Zelanda e Re zotohet për më shumë ndihmë për Ukrainën
Zelanda e Re është zotuar se do t’i ofrojë Ukrainës fonde shtesë në vlerë të 3.46 milionë dollarëve amerikanë si dhe pajisje jovdekjeprurëse.
Kryeministrja e këtij shteti, Jacinda Ardern ka thënë se paratë do të dërgohen në një fond të NATO-s, i cili ofron naftë, pajisje komunikimi dhe pajisje të ndihmës së parë për forcat ukrainase.
Deri më tani, Zelanda e Re ka dërguar ndihmë në Ukrainë në vlerë të 7 milionë dollarëve amerikanë.
Raportohet për sulme ruse në një terren stërvitor
Rusia ka lëshuar dy raketa në një terren stërvitor në Rivne, në perëndim të Ukrainës, ka thënë Vitaliy Koval, udhëheqës i administratës rajonale.
Në një video-adresim, ai ka thënë se sulmet kanë ndodhur në mëngjesin e 21 marsit.
Britania: Rusia ende e fokusuar në Kiev
Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se kryeqyteti ukrainas, Kiev, vazhdon të mbetet prioritet për Rusinë dhe trupat ruse pritet të tentojnë sërish të hyjnë në qytet në javët në vijim.
Në përditësimin e mëngjesit, Ministria britanike ka thënë se luftimet e ashpra janë duke vazhduar në veri të kryeqytetit, mirëpo avancimet ruse nga ai drejtim kanë ngecur.
“Pavarësisht mungesës së vazhdueshme të përparimit, Kievi vazhdon të mbetet objektivi kryesor i Rusisë dhe ata pritet ta bëjnë prioritet rrethimin e qytetit në javët në vijim”.
Ukraina injoron ultimatumin e dorëzimit të Mariupolit
Kanë kaluar disa orë prej kur Rusia i ka dhënë afat të fundit Ukrainës për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupolit, ku 300,000 njerëz besohet se janë të bllokuar edhe me pak furnizime.
Çfarë ka thënë Rusia?
Ushtria ruse i ka dhënë afat Ukrainës që deri të hënën në mëngjes të njoftojë për dorëzim të qytetit, duke premtuar se në kthim do të garantojë dy korridore humanitare për t’u larguar njerëzit.
Si është përgjigjur Ukraina?
Ukraina ka hedhur poshtë këtë ultimatum.
“Nuk ka vend për dorëzim, ulje të armëve tona”, ka thënë zëvendëskryeministri i shtetit, sipas mediumit, Ukrainska Pravda.
Një këshilltar i Mariupolit ka thënë për transmetuesin britanik, BBC, se premtimet e Rusisë nuk janë të besueshme dhe se ushtarët do të luftojnë deri në luftëtarin e fundit.
Çfarë mund të ndodhë tani?
Nuk është e qartë.
Moska nuk e ka specifikuar se çfarë do të bëjnë trupat e saj nëse nuk zbatohet kërkesa për dorëzim.