Gazetarja ukrainase lirohet pasi lavdëroi rusët
Forcat ruse kanë liruar gazetaren, Viktoriya Roshchyna, pasi i kanë “bërë presion” që përmes një videoje të lavdërojë ata për shpëtimin e jetës, raportoi agjencia ukrainase, Ukrayinska Pravda.
Mediat pro ruse dhe kanalet në Telegram kanë publikuar një video ku shihet gazetarja ukrainase Roshchyna duke thënë se trupat ruse ia kanë shpëtuar jetën dhe e kanë trajtuar mirë në kohën sa ka qenë nën arrestim.
Sipas Ukrayinska Pravda, gazetarja tani është nisur për në Zaporizhja, në juglindje të Ukrainës.
Që prej fillimit të pushtimit rus dhe para se të kapej nga forcat ruse, Roshchyna ka raportuar nga zonat në lindje dhe në jug të Ukrainës.
Sa refugjatë ukrainas kanë hyrë në Ballkanin Perëndimor?
Sipas të dhënave, mbi 3.5 milionë persona janë larguar nga Ukraina që prej fillimit të luftës.
Në infografikën e mëposhtme mund të mësoni se sa ukrainas janë strehuar në shtetet e Ballkanit Perëndimor:
Sulmet ruse ndaj zonave civile
Imazhet e fundit satelitore zbulojnë dëme të mëdha nga sulmet e ushtrisë ruse në zonat e banuara në dhe përreth disa qyteteve të Ukrainës: Çernihiv, Mariupol dhe Kiev.
Britania thotë se i ka ofruar Ukrainës mbi 4,000 sisteme kundërtanke
Mbretëria e Bashkuar i ka furnizuar forcat ukrainase me mbi 4,000 sisteme kundërtanke për t’i ndihmuar “në rezistencën e tyre kundër agresionit rus”, tha Ministria e Mbrojtjes.
Përmes rrjetit social Twitter, kjo ministri tha se pajisjet e dërguara ishin të tipit NLAW.
Ministria e Mbrojtjes po ashtu ka folur për atë që e ka përshkruar si “propagandë ruse”, që duket se i referohet imazheve të publikuara nga disa rusë që e kanë pyetur Sekretarin britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace, lidhur me pretendimet e programit të armëve bërthamore për Ukrainën, dhe duke sugjeruar se Mbretëria e Bashkuar nuk kishte furnizime të mjaftueshme me sisteme kundërajrore.
Por, Ministria e Mbrojtjes tha se “ka mjaftueshëm sisteme të armëve për të mbrojtur edhe sigurinë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar dhe për të mbajtur zotimet ndaj NATO-s”.