Ndërlidhjet

Kuba heq disa kufizime në dogana për ushqim dhe ilaçe


Një makinë e forcave speciale duke parakaluar në Havana, Kubë.

Kuba ka hequr përkohësisht detyrimet në importin e ushqimit, ilaçeve dhe gjërave tjera të domosdoshme, pas trazirave të fundit.

Nga e hëna e javës së ardhshme, nuk do të ketë kufizime për këto mallra, që transportohen nga turistët, deri në fund të vitit.

Mijëra persona kanë dalë nëpër rrugë të dielën, për të protestuar për mungesë të ushqimit dhe ilaçeve, rritje të çmimeve dhe menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë në Kubë.

Një kërkesë që ata kanë pasur ka qenë që njerëzit që shkojnë në Kubë, të dërgojnë furnizime pa paguar doganën.

Dhjetëra persona janë arrestuar në gjithë vendin, prej kur kanë nisur protestat të dielën.

Autoritetet kanë konfirmuar të martën që një person ka vdekur.

Protestat e paautorizuara janë joligjore në këtë shtet, dhe protestat kundër Qeverisë janë shumë të rralla.

Vendim i “domosdoshëm”

Kryeministri i Kubës, Manuel Marrero Cruz, ka bërë të ditura ndryshimet përmes një adresimi televiziv.

“Ka qenë kërkesë e bërë nga shumë udhëtarë dhe ka qenë vendim i domosdoshëm”, ka thënë kryeministri.

Qeveria “do të rishikojë vendimet’ pas 31 dhjetorit, ka shtuar ai.

Aktualisht, udhëtarët në Kubë mund të dërgojnë deri në 10 kilogramë ilaçe, pa paguar taksa.

Megjithatë, ata duhet të paguajnë në doganë për sasi të kufizuara të ushqimit dhe produkteve higjienike, të cilat lejohet t’i marrin me vete.

Ende është e paqartë se çfarë ndkimi do të ketë vendimi i ri. Tani për tani, pak persona janë duke udhëtuar në Kubë, për shkak të situatës me pandeminë e koronavirusit.

“Ne nuk duam thërrime. Ne duam liri”, ka thënë kritiku qeveritar dhe gazetari Yoani Sanchez përmes një postimi në Twitter, pas vendimit.

“Gjaku nuk ka rrjedhur në rrugët e Kubës për të importuar disa valixhe shtesë”.

Rikthimi i qasjes në internet

Gazetarët e agjencisë së lajmeve AFP, kanë raportuar se autoritetet e Kubës, kanë kthyer qasjen në internet të mërkurën, pas tri ditësh bllokadë.

Megjithatë, disa platforma për mesazhe dhe rrjete sociale, është thënë se vazhdojnë të jenë të bllokuara, përfshirë Facebook, WhatsApp dhe Twitter.

Interneti në telefonat mobilë është mundësuar në Kubë vetëm pak vjet më parë dhe ai u ka mundësuar njerëzve që të organizohen dhe të shpërndajnë thirrjen për protestat e fundit.

Andrea Lopez, banore në Havana, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, se ajo nuk ka mundur të kyçet në internet disa ditë, dhe nuk ka arritur të flasë me burrin që ka në Meksikë.

“Në ditët e para ata kanë ndaluar thirrjet, tani kanë ndaluar gjithçka”, ka thënë ajo.

“Kjo është gjithë ajo që do Qeveria”.

Rrugët në Havana është raportuar se kanë qenë më të qeta të mërkurën, ndonëse ka pasur prezencë të madhe të forcave të sigurisë.

Arrestimet është thënë të kenë vazhduar të këtë shtet në ditët e fundit.

Krizë ekonomike

Protestat kundër Qeverisë kanë nisur të dielën, fillimisht në qytetin San Antonio de los Baños, dhe më pas janë përfshirë në gjithë shtetin.

Shumica e protestave janë transmetuar edhe në rrjetet sociale.

Në disa postime në rrjete sociale janë parë njerëzit duke përmbysur makinat e policisë dhe duke thyer dyqane të shtetit, të cilat shesin produktet e tyre me valuta të huaja.

Për shumë banorë të Kubës, këto dyqane janë mënyra e vetme për të blerë gjërat e domosdoshme, por çmimet janë të larta në to.

Ekonomia e Kubës është duke u përballur me shumë vështirësi.

Turizmi, një nga faktorët më të rëndësishëm, është dëmtuar rëndë nga kufizimet në udhëtime gjatë pandemisë.

Sheqeri, produkti më i eksportuar, sjell fitime të mëdha në këtë shtet.

Mirëpo këtë vit, korrjet kanë qenë më të dobëta se është pritur.

Kuba ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe sanksionet e tyre ekonomike për protestat dhe problemet në rritje në Kubë.

Të mërkurën, SHBA-ja ka bërë thirrje për lirim të të gjithë protestuesve paqësorë, të ndaluar në Kubë, gjatë protestave të fundit.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG