Ministri i Jashtëm rus do të takojë homologun ukrainas
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, pritet të takohet të enjten në Antalia të Turqisë me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Pritet të jetë ky takimi i parë midis diplomatëve të lartë qëkur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në një deklaratë të shkurtër për mediat.
Agjencitë ruse të lajmeve e konfirmuan po ashtu planin.
Turqia, anëtare e NATO-s, e cila ndan kufi detar me Rusinë dhe Ukrainën në Detin e Zi, është ofruar si nikoqire e bisedimeve.
Ankaraja ka marrëdhënie të mira si me Moskën, ashtu edhe me Kievin.
Ajo e ka cilësuar si të papranueshëm pushtimin rus të Ukrainës, ndonëse i ka kundërshtuar sanksionet kundër Rusisë.
Kuleba ka thënë të shtunën se është i hapur për bisedime me Lavrovin, por vetëm nëse ato janë “domethënëse”.
Tre vende të Ballkanit në listën e “shteteve jomiqësore” të Rusisë
Qeveria e Federatës Ruse miratoi të hënën një listë të shteteve dhe territoreve të huaja, që, siç tha, kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, lista përfshin: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut - që të tria vende anëtare të NATO-s.
“Vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë, pas fillimit të një operacioni special ushtarak të forcave të armatosura ruse në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë ruse, të cilën e transmeton agjencia ruse e lajmeve TASS.
Sipas këtij dekreti, raporton TASS, “qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij, që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do t'i paguajnë ato në rubla [valutën ruse]”.
Lista, mes të tjerave, përfshin edhe Shtetet e Bashkuara, shtetet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Zvicrën, Islandën etj.
Për më shumë, lexoni këtu.
Pamje nga droni: Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë ka siguruar pamje të xhiruara nga droni, të cilat shfaqin ato që besohet të jenë raketa ruse të tipit “Grad”, duke u hedhur në rajonin e Kievit, më 5 mars.
UNHCR: Mbi 1.7 milion njerëz të zhvendosur nga Ukraina
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) tha se numri i njerëzve që kanë ikur nga lufta në Ukrainë, ka kaluar mbi 1.7 milion.
Një ditë më herët kjo shifër ka qenë 1.5 milion.
Sipas UNHCR-së, gati tri të pestat e totalit - afro 1.03 milion - kanë arritiur në Poloni.
Mbi 180,000 kanë shkuar në Hungari dhe 128,000 në Sllovaki.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi të hënën se rreth pesë milionë ukrainas pritet të ikin nga vendi i tyre, nëse bombardimet e ushtrisë ruse vazhdojnë.
“Ne duhet t’i mobilizojmë të gjitha burimet e BE-së për t’i ndihmuar ato vende që marrin refugjatë”, u tha Borrell gazetarëve në Bruksel.