Ndërlidhjet

Tentimi për evakuim në Mariupol derisa luftimet vazhdojnë


Refugjatët ukrainas duke ikur për në Poloni, më 5 mars 2022.

Këshilli i qytetit të Mariupolit në Ukrainë, ka njoftuar se një evakuim i rreth 400,000 banorëve të bllokuar nga rrethimi i forcave ruse, do të bëhet të dielën më 6 mars, në bazë të një armëpushimi të përkohshëm që do të zgjasë deri në orën 21:00 sipas kohës lokale.

Një plan i ngjashëm dështoi të shtunën më 5 mars, pasi armëpushimi nuk u respektua plotësisht.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Ndërkohë, luftimet vazhduan në shumë zona të tjera më 6 mars, teksa pushtimi rus i Ukrainës hyri në ditët e tij të 11-të, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrime dhe duke detyruar më shumë se 1.5 milion njerëz të largohen nga vendi i tyre.

Moska gjithashtu ka intensifikuar sulmet e saj ndaj mediave.

Një mori transmetuesish ndërkombëtarë, duke përfshirë BBC, CNN, Radio Evropa e Lirë, ARD dhe ZDF të Gjermanisë pezulluan raportimin nga Rusia, pasi Moska miratoi një ligj që dënon me burgim deri në 15 vjet, publikimin e atyre që ajo e quan “lajme të rreme” për pushtimin e saj në Ukrainë.

Ushtria e Ukrainës tha më 6 mars, se ka zhvilluar “beteja të ashpra” me forcat ruse në skajin e qytetit jugor të Mykolaivit, i cili kontrollon rrugën për në qytetin kyç të Detit të Zi, Odessa.

Zyrtarët ukrainas thanë se forcat ruse kryen qindra sulme me raketa dhe artileri në të gjithë vendin, duke përfshirë hedhjen e bombave të fuqishme në zonat e banuara në veri të Kievit, dhe u raportuan dhjetëra civilë të vrarë.

Qytetarët u përpoqën të largoheshin nga qytetet Buça dhe Irpin, derisa po goditeshin nga sulmet ajrore.

Inteligjenca ushtarake britanike krahasoi taktikat e Rusisë në Ukrainë me ato të përdorura nga Rusia në Çeçeni dhe Siri, ku qytetet u bombarduan dhe u dëmtuan rëndë, pasi forcat ruse u përballën me rezistencë të papritur nga mbrojtësit e tyre.

Rusia mohon të ketë shënjestruar zonat civile.

Lufta në Ukrainë pritej të ishte në rendin e ditës në takimin e 6 marsit mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Berlin.

Më herët, Scholz foli me kryeministrin izraelit Naftali Bennett, i cili fluturoi për në Moskë më 5 mars, ku u takua me liderin rus Vladimir Putin për tre orë.

Zyra e Bennett tha se udhëtimi u bë “në koordinim dhe me bekimin” e Uashingtonit.

Bennett foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky pas takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin.

“Ne vazhdojmë dialogun”, shkroi Zelensky në Twitter pas telefonatës.

Presidenti turk Tajip Erdogan ka biseduar me telefon me Putinin më 6 mars. Turqia, një anëtare e NATO-s, ndan kufirin detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi.

XS
SM
MD
LG