Ndërlidhjet

Shpikja e pozitave shumëfishon nevojat për punësim në institucione


Shumë pozita zyrtare në administratën publike në Kosovë, konsiderohen të panevojshme nga përfaqësues të sindikatave dhe të shoqërisë civile.

Katalogu i vendeve të punës në shërbimin civil të Kosovës përfshinë pozita të cilat në fakt, vlerësohet se nuk do të duhej të ekzistonin. Një nga pozitat që kishte në të kaluarën në këtë katalog, ishte edhe ai për “zyrtar i lartë për fotokopje”.

Edhe në Kuvend, si organi më i lartë përfaqësues, vetëm në një Komision parlamentar janë të punësuar pesë persona në pozitat: si koordinator, zyrtarë i lartë i fushës, zyrtar i fushës dhe nëpunës administrativ.

Pozita të ngjashme ka gati në të gjitha institucionet publike në Kosovë.

Brukseli në vazhdimësi ka kërkuar reforma në administratën publike në Kosovë, si nevojë më prioritet për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke vazhduar reformat në administratën publike ashtu siç janë kërkuar nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, sipas tij, nuk flitet për zvogëlim të numrit të të punësuarve në administratën publike.

“Në këtë moment, administrata publike është duke e shikuar nga aspekti i racionalizimit të agjencive dhe funksionalizimin e institucioneve dhe në këtë aspekt zvogëlimi i vendeve të punës apo të punësuarve nuk vjen në konsiderim, por organizimi i institucioneve dhe raporti midis institucioneve duhet të rishikohet".

"Ne jemi duke shikuar edhe pjesën e racionalizimit të agjencioneve ku shumë agjencione që e kanë rolin ekzekutiv në kuadër të Kuvendit do të kalojnë në ekzekutiv”, thekson Yagcilar.

Numri i të punësuarve të cilën marrin paga nga buxheti i Kosovës, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar ka qenë, 81.466, kurse paga mesatare ka arritur në 493 euro nga 204 euro sa ka qenë në vitin 2008.

Interesi për të punësuar sa më shumë persona në administratën publike thuhet të kenë bërë institucionet që shumë herë të shpikin pozita të ndryshme.

Punësimi i personave në postet publike, me apo pa nevojë, sipas organizatave joqeveritare, ndërlidhet edhe me marrëveshjet politike që partitë i arrijnë gjatë kohës së formimit të koalicioneve qeverisëse.

Përfaqësues të shoqërisë civile në vazhdimësi kanë theksuar se administrata publike është e mbipopulluar me përkrahës të partive politike dhe kjo është arsyeja, që institucionet kompetente po e neglizhojnë reformën në administratën publike.

Në hulumtimet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi ishte theksuar se lidhjet familjare, ryshfeti dhe lidhjet partiake, janë faktorët më të rëndësishëm për të siguruar një vend pune në administratën publike në Kosovë.

Në anën tjetër, zbatimi i reformave në administratën publike të Kosovës, si një nga kërkesat kryesore të Bashkimit Evropian, nga përfaqësues të sindikatave thuhet se do të jetë një proces mjaft i vështirë.

Ndue Kalaj, kryetar i Sindikatës së Administratës Publike, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka vullnet politik që të bëhen reforma në administratën publike.

Ai shton se ka shumë të punësuar, kryesisht militantë partiak të cilët janë të panevojshëm në institucionin ku ata punojnë.

“Ne jemi shumë skeptik se mund të bëhen reforma. Janë dhënë 25 milionë euro për reformë në administratë publike por ne e kemi vërejtur që shumë vështirë se mund të bëhet. Vetëm në një institucion mund të jetë rreth 100 të punësuar, ku edhe pa ata do të mund të funksiononte ai institucion”, thotë Kalaj.

Kalaj shton se në bazë të një vlerësimi që kanë bërë diku rreth 20 për qind e të punësuarve nuk janë të kualifikuar për pozitat që udhëheqin, ndërsa disa nga të punësuarit janë në pozita e që nuk janë të kualifikuar për atë pozitë.

“Duan të bëjnë reformën në administratën publike, kanë më shumë njerëz sesa që e absorbon administrata publike qoftë në nivelin lokal qoftë në nivelin qendror, ndërsa për çdo ditë marrin punëtorë të ri.”, thekson Kalaj.

Përveç numrit të madh dhe pozitave të panevojshme në administratë publike, në kabinetin qeveritar të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, janë të punësuar mbi 70 zëvendësministra, numër ky që vazhdimisht është kritikuar nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Video: Sa ka punë për 70 zëvendësministrat e Kosovës?

Në opinion, shpesh është ngritur edhe dilema se çka mund të punojnë të gjithë këta zëvendësministra, marrë parasysh që edhe vendet me popullatë shumë më të madhe sesa Kosova nuk kanë numër kaq të madh të të punësuarve në postet nën-ministrore.

XS
SM
MD
LG