Kryetari i Irpinit: Tetë civilë të vrarë nga granatimet
Tetë civilë janë vrarë gjatë evakuimeve nga Irpini, një qark në perëndim të Kievit, që u godit nga granatime të rënda ruse të dielën.
Kështu bëri të ditur kryetari i Irpinit, Oleksandr Markushyn, përmes një deklarate të postuar në Telegram, raporton CNN.
Ai tha se rusët hapën zjarr teksa qytetarët po kalonin një urë.
“Një familje vdiq”, tha ai. “Para syve të mi dy fëmijë të vegjël vdiqën dhe dy të rritur”.
Në videot e publikuara nga vendi i ngjarjes duken civilët duke lëvizur përmes një postblloku para se të ndodhte një shpërthim, që duket se u shkaktua nga një granatë ose mortajë.
“Irpini është në luftë, Irpini nuk është dorëzuar”, tha Markushyn. “Pjesë të Irpinit është e vërtetë se janë nën kontrollin e pushtuesve rusë, por një pjesë e Irpinit po lufton dhe nuk po dorëzohet”.
Markushyn tha se një evakuim tjetër i civilëve do të nisë mëngjesin e së hënës.
*Në videon e mëposhtme mund të shikoni granatimet në Irpin
Macron bisedon me Zelenskyn
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka biseduar me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ta njoftuar atë lidhur me bisedën telefonike që ka zhvilluar më herët gjatë të dielës me presidentin rus, Vladimir Putin, njoftoi Pallati Elize.
“Presidenti Macron bisedoi me presidentin Zelensky lidhur me bisedën që pati sot me Putinin, gjatë së cilës, ky i fundit dha pajtimin e tij se duhet të ndërmerren përpjekje të përbashkëta në bazë të rekomandimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore për të garantuar siguri të centraleve bërthamore në Ukrainë”, u tha në deklaratën e Presidencës franceze.
Gjatë bisedës me Putinin, Macron kishte shprehur shqetësimin e tij lidhur me sigurinë e centraleve bërthamore, pasi trupat ruse sulmuan centralin në Zaporizhja dhe e morën atë nën kontroll më herët gjatë kësaj jave.
Në bisedën me Zelenskyn, Macron po ashtu ka thënë se është e nevojshme që të shmanget çdo sulm ndaj centraleve bërthamore të Ukrainës. Ai po ashtu ka premtuar se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën sa i përket situatës humanitare, teksa Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi 1.5 milion ukrainas janë larguar nga shteti që prej se ka nisur pushtimi rus më 24 shkurt.
Edhe Netflix dhe PwC largohen nga Rusia
Platforma Netflix dhe kompania e shërbimeve profesionale, PricewaterhouseCoopers (PwC), i janë shtuar listës së kompanive të mëdha ndërkombëtare që po pezullojnë operacionet e tyre në Rusi.
“Duke marrë parasysh rrethanat në terren, ne kemi vendosur që të pezullojmë shërbimin tonë në Rusi", tha një zëdhënës i Netflixit.
Kjo kompani amerikane veçse kishte njoftuar se do të pezullonte projektet e reja në Rusi.
Ndërkaq, PwC po ashtu njoftoi se do të largojë kompanitë ruse nga rrjeti i tij.
“Ne kemi vendosur që, bazuar në rrethanat, PwC nuk duhet të ketë anëtar kompani ruse dhe PwC Russia do të largohet nga rrjeti”, u tha në deklaratën e kësaj kompanie.
PwC po ashtu tha se do të mbështesë përpjekjet humanitare në Ukrainë.
Lexues të nderuar, këtu po e mbyllim mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Ukrainë. Do të rikthehemi nga ora 07:00.
Ndërkaq, më poshtë mund të lexoni të përmbledhura ngjarjet kryesore të ditës së 11-të të luftës në Ukrainë:
- Për shkak të granatimeve të vazhdueshme ruse janë pezulluar evakuimet e civilëve nga dy qytete ukrainase
- Në Irpin, në afërsi të Kievit, autoritetet ukrainase thanë se janë vrarë tetë civilë, të cilët po tentonin të largoheshin
- Në Rusi, mbi 4,000 qytetarë u arrestuan në protestat kundër luftës në Ukrainë
- SHBA-ja tha se po punon që të arrijë një marrëveshje me Poloninë, që kjo e fundit ta furnizojë Ukrainën me avionë të prodhimit rus
- Presidentët e Turqisë dhe Francës kërkuan nga presidenti rus, Vladimir Putin, që të ndalë luftimet në Ukrainë. Presidenti francez, Emmanuel Macron, po ashtu kërkoi që Rusia të ndalë sulmet ndaj centraleve bërthamore në Ukrainë
- Kombet e Bashkuara thanë se mbi 1.5 milion ukrainas janë larguar nga shteti qëkur pushtimi rus nisi më 24 shkurt