Zelensky i bën thirrje Vatikanit për ndërmjetësim në dhënie fund të luftës
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka biseduar të martën me Papa Françeskun dhe ka sugjeruar se Vatikani mund të luajë rol ndërmjetësues në dhënien fund të luftës me Rusinë.
Në një postim në Twitter, Zelensky ka thënë se i ka treguar Papës për “situatën e vështirë humanitare” dhe se si janë duke u bllokuar korridoret nga trupat ruse.
Ai ka bërë thirrje për ndërmjetësim në dhënie fund të dhimbjeve, pak ditë pasi Zelensky ka thënë se Jerusalemi mund të jetë lokacion i mundshëm në të ardhmen për bisedime të nivelit të lartë në mes të Ukrainës dhe Moskës.
Ukraina: Më shumë se 15,000 trupa ruse janë vrarë në luftë
Rreth 15,300 trupa ruse janë vrarë prej nisjes së luftës në Ukrainë, ka thënë Ministria ukrainase e Mbrojtjes në përditësimin e saj të fundit.
Ministria ka thënë se ushtria ruse është përballur me humbje edhe për shkak të shkatërrimit të 509 tankeve, mbi 1,500 pajisjeve luftarake dhe 252 sistemeve të artilerisë.
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë këto të dhëna.
Rusia, në anën tjetër, ka thënë më 2 mars se ka regjistruar 498 viktima, mirëpo nuk ka përditësuar më të dhënat.
Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar së fundmi që rreth 7,000 trupa ruse janë vrarë në konflikt.
Besohet se mijëra fëmijë janë dërguar nga Ukraina në Rusi
Ambasada amerikane në Kiev, ka thënë se, sipas Ministrisë së Jashtme ukrainase, forcat ruse kanë dërguar 2,389 fëmijë ukrainas nga rajonet Donjeck dhe Luhansk për në Rusi.
“Kjo nuk është ndihmë. Ky është kidnapim”, ka thënë Ambasada.
Para nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se njeh pavarësinë e rajoneve Donjeck dhe Luhansk, të cilat gjenden në lindje të Ukrainës.
Kryetari i Borispilit u bën thirrje banorëve të largohen nga qyteti
Kryetari i Borispilit, Volodymyr Borysenko, qytet afër Aeroportit Ndërkombëtar të Borispilit, u ka thënë banorëve që të evakuohen nga qyteti, teksa afrohen forcat ruse.
Borysenko ka thënë përmes një video-adresimi në Facebook se “nuk ka nevojë që të qëndroni në qytet pasi ka luftime në zonat përreth”.
“U bëj thirrje civilëve që të jenë të mençur, të thërrasin qendrat e thirrjeve dhe të largohen sa më shpejt”, ka thënë ai përmes një adresimi.
Më 22 mars, Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë se trupat ukrainase kanë larguar forcat ruse nga zona veriperëndimore e Kievit, pas një beteje të ashpër.
Trupat ruse duket se po tentojnë të rrethojnë Kievin, teksa ngadalë i afrohen qendrës së qytetit.
Aeroporti Ndërkombëtar Borispil, është më i madhi në Ukrainë dhe gjendet 29 kilometra në lindje të Kievit.