Zyrtari ukrainas: 17 të plagosur në Mariupol
Zyrtarët ukrainas thanë se 17 persona janë plagosur në sulmin ajror rus në spitalin e fëmijëve dhe maternitetit në Mariupol, në jug të Ukrainës.
Shefi i administratës ushtarake ukrainase në rajonin lindor të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, tha se numri i fëmijëve të plagosur “është zero, falë Zotit dhe shpresojë që ky numër të mos ndryshojë”.
Blinken: Rusia të lejojë ukrainasit të evakuohen
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se është “absurd” insistimi i Rusisë që ukrainasit të evakuohen përmes korridoreve humanitare që çojnë në Rusi.
“Është ofenduese të sugjerosh që populli ukrainas duhet të kërkojë strehim nga e njëjta Qeveri që ka demonstruar kaq shumë mospërfillje për jetën e tyre”, tha Blinken për gazetarët, pas një takimi me sekretaren britanike të Jashtme, Liz Truss në Uashington.
Ai i bëri thirrje Rusisë që të lejojë ukrainasit të largohen nga qytetet që po “bombardohen vazhdimisht” nga trupat ruse.
“Rusia e ka pushtuar Ukrainën pa justifikim”, tha ai, duke shtuar se duhet të respektohen korridoret humanitare, në mënyrë që banorët e qyteteve të rrethuara ukrainase të mund të evakuohen.
Zyrtarët ukrainas: Mbi 1,100 civilë të vrarë në Mariupol që prej nisjes së pushtimit
Në qytetin ukrainas, Mariupol, 1,170 civilë janë vrarë që prej se ka nisur pushtimi rus më 24 shkurt, ka thënë zëvendëskryetari i këtij qyteti.
Po ashtu ka pasur raportime se autoritetet në këtë qytet në jug të Ukrainës, që është cak i sulmeve ajrore ruse për ditë me radhë, kanë hapur varr masiv, pasi morgjet janë të mbingarkuara.
“Fatkeqësisht, ka shumë trupa”, ka thënë për Financial Times zyrtari lokal, Vitaly Falkovsky. “Ka qenë një masë e nevojshme sepse nuk mund t’i varrosim njerëzit normalisht. Morgjet janë të stërmbushura”, ka thënë ai.
Associated Press ka raportuar se mbi 60 persona janë varrosur në varrin masiv në dy ditët e fundit. Në këtë numër përfshihen civilët dhe ushtarët e vrarë nga granatimet, por edhe banorët që kanë vdekur nga sëmundje të ndryshme.
A mund të ndihmojë Kina për ta sjellë Rusinë në tryezën e negociatave?
Zyrtarët perëndimorë janë duke i bërë thirrje Kinës që të përdorë ndikimin e saj dhe t’i bëjë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka deklaruar më 5 mars se ka marrë garanci se “Kina është e interesuar ta ndalojë këtë luftë”.
Teksin e plotë mund ta lexoni KËTU