Ndërlidhjet

Kurti, Merkel: Rezultat i dialogut duhet të jetë njohja reciproke


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim virtual me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbajti të hënën një takim virtual me kancelaren gjermane, Angela Merkel, me të cilën, pos tjerash, bisedoi edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Sipas një komunikate për media, të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti tha se dialogu me Serbinë “duhet të jetë dialog mes dy palëve të barabarta, që zgjidh kontestet mes dy shteteve e që normalizon marrëdhëniet ndërmjet tyre”.

Në komunikatë thuhet se Kurti dhe Merkel “u pajtuan që procesi i dialogut duhet të jetë i drejtë” dhe “i ndërtuar mbi mirëbesim” dhe se rezultati i tij “duhet të jetë njohja reciproke”.

“Pavarësia e Kosovës dhe integriteti i saj territorial nuk mund të jenë temë e bisedimeve dhe nuk mund të kthehemi në kohën para vitit 2008”, tha Kurti.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë pritet të rinisë në qershor.

Kurti dhe Merkel biseduan edhe për Procesin e Berlinit dhe rëndësinë e tij në nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

“Në pritje të Samitit të Berlinit, që do të mbahet në fillim të korrikut, kryeministri Kurti theksoi se rajoni ka nevojë për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar, por jo për projekte si zëvendësim i BE-së. Ai shtoi se bashkëpunimi ekonomik duhet të shkojë paralel me demokratizimin e rajonit”, thuhet në komunikatë.

Po sipas saj, Kurti kërkoi nga kancelarja gjermane angazhim për liberalizmin e vizave për popullin e Kosovës, duke thënë se “Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim” dhe se “Gjermania mund të ndihmojë ta shtyjë këtë çështje përpara”.

Kancelarja Merkel citohet të ketë rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG