Ndërlidhjet

Krerët e shtetit nderojnë sakrificën për lirinë dhe pavarësinë

Obelisku i pavarësisë në Prishtinë
Obelisku i pavarësisë në Prishtinë

Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne për të shënuar 18-vjetorin e pavarësisë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se 18 vjet më parë, Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi.

Sipas saj, Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur e sovran, për t'i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm, si dhe për të hapur një kapitull të ri të historisë kombëtare.

"Kosova u bë shtet për ta mbrojtur të vërtetën dhe për të mos lejuar kurrë që historia të rishkruhet”, tha ajo.

Osmani përmendi edhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ajo ishte e drejtë dhe se çdo përpjekje për ta njollosur, dëmton themelet e paqes afatgjate.

"UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj. Kjo luftë ishte e drejtë dhe gjithnjë e pastër. Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë dhe me popullin tonë, u ngritën për liri e dinjitet”, tha Osmani.

Pas saj foli edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili tha se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.

"Kosova ishte vendi ku liria vritej; sot është vendi ku liria funksionon, ku liria frymëzon", tha Begaj.

Të pranishmëve në seancë iu drejtua edhe kryeministi i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se dita e sotme është ditë përkujtimi për "ata që flijuan shumëçka e gjithçka për Repblikën e Kosovës".

"Pa sakrificën e tyre nuk do ta kishim shtetin tonë. Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të viteve 1990 dhe kujtojmë sot Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne përkulemi me nderim para dëshmorëve dhe përpiqemi ta ruajmë dhe ta lartësojmë Republikën tonë edhe në emrin e tyre", tha Kurti.

Kosova nisi ceremonitë zyrtare për shënimin e 18-vjetorit të pavarësisë me ngritjen solemne të flamurit shtetëror.

Flamuri i Republikës së Kosovës u ngrit në oborrin e ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, në praninë e krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Gjatë kësaj ceremonie, Osmani e cilësoi këtë ditë si një moment reflektimi dhe krenarie dhe nderoi sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Sakrifica ka qenë shekullore, kanë qenë breza të tërë që kanë dhënë gjithçka që sot ta gëzojmë shtetin e Kosovës. Shprehim respektin e thellë për presidentin historik, Ibrahim Rugova, sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë ata që dhanë jetën që ne ta gëzojmë shtetin tonë”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës mbajti po ashtu një seancë solemne, gjatë së cilës Kurti përmendi edhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai tha se shpallja e pavarësisë nuk mund të përkujtohet pa u nderuar ata që kontribuuan në ndërtimin e shtetit.

"Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo që do ta bëjë gjykimin e drejtë", tha Kurti.

Ai shtoi se ky vit i pavarësisë e gjen Kosovën në fillim të mandatit të ri qeverisës, ndaj "punët janë të shumta".

"Mësuesë e studentë, mjekë e punëtorë, gra e burra, vajza e djem, të gjithë duhet të japim maksimumin tonë. Këtë e presin të gjithë. Le t’i bëjmë krenarë duke punuar e forcuar shtetin", tha Kurti.

Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt të vitit 2008 nga institucionet vendore, pas një periudhe të gjatë administrimi ndërkombëtar dhe negociatash për statusin.

Ajo u mbështet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian.

Që nga ajo kohë, Kosova bëri përparim në ndërtimin e institucioneve shtetërore, konsolidimin e sigurisë me mbështetjen e NATO-s dhe zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare.

Megjithatë, shteti vazhdon të përballet me sfida të mëdha, përfshirë kundërshtimet e pavarësisë nga Serbia dhe disa vende të tjera, si dhe pengesa në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG