Ndërlidhjet

Kryeministri britanik synon fitore ndaj skeptikëve për marrëveshjen pas Brexit-it


Kryeministri britanik, Rishi Sunak. Fotografi nga arkivi.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka udhëtuar të martën në Bellfast, për të prezantuar marrëveshjen e re me Bashkimin Evropian para audiencës më të ashpër: politikanëve unionistë që besojnë se praktikat tregtare pas largimit të Britanisë nga BE-ja, e kanë dobësuar pozitën e Irlandës Veriore në Mbretërinë e Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja kanë bërë të ditur të hënën se kanë nënshkruar një marrëveshje për t'i zgjidhur mospajtimet lidhur me tregtinë në Irlandën Veriore, çështje që ka tensionuar lidhjet mes dy palëve, prej kur Mbretëria e Bashkuar është larguar nga blloku evropian më 2020.

Marrëveshja e re parasheh heqjen e kontrolleve doganore dhe kontrolleve tjera për mallrat që transportohen nga Irlanda Veriore në pjesën tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.

Në marrëveshjen paraprake pas Brexit-it ka ekzistuar një pajtueshmëri që të mbahet një kufi i hapur në mes të Irlandës Veriore dhe fqinjit të tij evropian, Republikës së Irlandës.

Marrëveshja e re, e titullur “Korniza e Uindsorit” është përshëndetur nga Londra dhe Brukseli.

Mirëpo, politikanët unionistë të Irlandës Veriore ende nuk e kanë dhënë bekimin e tyre për marrëveshjen.

Mbështetja e tyre është kyçe për Qeverinë gjysmë-autonome të Irlandës Veriore, e cila është rrëzuar si pasojë e konflikteve tregtare, duke lënë 1.9 milion njerëz pa administratë funksionale.

Sunak i ka thënë transmetuesit britanik BBC se, marrëveshja ka qenë “hap i madh përpara për njerëzit e Irlandës Veriore” dhe se është i bindur që politikanët atje do ta mbështesin.

Partia Unioniste Demokratike, e cila ka qeverisur bashkë me nacionalistët irlandezë, Sinn Fein, është larguar nga qeveria vitin e kaluar, si shenjë proteste ndaj rregullave tregtare dhe ka refuzuar të kthehet derisa të rishkruhen rregullat e reja.

Sipas sistemit politik të Irlandës Veriore, pushteti ndahet në mes të nacionalistëve irlandezë dhe unionistëve britanikë, dhe asnjëra palë nuk mund të udhëheqë pa tjetrën.

Udhëheqësi i Partisë Unioniste Demokratike, Jeffrey Donaldson, ka thënë të martën se partia “do ta marrë kohën e vet” për të analizuar detajet e marrëveshjes, para se të deklarohet.

“Ne jemi njerëz të arsyeshëm, mirëpo duam të sigurojmë se deklaratat e kryeministrit janë në përputhje me atë që është në letër”, ka thënë ai.

Irlanda Veriore është pjesa e vetme e Mbretërisë së Bashkuar që ndan kufi me një vend anëtar të Bashkimit Evropian.

Kur Mbretëria e Bashkuar është larguar nga blloku evropian, të dyja palët janë pajtuar për të mbajtur kufirin irlandez të lirë nga kontrollet kufitare, me arsyetimin se kufiri i hapur është shtyllë për procesin e paqes së Irlandës Veriore.

Mirëpo, në atë pjesë, pas largimit të Britanisë nga BE-ja, ka pasur kontrolle për mallra që kanë hyrë në Irlandën Veriore kah pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar.

Një pakt i tillë i pati zemëruar politikanët unionistë në Bellfast, të cilët kanë thënë se marrëveshja kufitare e dëmton pozitën e Irlandës Veriore në Mbretërinë e Bashkuar.

Sunak ka thënë se “Korniza e Uindsorit” heq ndjesinë e një kufiri irlandez, përmes heqjes së kontrolleve ndaj pjesës më të madhe të mallrave.

Ajo, po ashtu, besohet se u jep politikanëve të Irlandës Veriore një mekanizëm për të sfiduar rregullat tregtare të BE-së që mund të aplikohen në rajon – një kërkesë kyçe e unionistëve.

Grupet biznesore e kanë mirëpritur marrëveshjen, duke thënë se do ta lehtësojë të bërit biznes dhe do t’iu japë qasje konsumatorëve të Irlandës Veriore në shumë produkte që janë bllokuar fillimisht, sipas marrëveshjes fillestare pas Brexit-it.

Për çudi, edhe disa politikanë të linjës së ashpër në partinë e Sunakut, e kanë mirëpritur marrëveshjen.

Marrëveshja është mirëpritur edhe nga Shtëpia e Bardhë, e cila ka thënë se është “mirënjohje” që të dyja palët kanë arritur të zgjidhin mospajtimet.

Britania është larguar nga Bashkimi Evropian më 31 janar të vitit 2020, pas një referendumi kundër anëtarësisë në këtë bllok.

Ajo ka qenë pjesë e bllokut evropian prej 1 janarit të vitit 1973.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG