Ndërlidhjet

FFK: Kosova me Spanjën do të luajë futboll si shtet


Lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll, duke festuar një gol në ndeshjen Bullgari-Kosovë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020. Fotografi nga arkivi.

"Ndeshja Spanjë–Kosovë do të zhvillohet konform rregulloreve dhe protokollit të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshje zyrtare", citohen të ketë thënë zyrtarë të Federatës të Futbollit të Spanjës, gjatë një bisede me kreun e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, njoftoi kjo federatë të mërkurën.

Sipas njoftimit të FFK-së, zyrtarë të Federatës spanjolle kanë "shprehur keqardhje për lajmet e publikuara në mediat e atjeshme".

Federata e Futbollit e Kosovës i është drejtuar Federatës së Futbollit të Spanjës, Unionit të Federatave të Futbollit të Evropës (UEFA) dhe Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) për sqarime, pasi Përfaqësuesja spanjolle e Futbollit e cilësoi Kosovën si "territor".

Në llogarinë e saj në Twitter, Përfaqësuesja spanjolle ka shkruar më 9 mars se Spanja e fillon rrugëtimin e saj për kualifikime për Kampionatin Botëror me takimet “kundër Greqisë, Gjeorgjisë dhe territorit të Kosovës”.

Ndeshja Spanjë-Kosovë është paraparë të zhvillohet në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katar 2022”.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Federata e Futbollit të Kosovës e ka cilësuar këtë referim si "përpjekje të kotë dhe të padrejtë të spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës, në ndeshjen e 31 marsit”.

“Kemi kërkuar nga UEFA që të bëjë presion që të ketë një deklaratë zyrtare nga Federata e Spanjës. Pastaj, ne do të veprojmë në përputhje me mundësitë që i kemi”, tha më herët të mërkurën për Radion Evropa e Lirë, Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

UEFA: Çështja, nën juridiksion të FIFA-s

Presidenti i FFK-së Ademi ka biseduar edhe me zyrtarët e UEFA-s të cilët ia "konfirmuan se gjithçka është në rregull dhe se ndeshja do të zhvillohet ashtu siç është paraparë".

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga UEFA një koment lidhur me situatën e krijuar pas shkrimit të Përfaqësueses spanjolle të Futbollit në Twitter dhe reagimit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

UEFA, në një përgjigje përmes postës elektronike, ka thënë që “ndeshja për të cilën bëhet fjalë bie nën juridiksionin e FIFA-s dhe për këtë arsye rregullohet nga rregulloret e FIFA-s”.

Ndërsa, FIFA nuk i është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, deri në publikimin e këtij teksti.

Në maj të vitit 2019, UEFA ka marrë vendimin që i detyron vendet që nuk e njohin Kosovën, të luajnë kundër skuadrës së kombëtares dhe klubeve të saja, si nikoqir – qoftë në shtëpi apo në terren neutral – dhe si mysafir.

Sipas këtij rregulli, të gjitha skuadrat, nga vendet që nuk e njohin Kosovën, qoftë në nivel kombëtaresh apo klubesh, përveç Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës – të cilat përbëjnë përjashtim për arsye sigurie – obligohen të luajnë kundër Kosovës apo klubeve të saj.

Salihu: Nuk do të lejojmë cenimin e simboleve

Gazeta spanjolle Marca më 9 mars ka raportuar se pozicioni i shtetit spanjoll ndaj Kosovës është që gjatë ndeshjes, flamujt e të dy vendeve nuk mund të shfaqen pranë njëra-tjetrës në Sevilla, dhe se "muzika e cila luhet nuk do të përshkruhet si himni kombëtar i Kosovës".

Salihu thekson që Përfaqësuesja spanjolle në Futboll është e vetëdijshme që do të përballet me Kombëtaren e Futbollit të Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër. Kjo e fundit, sipas tij, nuk do të lejojë që të cenohen simbolet e saj edhe në rast se në ndeshjen e 31 marsit në Sevilla, eventualisht paraqiten probleme për intonimin e himnit të Kosovës dhe paraqitjes së simboleve të Federatës së Futbollit të Kosovës në veshjet e futbollistëve të saj.

“Në asnjë moment nuk lejojmë që shenjat tona, simbolet tona dhe të gjitha ato që i kemi arritur si pjesë e barabartë në UEFA dhe FIFA, të na cenohen. Nuk do të lejojmë. Probleme duhet të ketë ai që nuk i ka respektuar rregullat, së pari e pastaj ne. Çfarëdo pasoja që të ketë edhe për ne, nuk besoj që ka dikush guximin që t’i përdhosë simbolet shtetërore. Ata (spanjollët) edhe ashtu kanë për të ardhur në Kosovës (në ndeshjen e kthimit). Kështu që janë absurde këto veprime që bëhen”, theksoi Salihu.

Lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll gjatë stërvitjeve në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë. Foto nga arkivi.
Lojtarët e Kombëtares së Kosovës në futboll gjatë stërvitjeve në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë. Foto nga arkivi.

Në kualifikimet preliminare për Botërorin “Katar 2022”, Kosova garon në Grupin B, pjesë e të cilit janë edhe Spanja, Greqia, Suedia dhe Gjeorgjia.

Më 28 mars, Kosova do të jetë nikoqire e Suedisë. Ndërkaq, më 31 mars Kosova ndeshet me Spanjën si mysafire, në Sevilla.

Më 3 maj, 2016, Kosova është bërë anëtare me të drejta të plota në Unionin e Federatave të Futbollit të Evropës (UEFA). Dhjetë ditë më vonë, më 13 maj Kosova u anëtarësua, po ashtu me të drejta të plota, në Federatën Botërore të Futbollit (FIFA).

Në vitin 2017, Ministria e Sportit e Spanjës, pati refuzuar fillimisht t’u japë viza anëtarëve të ekipit olimpik të Kosovës, për të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare, të cilat u zhvilluan në Tarragona, në fund të qershorit të atij viti. Por, më pas Komiteti Olimpik spanjoll kishte dhënë vizat për delegacionin e Kosovës, gjë që edhe mundësoi pjesëmarrjen e olimpistëve kosovarë në Lojërat Mesdhetare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG