Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës e miraton Projektligjin për çmimet tavan mes kundërshtimeve nga opozita

Kuvendi i Kosovës.
Kuvendi i Kosovës.

Ligjvënësit në Kosovë e kanë miratuar përfundimisht një Projektligj për çmimet tavan të enjten, me gjithë kundërshtimet nga opozita, e cila e akuzoi Qeverinë se përmes tij synon ndërhyrje në tregun e lirë.

Projektligji - i njohur zyrtarisht si Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg – u miratua me 63 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, rreth një javë pasi kishte kaluar në lexim të parë.

Për t’u bërë ligj ai duhet të nënshkruhet nga presidenti i vendit, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu.

Qeveria i ka hedhur poshtë kritikat e opozitës, duke argumentuar se ligji synon të vendosë masa të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore në raste të jashtëzakonshme të çrregullimit të tregut, për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e paarsyeshme dhe e menjëhershme e çmimeve të produkteve bazë.

Ligji i cilëson si produkte themelore: drithërat; miellin; bukën; orizin; makaronat; vajin ushqimor; qumështin dhe produktet e qumështit; ujin; pemët dhe perimet; kripën e kuzhinës; vezët pulës; mishin; sheqerin kristalor; ushqimet bazë për fëmijë; produktet e higjienës personale ku përfshihen: sapuni, detergjenti, shamponi për flokë, letra tualeti, letrat higjienike, pasta dhe pelenat; lëndët e drurit për djegie.

Ligji parasheh gjithashtu themelimin e një bordi me pesë anëtarë, si organin më të lartë dhe përgjegjës për t’u marrë më çështjen e çmimeve tavan, i cili duhet t’i raportojë Kuvendit çdo tre muaj.

Mospajtimet rreth ligjit

Deputetë të tri partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thanë se nuk e kundërshtojnë nismën e bërjes së një ligji për çmimet tavan, por dolën kundër mënyrës se si Qeveria e kryeministrit Albin Kurti e ka përpiluar këtë ligj.

Arben Mustafa, deputet i PDK-së, tha se Projektligji i miratuar të enjten ka “shumë paqartësi” dhe lë hapësirë për ndërhyrje në tregun e lirë.

“Nuk është e qartë se në cilat raste do të ndërhyhet në treg për të caktuar çmimet maksimale. Në ligj thuhet se do të ndërhyhet në treg në rastet se kur ka rritje të paarsyeshme dhe të menjëhershme të çmimeve. Por, duhet të përcaktohet me ligj se cila është metodologjia për të përcaktuar se çka paraqet rritje të paarsyeshme të çmimit, në të kundërtën lihet hapësirë për arbitraritet për ndërhyrje në treg të lirë”, tha Mustafa para ligjvënësve.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, tha se “ne nuk e përkrahim këtë ligj, jo për nismën, por për përmbajtjen dhe formulimin e tij”.

“Ky ligj mund të jetë i ndikuar nga interesat e tjera partiake, private, personale dhe rrezikon të jetë plotësisht i kapur dhe i ndikuar nga partia në pushtet, pa kontrollim efektiv nga institucionet e tjera shtetërore”, theksoi Ymeri.

Besnik Tahiri i AAK-së pretendoi se partia e tij nuk e mbështet ligjin, duke argumentuar se bordi i tij do të “burojë nga Qeveria”.

Bordi do të përbëhet nga pesë anëtarë, tre anëtarë të jashtëm dhe dy anëtarë të deleguar nga Ministria e Industrisë dhe Autoriteti i Konkurrencës.

Qeveria i përzgjedh ata dhe ia dërgon Kuvendit të Kosovës për votim me shumicë të thjesht të votave prej 61.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, i hodhi poshtë akuzat e opozitës duke ngulur këmbë se ligj është i paraparë të aktivizohet vetëm në raste të destabilizimit të tregut,

“Ky ligj vlen vetëm për produktet që janë të specifikuara në këtë projektligj, pra produktet e shportës bazë”, tha Kusari.

Ajo argumentoi se synimi është mbrojtja e kategorive më të cenueshme në lidhje me ndryshimin e çmimeve dhe se ligji nuk synon përcaktimin e çmimeve për të gjitha produktet, por vetëm për çmimet për listën e produkteve të parapara në ligj.

Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023, kur gjykata kishte theksuar se ai nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë më 3 prill, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari – Lila, tha gjatë paraqitjes së projektligjit tha se në hartimin e tij e ka marrë parasysh rekomandimet e Kushtetueses.

XS
SM
MD
LG