Ndërlidhjet

Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria në zi kombëtare


Pamje e vendit ku ka ndodhur aksidenti me autobus në Bullgari.

Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria kanë nisur të mërkurën në zi kombëtare, pas aksidentit me autobus, që ka lënë të vdekur 46 persona jashtë Sofjes.

Në mesin e viktimave ka pasur edhe fëmijë.

Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse ajo e Bullgarisë, e kanë shpallur 24 nëntorin ditë zie kombëtare.

Maqedonia e Veriut, ndërkaq, ka shpallur tri ditë zie.

Flamujt do të ulen në gjysmë-shtizë dhe do të anulohen të gjitha organizimet publike.

Shumica e viktimave të aksidentit kanë qenë shtetas të Maqedonisë së Veriut me etni shqiptare.

Tragjedia me autobus në Bullgari lë të vdekur 46 persona
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:17 0:00

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, i cili ka udhëtuar në Bullgari menjëherë pas lajmit për aksident, ka thënë se të dyja shtetet janë duke bashkëpunuar për të gjetur shkakun e aksidentit dhe për të identifikuar viktimat.

Shtatë persona të mbijetuar janë në spital të Sofjes, duke u trajtuar për djegie.

Ministri maqedonas i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka thënë se gjendja shëndetësore e të lënduarve është stabile.

“Dy të lënduar u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike, në këmbë dhe pjesë tjera të trupit, por edhe ata janë në gjendje të qëndrueshme”, ka deklaruar Filipçe.

Ende nuk dihet cili është shkaku i përplasjes së autobusit, i cili ka marrë flakë.

Mediat bullgare, kanë bërë të ditur se hetimet për aksidentin mund të zgjasin deri më gjashtë muaj.

Autobusi i aksidentuar, bashkë me tre autobusë tjerë kanë qenë duke udhëtuar nga Stambolli në Maqedoni të Veriut.

Vasko Pirgov, ekspert bullgar i motorëve, i cili është raportuar se ka qenë ndër të parët që ka shkuar në vendin e aksidentit, ka thënë se zjarri është përhapur në pjesën e përparme të autobusit ku edhe besohet të jenë mbajtur rezerva me karburante që mund të kenë nxitur zjarrin.

“Gjëja e parë që më ra në sy ishte se shoferi nuk frenoi. Nuk ka shanse ta ketë zënë gjumi, dhe për shkak se autobusi është i ri, ndonjë mosfunksionimi të mundshëm teknik i lë hapësirë vetëm 10 për qind. Mund të kenë dështuar frenat, por sinqerisht nuk besoj. Autobusi ka goditur me gomën e përparme djathtas në parmakët e autostradës dhe më pas ka shpërthyer zjarri. Në pjesën e gomës rezervë ka pasur tuba karburante. Në rrugë, ku ka ndodhur aksidenti, kam vërejtur rrjedhje të karburantit”, ka thënë Pirgov për nova.bg.

Në hetime janë përfshirë edhe autoritetet maqedonase, si nga prokuroria, Instituti i Mjekësisë Ligjore si dhe ekspertë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Maqedonisë së Veriut, Blagoj Boçvarski, ka deklaruar të martën në mbrëmje se autobusi nuk ka figuruar në sistemin e Ministrisë së Transportit dhe nuk ka pasur licencë për transport ndërkombëtar.

Sipas tij, institucionet kanë nisur procedurën për heqjen e licencës së kompanisë “Besa Trans” për transport me autobus.

Bullgaria, vend anëtar i BE-së me 6.9 milionë banorë, është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse në vjetët e fundit.

Ndër të fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kanë vdekur pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë.

Aksidentet zakonisht janë shkaktuar për shkak të kushteve në rrugë, makinave të vjetra dhe shpejtësisë.

Sipas të dhënave zyrtare, 628 persona kanë vdekur në aksidente rrugore më 2019 dhe 463 vitin e kaluar, në shtetin me 6.9 milionë banorë.

XS
SM
MD
LG