Pse Mariupoli është i rëndësishëm për Rusinë?
Të shtunën, autoritetet raportuan se ushtarët rusë kanë depërtuar thellë në qytetin e rrethuar të Mariupolit dhe ka pasur luftime në rrugët e këtij qyteti. Ndërkaq, të dielën, zyrtarët ukrainas thanë se një shkollë, që po strehonte 400 persona, është bombarduar nga Rusia.
Më poshtë mund të mësoni pse Rusia e konsideron të rëndësishëm këtë qytet-port në jug të Ukrainës?
Nëse Mariupoli bie nën kontrollin e trupave ruse, atëherë Rusia do të kishte nën kontroll një prej porteve më të mëdha të Ukrainës dhe do të krijonte një korridor tokësor midis Krimesë dhe rajoneve lindore ukrainase Donjeck dhe Luhansk, pjesë të së cilave i kontrollojnë separatistët e mbështetur nga Rusia.
Duke e lidhur Krimenë me Rusinë përmes rrugës tokësore që kalon nëpër këto rajone separatiste, kjo do t’ia bënte më të lehtë Rusisë që të lëvizte mallra, por edhe lëvizja e njerëzve do të ishte më e lehtë nga Krimea. Rusia ka dashur që ta arrijë këtë që nga viti 2014, kur konflikti në lindje të Ukrainës ka filluar.
Aktualisht, Gadishulli ukrainas i Krimesë – që është i aneksuar nga Moska që nga viti 2014 – lidhet me Rusinë përmes një ure të vetme, që është ndërtuar pas aneksimit të Gadishullit.
Rusia thotë se sërish e ka sulmuar Ukrainën me raketa hipersonike
Rusia tha të dielën se sërish ka përdorur raketat e reja hipersonike në Ukrainë.
Sipas zyrtarëve rusë, ata kanë shkatërruar një depo karburantesh në jug të Ukrainës.
“Sistemi i raketave Kinzhal me raketa balistike ka shkatërruar një depo të madhe të karburanteve të Forcave të Armatosura ukrainase pranë vendbanimit Kostinatinivka në rajonin Mikolaiv”, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Kina është “në anën e duhur të historisë” sa i përket luftës në Ukrainë
Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, tha të dielën se “koha do ta dëshmojë se pozicioni i Kinës është në anën e duhur të historisë” sa i përket luftës në Ukrainë.
“Kina do të vazhdojë të bëjë gjykime të pavarura të bazuara në meritat e çështjes dhe me një qëndrim objektiv dhe të drejtë. Ne kurrë nuk do të pranojmë asnjë presion të jashtëm dhe gjithashtu do të kundërshtojmë çdo akuzë dhe dyshim të pabazuar kundër Kinës”, tha Wang Yi për gazetarët, sipas një deklarate të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Wang tha se “zgjidhja afatgjatë qëndron në braktisjen e mentalitetit të Luftës së Ftohtë, duke u përmbajtur nga përfshirja në konfrontim grupor dhe të formohet me të vërtetë një arkitekturë e sigurisë rajonale, e cila duhet të jetë e balancuar, efektive dhe e qëndrueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet stabilitet afatgjatë në kontinentin evropian".
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Lexues të nderuar, nëse tani jeni kyçur në blogun tonë lidhur me luftën në Ukrainë, këto janë ngjarjet kryesore që kanë ndodhur deri më tani në ditën e 25-të të pushtimit rus të Ukrainës.
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se rrethimi i qytetit të Mariupolit do të mbahet mend për shekuj me radhë, duke thënë se përfshin krime lufte të kryera nga forcat ruse
- Zyrtarët ukrainas thanë se në Mariupol, Rusia ka bombarduar një shkollë ku strehoheshin 400 civilë
- Në orët e para të mëngjesit të 20 marsit, sirena për sulme ajrore janë dëgjuar në Kiev, Sumi, Mikolaiv, Poltava, Harkiv, Çerkasi, Odesa dhe Zaporizhja
- Ushtria ukrainase tha se forcat ruse po rigrupohen dhe po riparojnë pajisjet e dëmtuara në vend se të nisin ofensiva të reja
- Zyrtarët lokalë thanë se janë evakuuar 71 fëmijë nga një jetimore në Sumi
- Inteligjenca britanike tha se Rusia po dështon që të marrë kontrollin e hapësirës ajrore ukrainase, që sipas zyrtarëve britanikë, ka qenë objektivi primar i Rusisë