Ndërlidhjet

Pandemia bllokon shërbimet specialistike


Një grua me maskë në Shkup kalon pranë një qendre për trajtimin e pacientëve me koronavirus.
Një grua me maskë në Shkup kalon pranë një qendre për trajtimin e pacientëve me koronavirus.

Damjan Nikollovski, 63 vjeç, thotë se vuan nga sëmundja e prostatës dhe çdo gjashtë muaj ai duhet të bëjë analiza në Klinikën e Urologjisë për terapinë. Por, së fundmi, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, pasi për shkak të pandemisë së koronavirusit nuk po arrin që me kohë t’i bëjë analizat e nevojshme.

“Kryesisht mjekët specialistë i kanë mbyllur të gjitha terminët. Po ja dalim disi, por me vështirësi. Fatmirësisht kam arritur të kem kontakt të drejtpërdrejt me mjekun dhe konsultohem me të përmes telefonit. Por, kjo më ka ndihmuar pjesërisht, pasi kontrollet e specializuara treguan se gjendja më është përkeqësuar”, thotë Nikollovski për Radion Evropa e Lirë.

Probleme për caktimin e terminit për nënën e tij, që duhet t’i nënshtrohet një operimi të syve, ka pasur edhe Blerimi. Ai thotë se një operim i konsideruar si i lehtë, për shkak të pritjeve të gjata për caktim termini, ka rrezikuar që nëna e tij të humbë shikimin.

“Kemi pasur probleme gjatë kurimit të nënës, pasi klinika për sëmundjet e syve për një kohë të gjatë u bë qendër e COVID-it. Pastaj, për kohë të gjatë nuk kemi mundur të caktojmë termin për kryerjen e operacionit, që konsiderohet i lehtë, pasi bëhet fjalë për heqjen e perdes në sy. Por, për shkak se kishte të infektuar në mesin e stafit të spitalit, operacioni u prolongua për disa muaj. Kjo edhe më shumë e komplikoi situatën, pasi një operim që llogaritet i lehtë, për shkak të vonesave mund të çonte në humbjen e plotë të shikimit”, thotë ai.

Mjekët amë thonë se në dy vjetët e fundit, që prej shpërthimit të pandemisë, po përballen me vështirësi në trajtimin e pacientëve të tyre, pasi pjesa më e madhe e specialistëve ishin dërguar në qendrat për trajtimin e koronavirusit dhe kjo ka bërë që shërbimet e mjekësisë sekondare të reduktohen.

“Pacientëve me sëmundje kardiovaskulare nuk arrinim t’ua caktonim terminët te kardiologu. Që gjashtë muaj nuk po arrijmë të gjejmë terminë të lirë në klinikë te mjeku specialist i urologjisë”, thotë Lilija Çollakova-Dervishova nga Shoqata e Mjekëve Amë.

Specialistët thonë se pas pandemisë vendi mund të përballet me një periudhë të shfaqjes së sëmundjeve malinje.

Para pandemisë, më 2019 në Maqedoninë e Veriut me kancer ishin diagnostikuar 7,463 pacientë të rinj, kurse më 2020, kur shpërtheu pandemia, ky numër ra në 6,638.

“Problemi është se pas mbylljes, këta pacientë do të paraqiten në fazën e avancimit të sëmundjes. Sinqerisht mendoj se pjesa më e madhe e pacientëve që humbën jetën nga COVID-19, ishin për shkak të mosdiagnostikimit të sëmundjeve kardiovaksulae, limfomave, diabetit, pasi ata thjeshtë nuk shkuan te mjeku”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Irina Panovska-Stavridis drejtoreshë e Klinikës së Hematologjisë në Shkup.

Edhe infektologët thonë se mostrajtimi me kohë dhe adekuat i sëmundjeve shoqëruese ka bërë që të jetë fatal për pacientët me sëmundje kronike, të cilët janë infektuar me koronavirus.

Fadil Cana nga Klinika Infektive thotë transferimi i një pjese të klinikave në qendra të koronavirusit, është kuptuar si mbyllje e këtyre klinikave për pacientët me sëmundje të tjera.

“Tërë kohën është keqinterpretuar shndërrimi i atyre klinikave në qendra për COVID. Askund në botë nuk ekziston ajo mundësi që sistemi shëndetësor të mos ketë opsione për trajtimin e pacientëve që nuk janë me koronavirus, por që kanë nevojë të kurohen nga sëmundjet e tjera. Problemi ka qenë se vetëm në Maqedoninë e Veriut, me definimin e këtyre klinikave në COVID-qendra askush nuk ka punuar”, thotë Cana.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut në vazhdimësi kanë theksuar se menaxhimi i pandemisë bëhet në bazë të politikave që rekomandohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në përputhje me mundësitë që i ka sistemi shëndetësor maqedonas.

Por, me ndryshimet në kreun e dikasterit të shëndetësisë në fillim të këtij viti, janë paralajmëruar edhe ndryshime në menaxhimin e pandemisë, duke thënë se primare do të jetë vënia në funksion e të gjitha kapaciteteve spitalore në shërbim të pacientëve.

XS
SM
MD
LG