Gazetarët ikin nga granatimet në Irpin
Pasi dëgjuan zhurma të shumta të granatimeve, gazetarët e mediumeve ndërkombëtare që ishin në qytetin Irpin, që gjendet në afërsi të Kievit, vrapuan për t’u larguar teksa bombardimet e forcave ruse vazhdonin. Bashkë me gazetarët, u larguan edhe disa qytetarë.
Lufta në Ukrainë ka hyrë në ditën e 11-të. Më poshtë, mund të lexoni disa prej zhvillimeve kryesore të ditës së sotme:
- Mëngjesin e së dielës u raportua për sulme të tjera në uzinën bërthamore të Zaporizhja, që është centrali më i madh në Evropë.
- Sipas Zërit të Amerikës, rreth 3 mijë amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së Ukrainës për vullnetarë të huaj për të luftuar kundër Rusisë.
- Pas BBC-së dhe mediumeve tjera ndërkombëtare, edhe Radio Evropa e Lirë njoftoi se ka pezulluar punën në Rusi, si pasojë e sulmeve të regjimit të Vladimir Putinit.
- Po ashtu edhe gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard njoftuan se kanë pezulluar punën në Rusi, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
- Ushtria ukrainase njoftoi e mbi 11 mijë rusë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.
- Organizata Botërorë e Shëndetësisë tha se qendrat shëndetësore në Ukrainë janë sulmuar.
- Këshilli i qytetit në Mariupol, njoftoi të dielën se do të provojnë sërish të evakuojnë qytetarët, në bazë të një armëpushimi të ri.
- Njëjtë sikurse të shtunën, edhe të dielën dështoi evakuimi pasi sulmet ruse nuk u ndalën.
- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka kërkuar homologut të tij rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim në Ukrainë, por Putin tha se sulmi do të përfundojë kur të plotësohen kërkesat e Moskës.
Raportohet për civilë të vrarë në afërsi të Kievit
Mediat ndërkombëtare po raportojnë se ka viktima në mesin e civilëve në Irpin, në veriperëndim të Kievit, të cilët po iknin nga bombardimet ruse.
Të paktën tre persona raportohet se janë vrarë nga granatimet ruse, që kanë goditur një urë të dëmtuar, të cilët civilët e kanë përdorur për të ikur.
The New York Times raporton se tre anëtarë të së njëjtës familje janë vrarë. Kjo gazetë po ashtu tha se një grup i vogël civilësh po vraponin në një rrugë dhe po ndihmoheshin nga ushtarët ukrainas që të arrinin në një pjesë të sigurt.
Izraeli i sheh si “obligim moral” përpjekjet për të ndalur luftën në Ukrainë
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, tha të dielën se shteti i tij e ka për “obligim moral” që të ndihmojë në ndalimin e luftimeve në Ukrainë edhe nëse shanset për sukses nuk “janë të mëdha”.
Këto komente ai i bëri një ditë pasi qëndroi në Moskë, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin.
Pas një takimi treorësh me Putinin, Bennett shkoi në Gjermani dhe u takua me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Pas kërkesës së Kievit për të ndihmuar në nisjen e një dialogu me Moskën, Bennett po ashtu në 24 orët e fundit ka zhvilluar tri bisedime telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Duke folur pas mbledhjes së Qeverisë izraelite, Bennett tha se ai nuk mund të tregonte detaje të këtyre bisedimeve, por tha se Izraeli do të vazhdojë përpjekjet diplomatike “sipas nevojës”.
“Edhe nëse shanset nuk janë të mëdha – sapo të ketë një hapje të vogël dhe ne të kemi qasje në të gjitha anët – unë këtë e shoh si obligimin tonë moral që të bëjmë çdo përpjekje”, tha ai.
Bennett deri më tani nuk e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, pasi ka argumentuar se Izraeli ka raporte të forta edhe me Ukrainën dhe me Rusinë.