Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
13:49 19.3.2022

Kërkime për të mbijetuar pas sulmit në Mikolaiv

Punëtorët e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën e tyre në një pirg gërmadhash pasi barrikadat e ushtrisë ukrainase në Mikolaiv, qytet në veri të Ukrainës, pas sulmit të ditëve më parë.

Pas 30 orësh nga sulmi me tri raketa, që goditën një bazë në këtë qytet, ekipet arritën të shpëtonin një person, që kishte mbetur i bllokuar nën rrënoja.

Teksa po vazhdonin operacionet e kërkimit, ushtarët u thanë gazetarëve që të strehoheshin, pasi u dëgjua një avion që fluturonte sipër ose një raketë, që kaloi mbi ta. Disa sekonda më vonë u dëgjuan shpërthime diku në veriperëndim të qytetit.

Shkatërrimet në Mikolaiv. Fotografi ilustruese.
Shkatërrimet në Mikolaiv. Fotografi ilustruese.

Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare, BBC ka cituar një burim të ketë thënë se 57 persona po trajtohen për plagët e marra në tri spitale lokale. Një tjetër burim ka thënë se afër 200 ushtarë gjendeshin në barrikada në momentin e sulmit dhe besohet se shumica prej tyre janë vrarë.

Gjatë natës, Mikolaiv është përballur me granatime të vazhdueshme. Ky qytet është i rëndësishëm në bllokimin e përparimit të forcave ruse drejt perëndimit, përgjatë bregdetit të Detit të Zi.

13:11 19.3.2022

Ish-kryeministri britanik mbështet gjykimin ndaj Putinit sipas modelit të Nuermbergut

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Gordon Brown, dëshiron të themelohet një tribunal i ri ndërkombëtar, për të hetuar Vladimir Putinin për veprimet e tij në Ukrainë.

Brown tha se në lutën në Ukrainë ka pasur bombardim të caqeve civile, që është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. Sipas tij, po ashtu ka pasur shkelje të armëpushimeve, por edhe “shantazh” për sulme bërthamore.

Ish-kryeministri britanik i tha BBC-së se që prej rënies së Murit të Berlinit “ne kemi supozuar se demokracia dhe sundimi i ligjit do të mbizotërojë”, por shtoi se presidenti rus, Vladimir Putin, po e “zëvendëson atë me përdorimin e forcës”.

“Nëse nuk dërgohet mesazh tani, ne do të përballemi me agresion në shtetet e tjera, që po ashtu mund të jetë një agresionin i pandëshkuar”, tha ai.

I pyetur nëse ai konsideron se presidenti rus është kriminel lufte, ai u shpreh: “Ashtu ka thënë presidenti [amerikan, Joe] Biden, dhe ky është qëndrimi im”.

Brown është në mesin e 140 akademikëve, avokatëve dhe politikanëve që kanë nënshkruar një peticion që kërkojnë krijimin e një sistemi ligjor të modeluar sipas gjykimeve të Nurembergut për kriminelët nazistë pas Luftës së Dytë Botërore.

12:39 19.3.2022

Bellingcat publikon hartën e objektivave civile të shkatërruara në Ukrainë

Grupi hulumtues, Bellingcat, ka publikuar një hartë interaktive të ndërtesave civile të shkatërruara nga Rusia që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës.

  • Hartën mund ta shikoni duke klikuar KËTU  

Harta bazohet në prova përmes videove dhe fotografive të dokumentuara nga Bellingcat, si dhe grafika që tregojnë kohën dhe vendin të qindra incidenteve që kanë prekur potencialisht civilët që prej se Rusia nisi luftën në Ukrainë më 24 shkurt.  

Në mesin e incidenteve janë “goditjet me raketa në zonat e banueshme, shkatërrimi i infrastrukturës civile dhe prania e dukshme e civilëve të plagosur ose trupave të palëvizshëm të civilëve”, tha Bellingcat.

Ky grup hulumtues tha se dokumentimi i rasteve të tilla “është shumë i rëndësishëm në dritën e deklaratave nga autoritetet ruse që thonë se ata nuk po synojnë të sulmojnë civilët dhe po shmangin goditjet nga infrastrukturës civile”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ka verifikuar 43 sulme mbi spitale dhe ndërtesa shëndetësore në Ukrainë, që kanë rezultuar në vdekjen e 12 personave dhe plagosjen e 34 të tjerëve.

“Shkatërrim kolosal” nga sulmet ajrore në spitalin e Mariupolit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:13 0:00

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mbi 3 milionë refugjatë ukrainas janë larguar nga shteti për shkak të luftës.

12:16 19.3.2022

Polonia i propozon BE-së ndalimin e plotë të tregtisë me Rusinë

Polonia i ka propozuar Bashkimit Evropian që të vendosë një ndalesë të plotë të tregtisë me Rusinë, tha më 19 mars kryeministri polak, Mateus Morawiecki.

Ai u bëri thirrje të gjitha shteteve të bllokut evropian që të vendosin sanksione më të ashpra ndaj Rusisë për shkak të nisjes së pushtimit të Ukrainës.

“Polonia po propozon që të shtohet bllokada e tregtisë në këtë paketë të sanksioneve sa më shpejt që të jetë e mundur, përfshirë edhe në portet detare... por, po ashtu ndalesë në tregtinë që bëhet përmes transportit rrugor. Shkëputja e plotë e tregtisë me Rusinë do ta shtyjë Rusinë që ta shqyrtojnë mundësinë se është më mirë që ta ndalë këtë luftë mizore”, tha Morawiecki.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG