Biden dhe liderët evropianë bisedojnë për mbështetjen për Ukrainën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me liderët evropianë, me të cilët ka folur për luftën në Ukrainë, tha Shtëpia e Bardhë.
Në këtë bisedë kanë marrë pjesë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe ai italian, Mario Draghi.
Shtëpia e Bardhë tha se liderët kanë “biseduar për shqetësimet serioze lidhur me taktikat brutale të Rusisë në Ukrainë, përfshirë edhe sulmet ndaj civilëve”.
“Ata theksuan mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën, përfshirë edhe ofrimin e mbështetjes së sigurisë për ukrainasit trima që po e mbrojnë shtetin e tyre nga agresioni rus, dhe për mbështetjen humanitare për miliona ukrainas që janë larguar nga dhuna”, u tha në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan, Joe Biden, është paraparë që të udhëtojë për në Evropë më vonë gjatë kësaj jave, për të marrë pjesë në takimet me NATO-n, Bashkimin Evropian, aleatët e G7-ës në Bruksel. Po ashtu ai pritet të ketë takime dypalëshe me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda në Varshavë të premten më 25 mars.
Pentagoni: Do të ndihmojmë në mbledhjen e dëshmive për krimet e luftës të kryera nga Rusia
Pentagoni i akuzoi forcat ruse për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë dhe tha se do të ndihmojë në mbledhjen e dëshmive për kryerjen e krimeve të tilla.
Më 21 mars, Pentagoni po ashtu e akuzoi Kremlinin se po kryen sulme pa dallim, si pjesë e strategjie të qëllimshme në konflikt.
“Ne sigurisht po shohim prova të qarta se forcat ruse po kryejnë krime lufte dhe ne po ndihmojmë në mbledhjen e provave për këtë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby gjatë një konference për media.
“Por, ka procese hetimore që do të vazhdojnë dhe ne do të lejojmë që këto procese të ndodhin. Ne do të kontribuojmë në këto procese hetuese. Se çfarë do të dalë nga to, ky vendim nuk i përket udhëheqjes së Pentagonit që ta marrë”, tha ai.
Negociatori: Qëndresa e Ukrainës e bën Rusinë që të përballet me realitetin
Pas 26 ditësh të luftës, ka pasur disa ndryshime në negociatat e paqes, tha për BBC-në, negociatori ukrainas, Mykhaylo Podolyak.
Qëndresa e Ukrainës e ka detyruar Rusinë “që ta vlerësojë më mirë realitetin” e situatës, dhe ai tha se kjo i ka ndihmuar në inkurajimin “e një lloj dialogu”.
Por, çdo vendim për një marrëveshje të paqes do të merret midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderit rus, Vladimir Putin, tha ai.
Podolyak po ashtu tha se nuk ka ndonjë datë për një takim të mundshëm Zelensky-Putin.
Edhe pse nuk dha detaje mbi negociatat, Podolyak tha se Kievi e ka bërë të qartë se nuk do të bëjë asnjë kompromis mbi integritetin dhe sovranitetin e Ukrainës.
Ai sërish shprehu frustrimin e Kievit mbi refuzimin e NATO-s që të krijojë një zonë të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë.
“Ata nuk po e mbyllin qiellin tonë, po qëndrojnë anash në kohën kur dhjetë milionë njerëz po kërkojnë vend ku të jetojnë dhe tre milionë të tjerë veçse janë larguar nga shteti. Kjo është katastrofë humanitare në Evropë”, tha ai.
Të shtëna drejt protestuesve në Herson
Trupat ruse në qytetin e okupuar ukrainas të Hersonit kanë qëlluar me armë zjarri dhe me shok bomba drejt protestuesve paqësorë. Disa video amatore të publikuara më 21 mars në rrjetet sociale, shfaqin të paktën një person të plagosur në Sheshin e Lirisë, në këtë qytet në jug të Ukrainës.