Ndërlidhjet

Partitë premtojnë një qeveri më të vogël


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave në Qeverinë aktuale të Kosovës ka bërë që një nga premtimet më të shpeshta të subjekteve politike në garë për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, të jetë edhe zvogëlimi i numrit të ministrive.

Qeveria në largim e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, është një prej qeverive më të mëdha në Evropë, pasi përbëhet nga gjithsej 21 ministra, pesë zëvendëskryeministra si dhe rreth 80 zëvendësministra.

Një qeveri kaq të madhe nuk e parasheh më asnjë prej subjekteve politike, përshirë edhe partitë që janë në koalicionin qeverisës.

Partia Demokratike e Kosovës është zotuar se numri maksimal i ministrive në Qeverinë e Kosovës duhet të jetë 14, eventualisht 15 ministri. Edhe koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate është zotuar se qeveria e ardhshme, nuk duhet të ketë më shumë se 15 ministri. Jo më shumë se 15 ministri i ka paraparë në programin e saj edhe koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.

Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar se do të insistojë që Qeveria e Kosovës të mos ketë më shumë se 12 ministri. Po ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në programin qeverisës, ka planifikuar që qeveria të përbëhet nga 12 ministri.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë që numri i ministrive do të duhej të rregullohej me Ligjin për qeverinë. Kurse në lidhje me premtimet e partive politike për zvogëlimin e numrit të ministrive, thonë se premtimet e tyre mund edhe të mos realizohen dhe të mbesin vetëm si fushatë zgjedhore.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, thotë për Radion Evropa se nëse partitë politike premtimin për zvogëlimin e numrit të ministrive e kanë me të vërtetë, këtë do të mund ta bënin sapo ta marrin besimin e qytetarëve për të udhëhequr me qeverinë në mandatin e ardhshëm.

“Duke marrë parasysh qeverinë e madhe aktuale, e cila kishte një numër të madh të ministrave dhe zëvendësministrave, po besoj që partitë politike do të reflektojnë në bazë të kësaj dhe do të ketë tendenca për të shkurtuar kabinetin e ardhshëm, kushdo që krijon qeverinë”.

“Por, njëkohësisht është edhe Projektligji për qeverinë. Mënyra më e mirë është që ai projektligj të kalojë sa më shpejt nga qeveria në legjislaturën e ardhshme në Kuvend dhe të shqyrtohet”, thotë Demhasaj.

Rregullimi i numrit të ministrive përmes ligjit, sipas Demhasajt, do të pamundësonte që koalicionet apo partitë politike të luanin më pas me numrin e ministrive sipas dëshirave të tyre.

Shoqëria civile në vazhdimësi kishte vlerësuar se vendi ka qeveri me më shumë ministri sesa që i nevojiten ekzekutivit të një vendi të vogël, siç është Kosovë. Ishte vlerësuar po ashtu se shtimi i pozitave qeveritare i kushtojnë buxhetit të shtetit deri në tre milionë euro në vit.

Analisti i çështjeve politike, Armend Muja, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se e vetmja mënyrë për të krijuar një qeveri më të vogël, është të ndodhë një transformim politik në Kosovë.

“Në mungesë të një transformimi politik në Kosovë, deklaratat e partive politike për zvogëlim të qeverisë janë të paqëndrueshme dhe të pabesueshme si rezultat. Arsyeja është se të gjitha partitë e kanë pasur rastin t’i dëshmojnë pikëpamjet e tyre ndaj madhësisë së qeverisë, por ajo ka dal të jetë komplet ndryshe, duke e shpërfytyruar komplet qeverinë si nga zgjerimi horizontal po ashtu edhe nga thellimi i tyre me zëvendësministra të panevojshëm”, thotë Muja.

Në vendet e Bashkimit Evropian, shton Muja, ekziston një ministër dhe një zëvendësministër dhe nuk ka më shumë se 14 ministri, por kjo nuk ndodh në Kosovë edhe përkundër asaj që është një vend i vogël.

“Në Kosovë është zgjeruar sa për t’i dhënë secilës parti politike një hise në pushtet kjo në vetvete e ka bërë të vështirë, i ka fragmentuar sektorët ekonomik dhe social deri në atë masë saqë nuk ka kurrfarë koherence në vendimmarrje qeveritare”, shton Muja.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 6 tetor. Nga procesi i votimit, pritet të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, nga e cila më pas, partia apo koalicioni fitues do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë së ardhshme të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG