Erdogan bisedon me telefon me Putinin
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka biseduar me telefon me presidentin rus, Vladimir Putin, të dielën më 6 mars.
Të dy presidentët biseduan për luftën në Ukrainë që ka filluar më 24 shkurt.
Tentim për evakuim në Mariupol derisa luftimet vazhdojnë
Këshilli i qytetit të Mariupolit në Ukrainë, ka njoftuar se një evakuim i rreth 400,000 banorëve të bllokuar nga rrethimi i forcave ruse, do të bëhet të dielën më 6 mars, në bazë të një armëpushimi të përkohshëm që do të zgjasë deri në orën 21:00 sipas kohës lokale.
Një plan i ngjashëm dështoi të shtunën më 5 mars, pasi armëpushimi nuk u respektua plotësisht.
Ndërkohë, luftimet vazhduan në shumë zona të tjera më 6 mars, teksa pushtimi rus i Ukrainës hyri në ditët e tij të 11-të, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrime dhe duke detyruar më shumë se 1.5 milion njerëz të largohen nga vendi i tyre.
Për më shumë mund të lexoni këtu.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës: Situata po bëhet më e rëndë
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Olha Stefanishnya, tha se situata po bëhet më e rëndë si pasojë e agresionit rus.
Ajo tha për BBC-në se një tjetër valë e “planit terrorist” të Rusisë ka nisur.
Stefanishnya tha se situata po bëhet më e rëndë dhe se spitalet dhe kopshtet e fëmijëve janë granatuar në disa qytetet të Ukrainës.
“Ushtria ukrainase është më e fortë se kurrë më parë”, tha ajo, duke se shtuar se pavarësisht vendosmërisë së Ukrainës për t’i rezistuar pushtimit, kjo nuk po e pengon presidentin rus, Vladimir Putin, që të vazhdojë sulmet.
Zelensky: Rusia po bëhet gati të bombardojë Odesën
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se forcat ruse po përgatiten të bombardojnë qytetin port të Ukrainës, Odesa.
"Ky do të jetë një krim ushtarak. Ky do të jetë një krim historik", tha ai.
Forcat ruse kanë bërë përparim në Ukrainën jugore që nga fillimi i pushtimit të tyre më 24 shkurt, duke pushtuar qytetin Herson dhe duke rrethuar portin e Mariupolit, por Odesa deri më tani është kursyer kryesisht.