Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 27 prill 2026. (Foto: Arben Hoti/REL)
Kuvendi i Kosovës, 27 prill 2026. (Foto: Arben Hoti/REL)

Drejtpërdrejt Pa praninë e opozitës, Kuvendi voton për presidentin - seanca vazhdon të martën

E përditësuar
  • Kuvendi i Kosovës nisi natën e së hënës seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Në seancën munguan deputetë të opozitës, të cilët bojkotuan edhe një seancë të mëhershme diskutimi për çështjen.
  • Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të rundit të parë të votimit, tha se seanca do të vazhdojë të martën.
  • Partia e kryeministrit Albin Kurti ka propozuar dy kandidate të reja për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
  • Deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
15:49

Në pritje të seancës për presidentin, deputetët vazhdojnë seancën e rregullt plenare

Nëse Kuvendi nuk arrin të zgjedhë brenda këtyre dy ditëve presidentin e ri, legjislatura e dhjetë shpërndahet siç është përcaktuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, më 25 mars.

Në këtë situatë Kuvendi i Kosovës po vazhdon punën me seancën e rregullt plenare teksa po miratohen projektligje të reja.

Në seancën e 27 prillit u miratua Marrëveshja për tregti të lirë midis Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.

Me 93 vota u ratifikua Marrëveshja me Shqipërinë për Lojërat Mesdhetare 2030.

Gjithashtu u miratuan emërime të reja në disa institucione publike.

Gjatë seancës u emëruan tre anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

Derisa në rend dite drejt miratimit është edhe formimi ikomisionit për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe po ashtu emërimi i drejtorëve në bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Mirëpo nuk u miratua shmangia e afatit procedural për ta miratuar më herët Projektligjin për energjinë elektrike, pasi munguan votat dy të tretave të deputetëve të pranishëm, siç parashihet me Rregullore të Kuvendit.

Ngjashëm nuk ishte pranuar as në seancën e së shtunës nga ana e partive opozitare kërkesa e partisë në pushtet që të shmangeshin afatet procedurale për t’i miratuar në lexim të parë tri projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, Projektligjin për energjinë elektrike, si dhe në lexim të dytë Projektligjin për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

15:42

Abonohuni falas në newsletter-in e REL-it...

15:21

LDK nuk merr pjesë në seancën e Kuvendit për diskutim në lidhje me Presidentin

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u ka thënë mediave që si parti nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur të Kuvendit të Kosovës për “diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit.

Seancën e paralajmëruar, Abdixhiku e ka quajtur “show propagandues i Vetëvendosjes ”.

Seanca është paralajmëruar se do të fillojë sot në orën 17, gjersa afati i fundit për zgjedhjen e një presidenti është nesër më 28 prill.

Në të kundërtën, Kosova do të shkojë në zgjedhje.

Edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili e ka quajtur këtë seancë "show", në një postim në Facebook duke thënë se për Presidentin "votohet e nuk diskutohet".

Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së
Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së
15:06

Kadrijaj dhe Haxhiu përplasen për çështjen e “diskutimit për presidentin”

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje ka shpikur një praktikë të re parlamentare, duke vendosur në pikë të rendit të ditës, diskutimin për presidentin. Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit tha se është pikërisht Kuvendi ku duhet të diskutohen këto çështje.

“Jo kryetare, nuk diskutohet në Parlament për presidentin. Në Parlament sillen emra të cilët ju i keni dakorduar dhe aty votohet. Por, që të diskutohet, e keni shpikur ju. Është praktikë e re”, i tha ajo kryeparlamentares Albulena Haxhiu, gjatë seancës së rregullt plenare.

Kryetarja e Kuvendit, Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit, Haxhiu.

Haxhiu iu kundërpërgjigj duke thënë se shpreson që deri në seancë të ketë edhe emra për president.

“Lejoni deputetëve të ushtrojnë mandatin e tyre. Dëshirojnë që të flasin për presidentin", tha Haxhiu, duke theksuar se është e rëndësishme “që të jeni të pranishëm në seancën e orës 17:00. Deri atëherë, duke shpresuar që kemi emra, kandidatë konsensualë për president”, tha ajo.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG