Luftimet në Mariupol vazhdojnë
Luftimet në rrugë vazhdojnë në qendër të portit strategjik jugor të Ukrainës, Mariupol, ndërsa forcat ruse po përpiqen të marrin kontrollin e qytetit, raporton BBC-ja.
Rreth 300,000 civilë nuk janë në gjendje të evakuohen.
Disa nga pak civilë që arritën të ikin, kanë përshkruar kushtet e tmerrshme, pa energji elektrike dhe ujë, ndërkaq që furnizimet me ushqime po mbarojnë.
Motra e deputetit ukrainas, Yaroslav Zhelezniak, ka arritur të largohet nga Mariupol pak ditë më parë.
“Pas dy javësh, ata nuk kishin ushqim, ndërkaq dyqanet u mbyllën, kështu që ajo tha se zgjidhja që kishte ishte që të përpiqej të gjente, për shembull, të vidhte ushqim - ose të vdiste pa ushqim”, ka thënë Zheleznjak për BBC-në.
Tubimet në mbështetje të Rusisë në Kragujevc dhe Novi Sad
Rreth njëzet persona, kryesisht të rinj, përmes vozitjes së makinave, të shtunën në mbrëmje në Kragujevc, morën pjesë në mbështetjen e Rusisë dhe Vladimir Putin për agresionin kundër Ukrainës.
Disa dhjetëra makina morën pjesë në vozitje, por pa praninë e policisë për të ruajtur sigurinë, raportoi një reporter i Radios Evropa e Lirë.
Një tubim në mbështetje të agresionit rus kundër Ukrainës u organizua edhe në Novi Sad, kryeqyteti i Vojvodinës, ku disa dhjetëra ekstremistë të djathtë dhe tifozë brohorisnin “Rusi, Rusi”.
Nga Sheshi i Lirisë ata janë drejtuar drejt ndërtesës së Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës (LSV), ku kanë brohoritur parulla nënçmuese, sepse që nga fillimi i agresionit rus, kjo parti ka varur flamurin e Ukrainës në objektin e selisë së saj, i cili por qëndron edhe sot.
Policia ka penguar huliganët të afrohen tek godina ku ndodhet selia e kësaj partie, raporton Beta.
Kryebashkiaku i Mariupolit thotë se banorët e qytetit u dërguan në Rusi
Kryebashkiaku i Mariupolit thotë se disa mijëra banorë të këtij qyteti të rrethuar u dërguan në Rusi.
Në një mesazh në Telegram, Vadim Boychenko tha se disa u ridrejtuan në qytete të largëta në Rusi, ndërsa fati i të tjerëve mbetet i panjohur, raportoi BBC.
BBC deklaroi se nuk ka mundur të konfirmonte këtë pretendim.
“Ajo që po bëjnë pushtuesit sot është e njohur për brezin e vjetër, i cili pa ngjarjet e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore, kur nazistët i zinin peng njerëzit me forcë”, tha Boychenko.
“Është e vështirë të imagjinohet se në shekullin e 21-të, njerëzit do të dëbohen me forcë në një vend tjetër”.
Rreth 300,000 njerëz janë zënë peng në qytet, pasi ushqimet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë, ndërkaq që Rusia po bllokon hyrjen e ndihmave humanitare.
Sulmetruse goditën spitalin, kishën dhe blloqet e panumërta të apartamenteve, ndërkaq zyrtarët lokalë vlerësojnë se rreth 80 për qind e ndërtesave të banimit u dëmtuan ose u shkatërruan, një e treta e të cilave janë të pariparueshme.
Vendndodhja e qytetit port, në Detin Azov, është strategjike për Rusinë, pasi do ta ndihmonte atë të krijonte një korridor tokësor midis rajoneve lindore të Donetsk dhe Luhansk, të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, si dhe Krimesë, një gadishull që ajo aneksoi në 2014.
Sulmet ajrore mbi Mykolayiv
Sulmet ajrore ruse në Mykolayiv po zhvillohen gjatë gjithë ditës, tha një zyrtar rajonal, raporton BBC.
Një ditë më parë, forcat ruse kanë shtënë mbi një kazermë ushtarake në këtë qytet në jug të Ukrainës. Sipas raportimeve, rreth 200 ushtarë ishin duke fjetur në kazermë kur tre raketa ruse e goditën atë.
Vitaly Kim, kreu i administratës rajonale, tha se nuk kishte kohë të mjaftueshme për të ngritur alarmin.
“Porositë (alarmet) dhe bombardimet po vijnë në të njëjtën kohë”, ka thënë ai në rrjetet sociale.
Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje për shkallën e dëmit apo viktimat e mundshme.