Ndërlidhjet

Tregtarët në Shkup fshehin çmimet pas vendimit të Qeverisë për perimet


Një tezgë në tregun e gjelbër në Shkup.
Një tezgë në tregun e gjelbër në Shkup.

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për ngrirjen apo kufizimin e çmimeve për 11 llojeve të frutave dhe perimeve, të mërkurën ka lënë zbrazët pjesën më të madhe të tezgave me domate, speca, tranguj e qepë.

Me vendimin e Qeverisë, nga 4 prilli një kilogram fasule duhet shitet për 75 denarë (1.20 euro) nga 300-350 (5 euro) sa shitej deri para hyrjes në fuqi të vendimit kufizues. Edhe çmimet e specave, domateve, qepëve, limonëve, portokajve, bananeve e të tjera janë përgjysmuar me vendimin e Qeverisë.

Çmimi për një kilogram domate kufizohet në 70 denarë, për tranguj në 75 denarë, për qepë në 60 denarë, lulelakër në 70 denarë, për speca në 90 denarë etj.

Tregtarët ankohen: Çmimi në tregun me shumicë, më i lartë se ai që duhet ta shesin me pakicë

Tregtarët shprehen të revoltuar pasi thonë se kjo masë nuk mund të zbatohet, pasi që çmimi i furnizimit është më i lartë sesa ai i shitjes me pakicë, për të cilin Qeveria ka marrë vendim.

“Ky vendim nuk është aspak i mirë, pasi çmimi i furnizimit është më i lartë sesa çmimi i shitjes me pakicë. Me limon jam furnizuar në tregun me shumicë 60 denarë (për një kilogram) para një jave, tani atë këtu në tezgën me pakicë, duhet ta shes 55 denarë, pra jam në humbje”, thotë një shitës në tregun e gjelbër.

Edhe Kamber Xhaferi, gjithashtu tregtar në tregun e gjelbër të Shkupit, vlerëson se vendimi i Qeverisë është i gabuar. Me këtë vendim, ai thotë se nuk arrihet asgjë pos zbrazjes së tezgave me pakicë. Ai konsideron se fokusi duhet vënë në uljen e kostos së prodhimit dhe stimulimin e bujqve vendas për të prodhuar, pasi thotë se tregu kryesisht furnizohet me produkte bujqësore nga Shqipëria dhe Greqia në këtë kohë.

“Më kryesorja është që të intervenohet aty te prodhimi i produkteve bujqësore, jo këtu te fundi. Duhet krijuar kushte për kultivimin e prodhimeve bujqësore, të plotësohen kërkesat e bujqve që ai të mund të rrisë sasinë e prodhimit dhe në fund të ketë llogari që t’i shesë me një çmim më të lirë”, thotë Xhaferi.

Gjatë vizitës në tregje dhe në ato pak tezga ku mund të gjeje domate, tregtarët nuk kishin vendosur çmime. Radio Evropa Lirë pyeti se sa kushton një kilogram domate, thanë se çmimi është 110 denarë, përkatësisht për 40 denarë më shumë nga çmimi që ka përcaktuar Ministria e Ekonomisë.

“Janë 110 denarë, jam furnizuar me çmim më të lartë, nuk mund t’i shes 70 se do të dal me shumë humbje. Kam fëmijë, me se do t’i ushqej?”, tha një tregtare në tregun e gjelbër.

Fruta në shitje në tregun e Shkupit.
Fruta në shitje në tregun e Shkupit.

Po për mostransparencën e çmimeve shumë vërejtje kanë shprehur dhe qytetarët.

“Çmimet i fshehin. Në tërë tregun vetëm në tri tezga kanë vendosur çmimin e trangujve me çmimin që ka kufizuar Qeveria, por në ato tezga cilësia e trangujve ishte shumë e keqe”, thotë Lubica Vasilevska, e cila kishte ardhur të bënte pazarin e ditës në tregun e gjelbër në Shkup.

Paralajmërohet intensifikimi i inspektimeve e në tregjet e gjelbra

Gjobat për mosrespektim të vendimit qeveritar lëvizin prej 800 deri në 10.000 euro.
Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se do të intensifikohen inspektimet, veçanërisht në tregjet e gjelbra, për të parandaluar manipulimet e tregtarëve me çmimet e produkteve bujqësore, për të cilat është vendosur ngrirja e çmimit.

Bekteshi tha se në bazë të informacioneve që ka siguruar dikasteri që drejton, tregtarët janë ata që i rrisin çmimet.

“Për fat të keq, gjatë muajit mars, duke u bazuar te të njëjtat të dhëna, tregtarë të ndryshëm me produkte bujqësore, pemë dhe perime, kanë pasur marzha të fitimit edhe mbi 100 për qind dhe 200 për qind në disa raste. Me siguri që pas 20 prillit, apo në fund të prillit dhe në fillim të majit do të rritet dhe prodhimi vendor për shkak se është edhe sezoni kur kemi prodhim më të madh të pemëve dhe perimeve, dhe kjo do të ndikojë pozitivisht në uljen e çmimeve të tyre”, deklaroi Bekteshi.

Qytetarët e kanë mirëpritur vendimin e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve, por theksojnë se ky vendim duhet të zgjasë edhe pas festave dhe jo vetëm deri më 30 prill.

“Duhej të hynte më herët në fuqi masa për kufizimin e çmimeve. Çmimet shënuan rritje enorme dhe ja tani po ulen pakëz aty-këtu. Kjo masë duhet të vazhdojë edhe pas festave, në të kundërtën do të vuajmë nga uria”, thotë Ankica Bozhinoska.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 28 shkurt kishte marrë vendim për ngrirjen e çmimit të bukës në 33 denarë, kurse më 16 mars gjithashtu vendosi ngrirjen e çmimit të brumërave, qumështit, si dhe produkteve nga qumështi.

XS
SM
MD
LG