Ndërlidhjet

Kriza energjetike kërcënon edhe këtë dimër


Tymi nga termocentrali në Obiliq, afër Prishtinës.

Kosovën, me sa duket, e pret një dimër i vështirë, sa i përket furnizimit me energji elektrike.

Çmimet e energjisë në berzat ndërkombëtare janë të larta dhe jostabile. Lëvizjen e tyre e ka shkaktuar fillimisht pandemia e koronavirusit, ndërsa hov të madh kanë marrë edhe pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në fund të shkurtit.

Zëdhënësi i Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), Viktor Buzhala, thotë se çmimet e energjisë elektrike në berzë janë katërfishuar, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Sipas tij, trendet e rritjes pritet të vazhdojnë.

“Vitin e kaluar, gjatë stinës së verës, çmimi për megavat energji elektrike ka qenë rreth 100 euro... Deri në fund të vitit ka shkuar në 600 euro për megavat. Aktualisht është 400 euro për megavat”, thotë Buzhala për Radion Evropa e Lirë.


Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.

Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Kosova ka importuar vitin e kaluar 1.311.461 megavate rrymë.

Pavarësisht ndihmesës me import, qytetarët janë përballur shpesh me reduktime të rrymës, sidomos në dhjetor - për ç’gjë ekspertët e çështjeve energjetike kanë fajësuar autoritetet vendimmarrëse për, siç kanë thënë, mungesë strategjish.

Përgatitjet për dimër

Buzhala tregon se KEDS-i është duke bërë disa përgatitje për dimër.

“Jemi duke bërë revizionimin e rrjetit... Jemi duke bërë zëvendësimin e pajisjeve që mund të mos jenë në gjendje të mirë”, thotë ai, duke u bërë thirrje edhe qytetarëve të Kosovës, që të përpiqen të kursejnë sa më shumë rrymë.

Konsumi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë, për shkak se shumë amvisëri ngrohen me rrymë, duke përdorur pajisje joefiçiente, apo të tilla që shpenzojnë më shumë energji elektrike.

Nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, thonë se kanë nisur, po ashtu, përgatitjet për stinën e dimrit.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, thotë se, aktualisht, po bëhet riparimi i njësive prodhuese të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.

Këto termocentrale, që gjenden në Obiliq, prodhojnë rreth 500 megavate energji elektrike në orë, pra shumë më pak se kërkesat për konsum.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e tyre.

Bucolli thotë se KEK-u, tash për tash, është duke i ofruar rrymë tepricë Korporatës Energjetike të Shqipërisë, e cila do t’i kthehet në dimër, kur nevojat e Kosovës rriten.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur edhe Ministrinë e Ekonomisë në Kosovë rreth përgatitjeve eventuale për furnizim të qëndrueshëm me rrymë gjatë sezonit të dimrit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

Lëndët djegëse janë shtrenjtuar

Përfaqësues të opozitës, në anën tjetër, kritikojnë Qeverinë, duke thënë se “po qëndron duarkryq” karshi përgatitjeve.

“Nuk kemi asnjë hap administrativ, organizativ, juridik apo financiar për të gjetur zgjidhje për periudhën e dimrit. Përkundrazi, kemi neglizhencë dhe mosveprim”, thotë Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh njohës i çështjeve energjetike.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të ketë plan se si të rrisë kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar edhe energji alternative.

Shala paralajmëron se konsumi i energjisë elektrike gjatë sezonit të sivjetmë të dimrit do të rritet edhe më, pasi që lëndët tjera djegëse, që shfrytëzohen për ngrohje nga qytetarët, janë shtrenjtuar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, lëndët e ngurta djegëse, si drurët e zjarrit apo peleti, kanë shënuar rritje për afro 40 për qind në muajin qershor, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Aktualisht, rreth 94 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 për qind nga burimet alternative, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.

Javë më parë, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka publikuar Draft-Strategjinë e Energjisë për vitet 2022-2031, e cila parasheh rritjen e kapaciteteve për prodhim të energjisë së ripërtërishme.

Sipas Rizvanollit, synim është që pas dhjetë vjetësh, 35 për qind e energjisë elektrike të gjenerohet nga burimet e ripërtërishme.

Çmimet e rrymës në Kosovë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë, më 8 shkurt, ka miratuar tarifa më të shtrenjta të rrymës, që është thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.

Shtrenjtimi, megjithatë, ka prekur vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG