Ndërlidhjet

Tri vende të Ballkanit në listën e “shteteve jomiqësore” të Rusisë


Presidenti rus, Vladimir Putin.

Qeveria e Federatës Ruse miratoi të hënën një listë të shteteve dhe territoreve të huaja, që, siç tha, kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, lista përfshin: Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut - që të tria vende anëtare të NATO-s.

“Vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë, pas fillimit të një operacioni special ushtarak të forcave të armatosura ruse në Ukrainë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë ruse, të cilën e transmeton agjencia ruse e lajmeve TASS.

Sipas këtij dekreti, raporton TASS, “qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij, që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore, do t'i paguajnë ato në rubla [valutën ruse]”.

Lista, mes të tjerave, përfshin edhe Shtetet e Bashkuara, shtetet e Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Ukrainën, Zvicrën, Islandën etj.

Osmani: Mesazhet ruse, të pahijshme dhe kërcënim klasik

Maqedonia e Veriut do të koordinohet me shtetet anëtare të BE-së e NATO-n, lidhur me hapat e mëtejmë, pas vendimit të Qeverisë së Federatës ruse.

“Sigurisht, nëse kemi të dhëna për shkelje të Konventës së Vjenës, për rregullat e sjelljes, do të veprojmë në mënyrë dypalëshe, por për sa i përket mesazheve politike që do t'i dërgonim Federatës Ruse, do t'i marrim të gjitha ato vendime, së bashku në koordinim me BE-në”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Ministri Osmani e ka quajtur “të pahijshme” dhe “kërcënim klasik” një njoftim të Ambasadës ruse në Shkup se “me vëmendje të madhe po ndjek nivelin e paprecedent të rusofobisë në një numër vendesh të huaja në dritën e operacionit ushtarak special në Ukrainë”.

Ambasada ruse ka paralajmëruar “se të gjitha incidentet e tilla janë regjistruar me kujdes, do të monitorohen nga afër dhe do të raportohen tek autoritetet kompetente ligjore, që fajtorët të shpallen përgjegjës sipas ligjeve në fuqi”.

“Është një deklaratë e pahijshme. Paraqet kërcënim klasik, që nuk ka të bëjë vetëm me vendin tonë, por është shpallur në gjithë botën, para së gjithash në Evropë. Ne e interpretojmë si të tillë, si kërcënim serioz që është jashtë komunikimit normal diplomatik mes dy vendeve. Ne do të koordinohemi në Ministrinë e Jashtme dhe do të dalim me qëndrimin tonë”, ka deklaruar Osmani.

Ai ka thënë se qëndrimi i Maqedonisë së Veriut lidhur me agresionin rus është shprehur qartë.

“Ne e dënojmë agresionin, mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe do t'u bashkohemi të gjitha vendimeve të BE-së në dënimin e agresionit, si dhe në definimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Federatën Ruse”, ka shtuar Osmani.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Urdhrin e ka dhënë presidenti rus, Vladimir Putin, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.

Ndonëse Putin e ka cilësuar pushtimin si "operacion special", Perëndimi e ka dënuar ashpër atë dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

Sanksioneve u janë bashkuar edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Masat ndëshkuese përfshijnë largimin e disa bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërbankare, SWIFT, si dhe mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë.

Sanksionet kanë bërë që rubla ruse të zhvlerësohet në nivele rekorde.

Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.

XS
SM
MD
LG