po ndjekë një strategji të rrënimit”, tha Ministria e Mbrojtjes.
“Kjo me gjasë do të përfshijë përdorimin pa dallim të fuqisë së zjarrit që do të rezultojë me rritjen e viktimave civile, shkatërrimit të infrastrukturës ukrainase dhe intensifikimit të krizës humanitare”, tha Mbretëria e Bashkuar.
Guvernatori: Në Luhansk do të hapet një korridor humanitar
Guvernatori i rajonit lindor ukrainas, Luhansk, tha se më vonë gjatë të shtunës në këtë rajon do të hapet një korridor për evakuim.
Në një postim në Telegram, Serhiy Gaiday, tha se forcat ruse janë pajtuar që të lejojnë banorët të evakuohen në disa qytete në rajon pas orës 09:00 sipas kohës lokale, por ai nuk specifikojë se në cilat vende do të evakuohen qytetarët.
“Rusët po vazhdojnë të grasatojnë qytetet tona”, shkroi Gaiday.
“Megjithatë, ne të gjithë po presim deri në ora 09:00, kur ‘regjimi i heshtjes’ duhet të hyjë në fuqi, në mënyrë që të evakuojmë qytetarët e rajonit, të sjellim ushqime, ujë dhe ilaçe për ata që do të qëndrojnë këtu”.
“Për hapjen e korridorit humanitar ka pasur pajtim në nivel të lartë. Shpresoj që marrëveshjet e arritura të respektohen nga rusët”, shtoi ai.