Guvernatori ukrainas: Katër fëmijë janë plagosur nga granatimet
Autobusët që po evakuonin civilët nga zonat e luftës janë granatuar, tha guvernatori i rajonit ukrainas të Zaporizhjas, raportoi Retuers.
Guvernatori Oleksandr Starukh tha se “katër fëmijë janë dërguar në spital” për shkak të plagëve të marra.
Ai fajësoi forcat ruse për granatimet.
Zelensky: Ukraina nuk do të përkulet para ultimatumeve të Rusisë
Ukraina kurrë nuk do të përkulet para ultimatumeve të Rusisë dhe qytetet si Kievi, Mariupoli apo Harkivi nuk do ta pranojnë okupimin rus, tha presidenti Volodymyr Zelensky për një media ukrainase.
“Ne kemi ultimatume me pika si ‘ndiqni këto pika dhe ne do t’i japim fund luftës’. Ukraina nuk mund të përmbushë këto ultimatume”, tha Zelensky në një intervistë të publikuar nga transmetuesi publik ukrainas, sipas agjencisë Reuters.
Rusia i kishte vendosur afat Ukrainës që deri në mëngjesin e ditës së sotme të dorëzohej në qytetin-port të Mariupolit – që është i rrethuar – duke thënë se civilëve dhe luftëtarëve do t’u garantohej largimi i sigurt nga ky qytet, për aq kohë sa ata të dorëzojnë armët.
Por, Ukraina injoroi këtë ultimatum, duke thënë se dorëzimi nuk është opsion.
Zyrtari amerikan i mbrojtjes: Pushtimi rus ka ngecur
Pushtimi rus kryesisht ka ngecur në të gjitha linjat e tyre të avancimit, me trupat që nuk kanë lëvizur më drejt Kievit që nga java e kaluar, tha një zyrtar i lartë amerikan i mbrojtjes.
Rusët kanë hedhur mbi 1,100 raketa, por mund të jenë duke u përballur me “probleme të inventarit” tha zyrtari. Disa raketa kanë dështuar të lëshohen, e disa që janë lëshuar nuk kanë shpërthyer, shtoi ky zyrtar.
SHBA-ja ka thënë se e ka të pamundur të konfirmojë apo mohojë pretendimet e Rusisë se ka përdorur raketa hipersonike gjatë sulmeve në Ukrainë, tha ky zyrtar, duke shtuar se Rusisë nuk i është dashur të përdorë këso raketash, por ushtrisë së saj mund të jenë duke iu harxhuar raketat e tjera.
Zyrtari amerikan tha po ashtu se ka rritje të aktiviteteve detare në Detin e Zi, që besohet se përfshijnë edhe disa granatime në qytetin-port të Odesës.
Ukraina e akuzon Rusinë për terrorizëm shtetëror
Rusia po kryen terrorizëm shtetëror në Ukrainë dhe do të vazhdojë të sulmojë shtete të tjera, tha ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov.
Duke folur përkrah Sekretarit britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace gjatë vizitës në Londër, Reznikov tha se 150 fëmijë ukrainas janë vrarë që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Ai tha se mbi 400 shkolla dhe çerdhe dhe mbi 110 spitale janë shkatërruar.
“Mijëra e mijëra civilë” po ashtu janë vrarë, shtoi ai, dhe tha se ende nuk dihet se sa persona janë të bllokuar nën rrënojat e shtëpive të shkatërruara.
“Ky është terrorizëm shtetëror. Prandaj Kremini duhet të ndalet, sepse do të vazhdojë edhe më tej, do të sulmojë shtete të tjera”, tha Reznikov.
Ai nuk dha ndonjë dëshmi për këto pretendime. Rusia vazhdimisht mohon se shënjestron caqe civile.
Që prej nisjes së luftës në Ukrainë, ushtarët ukrainas kanë shkatërruar pothuajse 500 tanke ruse dhe mbi 1,500 makina të blinduara, tha ministri ukrainas. Ai tha se armët që i ka ofruar Britania janë përdorur në disa prej këtyre sulmeve.