Ndërlidhjet

Orientimi në prodhim eviton pasojat e krizës ekonomike


Një fermer duke punuar tokën në Veles të Maqedonisë së Veriut. Fotografi nga arkivi.

Maqedonia e Veriut nuk mund t’i shmangej krizës ekonomike botërore që ka goditur të gjithë sektorët e saj, e më së rëndi standardin jetësor të qytetarëve. Por, nëse kjo krizë ekonomike do të dëmtojë edhe më shumë vendin varet nga ajo se sa kapacitetet ekonomike do të jenë funksionale, që të mund sado pak të amortizojnë pasojat e krizës, thotë për Radion Evropa e Lirë, Abil Baush, njohës i çështjeve të ekonomisë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngritur pothuajse të gjitha çmimet e produkteve ushqimore në masën prej mbi 20 për qind, por më së shumti shitjen me pakicë të karburanteve nga 65 denarë (1.05 euro) që ishte para shpërthimit të konfliktit ruso-ukrainas në rreth 100 denarë (1.65 euro) me tendencë të rritjes së mëtejmë, varësisht lëvizjes së derivateve të naftës në bursat botërore.

Institucionet, thotë Baush, shumë pak janë përgatitur për krizën pasi ato, sipas tij, politikat buxhetore i orientojnë kryesish në ndihmat sociale, apo investimet kapitale më së shumti përfundojnë në transfere sociale, në vend që të hartohen strategji për zhvillim të brendshëm apo stimulimin e prodhimeve vendore, gjë që dëshmohet me importin edhe të grurit e miellit edhe pse Maqedonia e Veriut ka kapacitete të sigurojë këto produkte nëse do të punoheshin tokat bujqësore.

“Infrastrukturën shtetërore për prodhim nuk mund të bëjë individi apo personi fizik, sikur që nuk mund ta bëjë as biznesi sepse këto janë shpenzime të mëdha. Është e patjetërsueshme që të ketë një lloj të strategjisë për nxitje të kapaciteteve prodhuese. Ne mund ta kemi tokën, ne mund të kemi kapitalin njerëzor, por për nxitjen për infrastrukturën duhet të ketë një strategji shtetërore. Shteti duhet patjetër të intervenojë në kapacitetet tona për prodhim të produkteve bujqësore”, thotë Baushi.

Bujqësia merr pjesë me 11 për qind në Prodhimin Bruto Vendor. Sipërfaqet e përgjithshme bujqësore përbëjnë një të dytën e territorit të Maqedonisë së Veriut, ku një e katërta janë të punueshme dhe një e katërta e territorit janë kullosa. Sipërfaqja e përgjithshme bujqësore ka qenë mesatarisht 1,271,400 hektarë, bazuar në të dhënat e para pesë vjetëve. Tani, pjesa dërrmuese e sipërfaqes bujqësore është e papunuar, ose është shndërruar në tokë ndërtimore, kryesisht në rajonet afër zonave të banuara.

Bllagica Petreski, njohëse e çështjeve ekonomike, thotë se në pjesën që ka të bëjë me produktet ushqimore, nga buxheti i shtetit çdo vit ndahen nga 110 milionë euro në formë të subvencioneve, por këto para, sipas saj, kryesisht kanë përfunduar si ndihmë sociale dhe jo për të stimuluar prodhimet vendore.

“Mendoj se tani është koha që të ndryshojnë qasjen ndaj kësaj ndihme pasi vendi ka potencial për prodhim të ushqimit, dhe duhet të bëhet një analizë e detajuar se çfarë na duhet më shumë që të mos varemi nga eksporti tani në kohën kur kemi rritje të çmimeve. Kjo vlen edhe për energjinë elektrike, pasi edhe në këtë sferë kemi mundësi për prodhim të energjisë së ripërtëritshme për konsumatorë të vegjël. Pra, në vend se të japim subvencione për energjinë ne duhet të orientohemi në prodhimin e saj”, thotë Petreski.

Sa i përket karburanteve dhe energjisë elektrike, Abil Baush, thotë se situata mund të përballohej sikur të ishin siguruar rezerva të mjaftueshme dhe të ishte punuar më shumë në ndërtimin e kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike.

Ai shton se shteti që tani duhet të mendojë për investime serioze dhe të qëndrueshme në sistemin energjetik, por edhe të kapaciteteve për rezerva të derivateve të naftës.

“Duhej paraprakisht të mendohej që të grumbulloheshin derivate të naftës që të mos arrinim në situatën në të cilën ndodhemi, kjo është kryesorja. Së dyti është ajo që ndërmori Qeveria për të ulur akcizat dhe Tatimin e Vlerës së Shtuar, por kjo është vetëm se një masë afatshkurtre, jo afatgjate. Masat afatgjate kanë të bëjnë me atë se si të ndërtojmë kapacitete investuese për të ardhmen, që të mos përjetojmë kriza të tilla, apo të mos kemi pasoja të rënda nga kriza si kjo e tanishmja”, thotë Baush.

Një ndër masat e fundit të Qeverisë maqedonase ka të bëjë me mbajtjen e TVSH-së për energjinë elektrike në 5 për qind deri në fund të vitit sikur edhe për ngrohjen qendrore. Paraprakisht, TVSH-ja ishte 18 për qind.

Orce Simov, përfaqësues i Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, thotë se “rritja marramendëse e çmimeve paraqet kërcënim për rimëkëmbjen e ekonomike, e cila ende nuk ka arritur të marrë veten nga pasojat e pandemisë” së koronavirusit.

“Rritja e madhe e çmimeve po çon në rritjen e papunësisë, në uljen e prodhimit vendor bruto, rritjen e inflacionit. Pra, ekonomia do të pësojë humbje shumë të mëdha dhe është vështirë të parashikohet se deri ku mund të shkojë ky përkeqësim”, thotë Simov.

XS
SM
MD
LG