Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
09:24 21.3.2022

Mbi 10 milionë ukrainas të zhvendosur

Besohet se 10 milionë ukrainas janë zhvendosur brenda ose jashtë shtetit, prej shpërthimit të luftës.

Më shumë se 2.1 milionë njerëz kanë ikur në Poloni, ka thënë Garda Kufitare polake.

Sipas të dhënave të Universitetit të Varshavës, rreth 1.2 milion refugjatë janë ende në Poloni, ndërsa pjesa tjetër ka kaluar në shtetet tjera.

 

09:04 21.3.2022

Mirëmëngjesi juve që na jeni bashkuar tani!

Këto janë disa prej zhvillimeve të para në ditën e 26-të të luftës në Ukrainë

  • Ukraina ka refuzuar një ultimatum rus për dorëzim të qytetit të Mariupolit, ku besohet se rreth 300,000 njerëz janë të bllokuar dhe me pak furnizime. Moska është zotuar se në rast të dorëzimit ukrainas, do të ofrohen korridore të sigurta për largim të civilëve
  • Kryetari i Mariupolit ka thënë pak më parë për transmetuesin britanik, BBC se zotimet humanitare të Moskës nuk janë të besueshme dhe është zotuar se forcat ukrainase do të luftojnë
  • Situata në qytet, i cili është i rrethuar nga trupat ruse dhe është shkatërruar nga bombardimet, është përshkruar “ferr në Tokë”, sipas një deputeti ukrainas, pasi janë duke mbaruar furnizimet me ushqim dhe ilaçe
  • Sulmet janë duke vazhduar në qytetet tjera ukrainase dhe shpërthime të mëdha janë raportuar në Kiev. Autoritetet kanë thënë se atje janë goditur shtëpi dhe një qendër tregtare
  • Mirëpo Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se përparimi i forcave ruse drejt Kievit ka ngecur
  • Ka pasur raportime për rrjedhje amoniaku në një central kimik në qytetin Sumi, i cili është i rrethuar nga forcat ruse. Zyrtarët kanë thënë se rrjedhja është ndalur, mirëpo u kanë thënë banorëve në afërsi që të largohen pasi gazi është i rrezikshëm
08:35 21.3.2022

Ndalet rrjedhja e amoniakut

Në orët e hershme të mëngjesit është raportuar se ka shqetësime që në qytetin ukrainas, Sumi ka rrjedhje të amoniakut në një central kimik.

Guvernatori rajonal, Dmytro Zhyvytskyy, ka thënë se rrjedhja është shkaktuar nga bombardimet ruse dhe se banorëve në afërsi u është thënë të largohen nga vendbanimet  e tyre.

Megjithatë, ai ka thënë se autoritetet kanë arritur të ndalin amoniakun pas dy orëve.

“Ekipet e emergjencës janë duke punuar për të ndalur amoniakun. Nuk ka kërcënim për popullsinë”, ka thënë ai në Telegram.

 

08:08 21.3.2022

Zelensky e konsideron Jerusalemin “vendin e duhur” për bisedime

Izraeli është duke bërë përpjekje për të ndërmjetësuar bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe në të ardhmen mund të jetë vend nikoqir i negociatave të nivelit të lartë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Kryeministri i Izraelit, (Naftali) Bennett është duke tentuar të gjejë zgjidhje për mbajtje të bisedimeve”, ka thënë Zelensky përmes një video-adresimi.

“Ne jemi mirënjohës për përpjekjet e tij, dhe herët apo vonë ne do të nisim bisedimet me Rusinë, me mundësi në Jerusalem”.

“Ky është vendi i duhur për të gjetur paqe, nëse është e mundshme”, ka thënë ai.

Komentet e Zelenskyt kanë ardhur pasi ai i është adresuar Parlamentit të Izraelit  - përmes video-linkut – të dielën.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG