Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
10:31 20.3.2022

Mbretëria e Bashkuar: Rusia po sulmon qytetet ukrainase pa dallim

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se forcat ruse po granatojnë qytetet ukrainase “pa dallim” teksa avancimi i tyre ka ngecur në rajonet lindore të Ukrainës.

Në përditësimin ditor të informacioneve lidhur me luftën në Ukrainë, zyrtarët e mbrojtjes thanë se granatimet në një numër të madh të qyteteve kanë rezultuar “me shkatërrim të madh” dhe numër të madh të viktimave civile.

Mbretëria e Bashkuar tha se forcat ruse “po vazhdojnë të rrethojnë një numër qytetesh në lindje të Ukrainës”, por theksoi se trupat ruse kanë bërë “përparim të kufizuar” javën e fundit në synimin e tyre për të marrë nën kontroll këto qytete.

Zyrtarët paralajmëruan se forcat ruse me gjasë do të rrisin fuqinë e tyre të zjarrit “për të mbështetur sulmet në zonat urbane, që veçse kanë shkaktuar dëme të mëdha në njerëz”.

 

10:15 20.3.2022

Rusia pretendon se ka vrarë dhjetëra “mercenarë” gjatë sulmeve me raketa

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se ka vrarë dhjetëra “mercenarë” në sulmet ajrore në një qendër trajnimi në perëndim të Ukrainës, raportoi media shtetërore ruse Ria.

Gjeneralmajori Igor Konashenkov, zëdhënës i ministrisë, tha se mbi 100 trupa ukrainase dhe “mercenarë të huaj” u vranë në sulmet “mjaft precize me raketa” në bazën ukrainase në afërsi të Ovruçit në Zhytomir Oblast.

“Sulmet mjaft precize me raketa goditën qendrën e trajnimit të forcave për operacione speciale të Forcave të Armatosura ukrainase, ku mercenarët e huaj, që kanë arritur në Ukrainë, janë vendosur”, tha Konashenkov.

 

 

09:47 20.3.2022

Të paktën pesë të vrarë nga granatimet ruse në Harkiv

Autoritetet në qytetin lindor ukrainas të Harkivit thanë se të paktën pesë civilë janë vrarë në granatimet e fundit të forcave ruse.

Policia rajonale në Harkiv, që është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, tha se në mesin e viktimave nga sulmet me artileri ruse në orët e para të së dielës është edhe një djalë nëntëvjeçar.

Harkiv është rrethuar nga forcat ruse që prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainsë më 24 shkurt. Ky qytet ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme ruse.

Ndërtesa të shkatërruara në Harkiv. 15 mars 2022.
Ndërtesa të shkatërruara në Harkiv. 15 mars 2022.

 

 

09:37 20.3.2022

Banorët e Mariupolit po dërgohen në Rusi

Të shtunën, zyrtarët e qytetit të Mariupolit, që gjendet në jug të Ukrainës, e akuzuan Rusinë se ka dërguar me forcë mijëra banorë lokalë në Rusi, gjatë javës së fundit.

Një zyrtar, Pyotr Andryuschenko, i ka thënë New York Times se midis 4,000 dhe 4,500 banorë janë dërguar në Taganrog, qytet në rajonin Rostov, që gjendet në kufirin juglindor të Ukrainës. Ai ka shtuar se ata janë dërguar në Rusi pa pasaporta.

Një ukrainas i ka thënë gazetës amerikane se ai ka qenë në kontakt me tri familje që janë zhvendosur me forcë.

“Tani rusët po shkojnë nëpër bodrume, dhe nëse ka ende banorë, po i dërgojnë me forcë në Taganrog”, tha Eduard Zarubin, një mjek që është larguar nga qyteti më herët gjatë kësaj jave.

Rusia nuk e ka folur publikisht për këtë çështje, por të premten, Ministria e Mbrojtjes pretendoi se mijëra ukrainas kanë shprehur dëshirën “të ikin në Rusi” dhe Qeveria po i ndihmon ata.

Në Mariupol aktualisht po zhvillohen luftime të ashpra ndërmjet forcave ukrainase dhe ruse. Ky qytet është granatuar vazhdimisht në dy javët e fundit dhe zyrtarët lokalë kanë thënë se 2,400 persona kanë vdekur.

Banorët e këtij qyteti nuk kanë energji, gaz dhe ujë, dhe rezervat ushqimore po iu harxhohen. Ukraina e ka akuzuar Rusinë se po ndalon konvojet me ndihmë humanitare që po nisen drejt këtij qyteti.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG