Ndërlidhjet

Tri thirrje telefonike për të drejtën e votës


Votimet në Podujevë, foto nga arkivi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me 7 vota për, 2 kundër dhe 2 abstenime, ka miratuar udhëzimin administrativ, i cili ka për qëllim rregullimin e hapave përgjatë procesit të verifikimit të alplikacioneve, për periudhën e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës.

Ky udhëzim do të shërbejë si dokument, i cili do të përdoret nga Sekretariati i KQZ-së gjatë procesit të verifikimit të aplikacioneve jashtë Kosovës.

Ky udhëzim administrativ i KQZ-së ka pasuar vendimin e saj të 11 janarit, për verifikimin e aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, i cili vendim nxiti reagime të shumta.

Në bazë të këtij pikës IV të vendimi, por edhe në bazë të Nenit 3 të rregullores administrative, e cila u miratua më 12 janar, Sekretariati i KQZ-së, për të verifikuar dokumentacionin për të gjitha aplikacionet, do t’i telefonojë të gjithë personat që janë jashtë vendit dhe të cilët aplikojnë për votim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, që do të mbahen me 14 shkurt.

Daka: Telefonimet në tri faza

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka shpjeguar procedurën se si dhe sa herë do t’u telefonohet personave jashtë vendit, të cilët aplikojnë per votim për zgjedhjet e 14 shkurtit. Sipas saj, kontaktimi me telefon i aplikuesve do të bëhet në tri faza.

“Thirrja e parë realizohet në orarin e punës sipas kohës lokale në Kosovë. Thirrja e dytë realizohet ose do të bëhen tentime tjera, gjatë orarit të rregullt të punës sipas kohës lokale të shtetit, të vendbanimit, ku gjendet aplikuesi i shënuar në aplikacion. Nëse aplikuesi nuk e hapë telefonin as sipas pikës B, do të bëhet tentimi edhe pas orarit të rregullt të punës sipas kohës llokale të shtetit, të vendbanimit, ku gjendet aplikuesi i shënuar në aplikacion”, theksoi Daka.

Sipas këtij vendimi, KQZ-ja do t’i refuzojë aplikacionet e atyre që nuk lajmërohen në thirrjet telefonike të KQZ-së.

Kundër këtij neni janë shprehur përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.

Sami Kurteshi, i cili e përfaqëson Lëvizja Vetëvendosje në KQZ, ka pasur një propozim tjetër.
“Duhet të verifikohen vetëm ata aplikues që, bazuar në këtë udhëzim administrativ, konsiderohen nga Sekretariati, pas verifikimit të gjitha dokumeneve, se janë raste raste jo të rregullta ose të dyshimta”, ka thënë Kurteshi.

Megjithatë propozimi i tij nuk ka kaluar.

Vendimi i KQZ-së, një ditë më parë, ka nxitur reagime të shumta. Në bazë të këtij vendimi, KQZ-ja do t’i telefonojë të gjithë personat që janë jashtë vendit dhe të cilët aplikojnë për votim për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, që do të mbahen më 14 shkurt. Sipas këtij vendimi, KQZ-ja do t’i refuzojë aplikacionet e atyre që nuk lajmërohen në telefon në kohën kur ky institucion i thërret për verifikim.

Ankesat ndaj vendimit të KQZ-së

Ndaj këtij vendimit të KQZ-së, ka reaguar, më 11 janar, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky vendim mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante.

Ndaj këtij vendimit të KQZ-së, ka reaguar, më 11 janar, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky vendim mund të krijojë rrethana me të cilat e drejta e votës shkelet në mënyrë flagrante.

Lëvizja Vetëvendosje, më 12 janar ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesën për vendimin e KQZ-së lidhur me verifikimin e aplikacioneve për votim të mërgatës.

Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje ka theksuar që për të shmangur problemet dhe komplikimet “përfaqësuesit e LVV-së janë pajtuar që aplikimi për regjistrim të verifikohet vetëm për rastet me mospërputhje sipas procedurave, kur nga një email adresë dërgohen shumë aplikacione me mbiemra të ndryshëm dhe numër të njëjtë telefoni”.

“Për zbatimin e vendimit, KQZ-ja duhet të hartojë një udhëzim administrativ, i cili rregullon mënyrën e hollësishme të verifikimit. Ai pritet të miratohet sot. Ky udhëzim duhet të përjashtojë çdo mundësi të largimit të votuesve nga lista e votimit përmes një telefonate”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndaj vendimit të KQZ-së, më 11 janar, ka reaguar edhe Albuena Haxhiu nga Lëvizja Vetevëndosje e cila në një shkrim të saj në Facebook, ka theksuar që “ky vendim është sa absurd aq edhe i paligjshëm dhe jokushtetues, prandaj duhet të ndryshohet dhe kundërshtohet”.

“E drejta e votës është e pacenueshme ajo nuk mund të pamundësohet vetëm sepse dikush 'nuk e ka hapur telefonin'”, ka shkruar Haxhiu.

Të gjithë anëtarët e KQZ-së votuan për vendimin

Por, kryetarja e KQZ-së, Daka, paraprakisht ka sqaruar se vendimi për verifikimin e aplikacioneve për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, është marrë në mënyrë unanime, përfshirë edhe dy përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ. Sipas saj, mënyra e verifikimit, për të cilën është marrë vendim nga KQZ-ja, nuk po ndodh për herë të parë.

“KQZ-ja i ka verifikuar gjithmonë votuesit jashtë Kosovës dhe ka shumë mënyra të verifikimit. Ndërkaq, telefonata është një prej mënyrave të verifikimit dhe ndoshta verifikimi i fundit pas verifikimit të të gjitha dokumentacioneve që bashkëngjiten. Kështu që ka ardhur paksa deri te një keqkuptim dhe te një aktualizim i një çështjeje, e cila, në fakt, ka qenë gjithmonë prezente”, theksoi Daka.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar që përfaqësuesit e saj në KQZ, “për asnjë moment nuk kanë votuar që të verifikohen të gjitha aplikimet e bashkatdhetarëve dhe aq më pak që ato të anulohen përmes një thirrjeje të vetme nga KQZ-ja”.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë anëtarin e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshin, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve.

Në anën tjetër, organizata “Germin”, që merret kryesisht me çështje të diasporës, ka dorëzuar në PZAP ankesën ndaj vendimit e KQZ-së. Përfaqësues të kësaj organizate kanë theksuar se “ekzistojnë elemente të mjaftueshme që vendimi i KQZ-së të hedhet poshtë në tërësi”, për shkak se, siç kanë thënë ata, KQZ-ja, përveç që ka marrë një vendim që cenon të drejtat kushtetuese, nuk ka dhënë arsyetime shtesë për masën ose për proporcionalitetin e këtyre masave përballë normave tjera ligjore dhe kushtetuese.

Cakolli: Vendimi i KQZ-së eviton situatat e manipulimeve

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Eugen Cakolli, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se vendimi i 11 janarit i KQZ-së lë paqartësi për disa aspekte teknike të organizimit të procesit të verifikimit. Por, sipas tij, ky vendim është i nevojshëm dhe i drejtë, në funksion të rritjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe siç thotë ai, nuk përbën shkelje të asnjë të drejte kushtetuese të qytetarëve.

“Ky vendim do të duhej të pasohej me ndonjë udhëzim apo vendim plotësues që përcakton modalitetet të tilla, si numri i thirrjes që do të bëhet për secilin votues, koha e thirrjes, intervalet, e sidomos të merret paraysh çështja e zonave të ndryshme kohore për votuesit që mund të aplikojnë nga vendet më të largëta. Në këtë drejtim, me anë të këtij vendimi, evitohen situatat e manipulimeve të procesit të votimeve jashtë vendit, që në fakt, si operacion zgjedhor është një prej hallkave më të ndjeshme dhe më së lehti të cenueshme dhe të manipulueshme në tërë procesin zgjedhor”, theksoi Cakolli.

A shtoi se edhe në rast se KQZ-ja ua mohon, në çfardo forme, qytetarëve jashtë vendit të drejtën e aplikimit për të votuar, ata kanë mundësi që çështjen ta dërgojnë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ky i fundit, më pas, ka të drejtë që të urdhërojë KQZ-në për pranimin e aplikimeve të këtyre personave.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.

Bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, llogaritet të jenë deri në 800 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Më shumë se 35 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, ishn regjistruar si votues nga diaspora për zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur në tetor 2019.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG