Ndërlidhjet

Kufiri irlandez mund të çojë në Brexit pa marrëveshje


Ministri i kabinetit në Qeverinë britanike, Chris Grayling, tha se nuk do të ketë marrëveshje me Bashkimin Evropian për Brexit-in, nëse BE-ja nuk e zbut qëndrimin e saj për kufirin irlandez.

Me Brexit nënkuptohet procesi i daljes së Britanisë nga BE-ja, i cili duhet të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm.

Grayling tha se Mbretëria e Bashkuar nuk do të tërhiqet nga Plani i Kontrollorëve, edhe pse udhëheqësit e BE-së e refuzuan atë në samitin e tyre në Salcburg.

Kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se një pjesë e rëndësishme e planit “nuk do të funksionojë”, por kryeministrja britanike, Theresa May, këmbënguli se ai është mënyra e vetme e besueshme për të shmangur një kufi të rreptë irlandez.

Grayling tha për BBC-në se pritet “gjuhë më e ashpër” dhe shtoi se është ende i bindur se marrëveshja mund të arrihet.

Mbretëria e Bashkuar duhet të dalë nga BE-ja më 29 mars, 2019.

Të dyja palët po bëjnë përpjekje të arrijnë një marrëveshje me kohë dhe duan të shmangin kufirin e rreptë – do të thotë, çdo infrastrukturë fizike si kamera apo roje – midis Irlandës Veriore, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, dhe Republikës Irlandeze, anëtare të BE-së, por ato nuk mund të pajtohen për mënyrën.

BE-ja ka dalë me një propozim, i cili parasheh që Irlanda e Veriut të mbetet e lidhur me BE-në në fusha kyçe, të mbetet në bashkimin doganor dhe tregun e vetëm dhe të mos ketë nevojë për kontrolle kufitare. Por, Londra thotë se kjo është e papranueshme, sepse do ta shkëpusë Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministrja May thotë se Plani i saj i Kontrollorëve, i cili kërkon nga Mbretëria e Bashkuar të futet në një libër të përbashkët rregullash për tregtinë e mallrave dhe një territor të kombinuar doganor me BE-në, është mënyra e vetme për të shmangur kufirin e rreptë dhe ndarjen e Mbretërisë së Bashkuar.

Grayling, që është edhe sekretar i Transportit, tha se plani i Britanisë është propozimi i vetëm që respekton vijat e kuqe të saj dhe po ashtu ofron “zgjidhjen e duhur” për kufirin irlandez.

“Për momentin, ajo që propozon Bashkimi Evropian për dhe rreth Irlandës së Veriut është thjesht e pamundur për Qeverinë britanike që ta pranojë. Nëse ata insistojnë në këtë qëndrim”, nuk do të ketë marrëveshje”, tha Grayling.

Ai tha se negociatat ku njerëzit mbajnë "pozicione të ngurta" janë tipike për BE-në.

Të enjten, pas një takimi dyditor në Salcburg të Asutrisë, Tusk tha se krerët e BE-së kanë rënë dakord që propozimet e Britanisë së Madhe nevojiten të rishkruhen.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Brexit-i është nxitur nga “njerëz të caktuar që parashikonin zgjidhje të lehta".

Javën e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se ekonomia e Britanisë do të ketë rënie të menjëhershme nëse largohet nga BE-ja pa marrëveshje mbi kushtet e divorcit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG