Një takim i ri të shtunën mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të partisë më të madhe opozitare në vend, Bedri Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka përfunduar pa ndonjë përparim për një emër konsensual për presidentin e ardhshëm të vendit.
Takimi i dytë mes tyre vjen pasi Kuvendi i Kosovës ka kohë vetëm deri më 4 mars për ta votuar presidentin e ri, përndryshe, sipas Kushtetutës, ai shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja.
Duke folur pas takimit, si Kurti ashtu edhe Hamza paralajmëruar garë për president mes kandidatëve të sjellë nga partitë parlamentare.
“Ne nuk kemi arritur që të kemi një kandidat i cili do të ishte konsensual, së paku jo deri më tani, e i cili do të shkonte përtej propozimeve partiake. Tash, lajmi i mirë është që PDK-ja ka vendosur të propozojë një kandidat dhe kjo natyrisht që jep shpresë për garë interesante në javën e ardhshme”, tha Kurti pas takimit.
Hamza theksoi se nuk e mori pëlqimin e Kurtit për një emër të propozuar nga partia e tij.
“Kurti e ka nesër Këshillin e Përgjithshëm të partisë dhe në bazë të asaj që kemi biseduar, ata kanë kërkesë që nëse PDK-ja e propozon një kandidat, të jetë një kandidat i propozuar edhe nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe në këtë rast dihet përfundimi, rezultati i votimit”, tha Hamza.
Kurti tregoi se partia e tij do të mbajë takim të dielën, ku mund të sjellë një emër për president.
“Po, atje po duket se po shkojmë. Ne kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje nesër”, tha Kurti për gazetarë.
Hamza ka thënë në një konferencë për media se PDK-ja ka vepruar me përgjegjësi dhe maturi në këtë drejtim dhe që kjo është përpjekja e fundit për të kontribuar, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Në takimin e dytë me Kurtin e ofruam edhe një mundësi të dytë. Kërkuam që të zgjidhet presidenti i propozuar nga PDK-ja për të garantuar stabilitet institucional. Me këtë ofertë, kontributi ynë është përmbushur”, ka thënë ai.
I pyetur se çfarë emri ka çuar përpara partia, Hamza ka thënë se nuk është folur për emra konkretë, por vetëm që propozimin ta bëjë PDK-ja.
“Ne e kemi bërë pjesën e punës tonë, prej sot gjithçka është vetëm përgjegjësi e Qeverisë”, është shprehur ai.
Kurti është takuar gjatë javës edhe me kryetarin e partisë tjetër opozitare, Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), mirëpo rezultate konkrete nuk ka pasur.
Presidentja aktuale, Vjosa Osmani e synon edhe një mandat të dytë. Ndonëse emrin e saj e pati propozuar LVV-ja më 2021, kjo parti tani nuk ka ndonjë emër konkret për kandidat.
Partitë opozitare gjithashtu nuk përmendin emra, por duket se votë për Osmanin nuk kanë, meqë me raste e kanë kritikuar si të njëanshme në të mirë të LVV-së.
Pozita e presidentit në Kosovë është kryesisht ceremoniale – për shkak se vendi është republikë parlamentare – dhe prej një presidenti kërkohet të jetë figurë unifikuese mes partive politike.
Kush u përmend për këtë pozitë?
Më herët gjatë javës është përmendur mundësia që në krye të shtetit të jetë ndonjë pjesëtar i familjes së heroit Adem Jashari, përfshirë edhe nga vetë zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Megjithatë, anëtarë të kësaj familjeje e kanë bërë të qartë për media se nuk kanë ambicie për këtë pozitë.
Për dallim prej tyre, ish-ministri i Administratës Publike dhe i Arsimit, Arsim Bajrami, ka shprehur gatishmërinë për t'u bërë president.
Njëjtë, gatishmëri ka shprehur javë me parë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, mirëpo partitë tjera nuk i kanë dhënë mbështetje.
Për të propozuar një kandidat për president duhet siguruar 30 nënshkrime deputetësh, ndërsa LVV-ja, e vetme, i ka 57 sosh.
Për zgjedhjen e kandidatit nevojiten të paktën 80 vota në njërin nga dy rundet e para, ose 61 në të tretin, prej 120 votave në total.
Nëse vendi dështon që të finalizojë këtë proces me kohë, atëherë përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare, pa i bërë ende një muaj prej kur u bë me Qeveri të re.
Organizata të shoqërisë civile kanë bërë thirrje që një proces i tillë të shmanget, duke kërkuar që interesi qytetar të vendoset para atij partiak.