Mirëmëngjesi të gjithëve!
Po e rinisim transmetimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet e lidhura me luftën në Ukrainë.
Në orët e para të mëngjesit të së hënës, Ukraina ka hedhur poshtë kërkesat e Rusisë për të hequr dorë nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, duke thënë se “nuk ka vend për dorëzim”.
Qëndroni me ne!
Lexues të nderuar. Ne këtu po e ndërpresim mbulimin e drejtpërdrejtë të luftës në Ukrainë, për t’u rikthyer sërish nga ora 7:00 e mëngjesit.
Zhvillimet kryesore të ditës së diel kanë qenë:
- Në orët e vona të së dielës, granatimet goditën shtëpi banimi dhe një lagje tregtare në qarkun Podil të Kievit, duke vrarë të paktën një person, tha kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko.
- Rusia u bëri thirrje forcave ukrainase të dorëzojnë armët në qytetin port lindor të Mariupolit
- Zyrtarët rus kanë pranuar se Komandanti i lartë i flotës ruse të Detit të Zi, kapiteni Andrey Paliy u vra në Ukrainë
- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, përmes një video-lidhjeje iu drejtua Parlamentit izraelit
- Zyrtarët e hekurudhave shtetërore të Ukrainës kanë thënë se bjellorusët e ndershëm kanë ndërprenë furnizimet ruse
- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se është i gatshëm të negociojë me presidentin rus Vladimir Putin
- OKB: Të paktën 902 civilë janë vrarë dhe 1,459 të tjerë janë plagosur në Ukrainë deri në mesnatën e 19 marsit
- Zelensky e ka akuzuar Rusinë për krime lufte gjatë rrethimit të qytetit jugor të Mariupolit
- Një shkollë arti në qytetin e rrethuar të Mariupolit, që përdorej si strehimore, është bombarduar nga forcat ruse
- Për herë të dytë, Rusia ka thënë se ka përdorur raketa hipersonike në sulmet në Ukrainë
- Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se Ukraina dhe Rusia janë afër arritjes së një marrëveshjeje për çështje “kritike”
- Morgjet bjelloruse të mbushura me trupat e ushtarëve rusë
Ukraina thotë se janë evakuuar edhe 7,295 persona
Zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk tha se më 20 mars janë evakuuar 7,295 civilë nga qytetet ukrainase.
Evakuimi u bë nga katër prej shtatë korridoreve humanitare që ishin planifikuar të funksiononin.
Në tërësi, 3,985 persona u evakuuan nga qyteti i rrethuar i Mariupolit dhe u dërguan në qytetin Zaporizhja.
Qeveria ukrainase planifikon që të hënën të kryejë më shumë evakuime, tha Vereshchuk.
Rusia u bën thirrje forcave ukrainase të dorëzojnë armët
Rusia, të dielën, u bëri thirrje forcave ukrainase të dorëzojnë armët në qytetin port lindor të Mariupolit, ku Moska tha se po ndodhte një “katastrofë e tmerrshme humanitare”.
“Dorëzoni armët”, ka thënë gjeneral-koloneli Mikhail Mizintsev, drejtor i Qendrës ruse të Menaxhimit Kombëtar të Mbrojtjes, në një konferencë, të cilën e ka shpërndarë nga Ministria e Mbrojtjes.
“Është zhvilluar një katastrofë e tmerrshme humanitare”, tha Mizintsev.
“Kushdo që dorëzon armët i garantohet një dalje e sigurt nga Mariupoli”.
Mizintsev tha se korridoret humanitare do të hapen nga Mariupoli në orën 10:00, sipas orës së Moskës, më 21 mars.