Blinken: Po punojmë me Poloninë për ta furnizuar Kievin me avionë
Shtetet e Bashkuara në mënyrë aktive po shikojnë të arrijnë një marrëveshje me Poloninë për të furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë të prodhimit rus, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Pilotët ukrainas veçse dinë të përdorin këta avionë dhe Blinken tha se SHBA-ja mund të ofrojë avionë të tjerë për Poloninë si kompensim për dërgesat në Ukrainë.
“Ne po shikojmë në mënyrë aktive çështjen e avionëve që Polonia mund t’i ofrojë Ukrainës dhe jemi duke parë se sa mund t’i furnizojmë ne më pas ata, nëse Polonia vendos të dërgojë avionë” në Ukrainë, tha Blinken.
“Nuk mund të flas për afate, por mund të them se jemi duke punuar në këtë drejtim në mënyrë shumë, shumë aktive”, shtoi ai.
Lexues të nderuar, nëse tani jeni kyçur blogun tonë, më poshtë mund të lexoni të përmbledhura zhvillimet kryesore të ditës së 11-të të luftës në Ukrainë:
- Për të dytën ditë me radhë u pezulluan evakuimet nga dy qytete ukrainase për shkak të sulmeve ruse
- Të paktën tre civilë u vranë nga granatimet në Irpin, afër kryeqytetit ukrainas, Kiev
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sërish bëri thirrje për krijimin e një zone të ndalim-fluturimit mbi Ukrainën
- Shtetet e Bashkuara thanë se po punojnë që të arrijnë një marrëveshje me Poloninë që kjo e fundit t’i dërgojë Ukrainës avionë luftarakë të prodhimit rus
- Mijëra qytetarë rusë u arrestuan më 6 mars, teksa u mbajtën protesta në 53 qytete në mbarë Rusinë kundër luftës në Ukrainë
- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe ai francez, Emmanuel Macron zhvilluan biseda të ndara me presidentin rus, Vladimir Putin të cilit i kërkuan që të ndalë luftën në Ukrainë
Qindra refugjatë hebrenj arrijnë në Izrael nga Ukraina
Afër 300 refugjatë hebrenj kanë arritur në Izrael nga Ukraina. Ky ishte kontingjenti i parë i refugjatëve që arriti në Izrael, teksa ky shtet pret “një valë shumë, shumë të madhe” të migrantëve.
Ka pasur sugjerimi se mbi 200,000 ukrainas, që janë hebrenj ose kanë lidhje familjare me hebrenjtë, mund të strehohen në Izrael, si dhe mbi 600,000 rusë që i përkasin të njëjtës kategori.
“Izraeli është shtëpia ime e dytë, ndoshta tani do të bëhet shtëpia ime e parë”, tha Anna nga Kievi, e cila arriti në Tel Aviv për të qëndruar te të afërmit e saj.
Në aeroport, kryeministri izraelit, Naftali Bennett doli që të presë refugjatët ukrainas, në mesin e të cilëve ishin edhe afër 90 fëmijë nga një jetimore hebreje në Zhytomir.
TikTok pezullon postimet e videove në Rusi
Aplikacioni i videove, TikTok tha se ka pezulluar postimet e videove të reja dhe transmetimin e drejtpërdrejtë në Rusi, në mënyrë që të mbajë të sigurt punonjësit dhe përdoruesit e saj dhe të respektojë rregullat e reja ruse për “lajmet e rreme”.
“Në dritë të ligjit të ri të Rusisë për ‘lajmet e rreme’, ne nuk kemi zgjidhje tjetër përpos që të pezullojmë transmetimet e drejtpërdrejta dhe përmbajtjen e re në shërbimin tonë të videove, teksa ne rishikojmë implikimet e sigurisë të këtij ligji të ri”, tha kompania më 6 mars.
TikTok tha se shërbimi i mesazheve, që është një veçori e aplikacionit, nuk do të preket nga ky vendim.
Aplikacioni mjaft popullor TikTok është në pronësi të kompanisë kineze të teknologjisë, ByteDance.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka nënshkruar dekretin për ligjin e ri që dënon deri në 15 vjet burgim të gjithë personat që shpërndajnë “lajmet të rreme” lidhur me aktivitetet e forcave të armatosura ruse. Rusia e quan “operacion të posaçëm ushtarak” pushtimin e Ukrainës.
Edhe transmetues të tjerë të rëndësishëm, përfshirë Radion Evropa e Lirë, BBC-në, CNN-në, ZDF e të tjera, kanë pezulluar raportimin nga Rusia për shkak të këtij ligji.