Ndërlidhjet

Ndihma ndërkombëtare, e pashmangshme në kontestin maqedono-bullgar


Drejtuesit e institucioneve në Shkup kanë kërkuar mbështetjen e vendeve evropiane për heqjen e vetos bullgare ndaj kornizës negociuese.
Drejtuesit e institucioneve në Shkup kanë kërkuar mbështetjen e vendeve evropiane për heqjen e vetos bullgare ndaj kornizës negociuese.

Bashkimi Evropian mund të përfshihet në rolin e ndërmjetësuesit në zgjidhjen e kontestit ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriu. Këtë mundësi nuk e ka përjashtuar euro-deputeti bullgar, Andrej Kovaçev, në një intervistë për televizionin bullgar, TV Evropa.

“Ne me Shkupin kemi nënshkruar një marrëveshje që dallon shumë nga Marrëveshja e Prespës që ata nënshkruan me Greqinë. Marrëveshja jonë ishte vëllazërore, ajo duhet të përmbushet... Ne ishim të parët që e pranuam si shtet, gjithmonë i kemi ndihmuar. Qëndrimi i bullgarëve ishte i ndryshëm nga ai që grekët kishin ndaj Maqedonisë (së Veriut). Ne si vend u sollëm me shumë dashuri, por kjo na u kthye me arrogancë. Ne jemi të gatshëm të pranojmë çdo ndihmë që mund të jepet për kapërcimin e dallimeve. Ne nuk duam asnjë më shumë se sa të vërtetën”, ka deklaruar Kovaçev.

Zyrtarët e tjerë bullgarë ndërkohë nuk kanë përmendur si mundësi një ndërmjetësim të jashtëm mes dy vendeve, por kanë theksuar gatishmërinë e vazhdimit të bisedimeve edhe pse fjalori i tyre i ditëve të fundit ka betonuar pozicionet e dy vendeve si asnjëherë më parë pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Krasimir Karakaçanov se “maqedonasit para vitit 1944 kanë qenë bullgarë”.

Ndërkohë, drejtuesit e institucioneve në Shkup mbeten në qëndrimin se “negociata për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin nuk mund të ketë”. Ata kanë kërkuar mbështetjen e vendeve evropiane për heqjen e vetos bullgare ndaj kornizës negociuese, pa përmendur fjalën ndërmjetësim ndërkombëtar.

“Nuk ka dilemë se ne jemi të përgatitur për t’i nisur negociatat, sikur që nuk ka dilemë se çdo anulim i kësaj nisme paraqet gabim”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas vizitave që realizoi në disa vende të Bashkimit Evropian, si në Hungari, Rumani, Austri, e Çeki.

Gjorgji Filipov, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në Austri, thotë se çdo ndihmë nga jashtë mund të jetë e mirëseardhur, por, sipas tij, në rastin me Bullgarinë nuk mund të ketë bisedime për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin.

“Ndihma nga jashtë mund të jetë e mirëseardhur, mund të jetë në formë të arbitrazhit. Por, bisedimet nuk duhet të ndërpriten në pritje të ndonjë ndërmjetësimi. Nëse dy vendet e vërejnë se nuk mund të arrijnë zgjidhje, atëherë mund të kërkojnë ndihmë, por kjo duhet të jetë vetëm për çështjen e zbatimit të marrëveshjes ndërmjet dy vendeve. Problemi është politik, andaj edhe çështja e identitetit në asnjë mënyrë nuk guxon të jetë objekt i bisedimeve apo i ndonjë ndërmjetësimi nga jashtë”, thotë ish- diplomati Filipov.

Ai pret rol më aktiv edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në veçanti pas ndryshimeve në Shtëpinë e Bardhë, në janar.

Ndërkohë, Muhamed Halili, ish-ambasador në Kroaci, thotë se kontesti ndërmjet Shkupit dhe Sofjes është dypalësh dhe jo ndërkombëtar, andaj edhe nuk pret që të ketë ndërmjetësim nga jashtë. Ky kontest, sipas tij, dallon nga ai me Greqinë që u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara.

“Problemi me Greqinë lindi në Kombet e Bashkuara dhe ato caktuan ndërmjetësim ndërkombëtar, sepse Greqia e kontestonte ekzistencën e shtetit të pavarur maqedonas. Bullgaria e pranon shtetin e Maqedonisë së Veriut. Nuk ka këtu kontest ndërkombëtar, pasi kontesti këtu ka të bëjë me origjinën gjuhësore dhe vlerat kulturore, prandaj nuk mund të kemi arbitrazh ndërkombëtar, diçka e tillë është e pamundur”, thotë Halili.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG