Ndërlidhjet

Lajmet e rrejshme karakterizojnë fushatën për zgjedhjet lokale


Ilustrim@Shutterstock

Me fillimin e fushatës zgjedhore në Maqedoni partitë politike dhe kandidatët, të cilët garojnë për të fituar besimin e elektoratit në zgjedhjet e 15 tetorit, kanë denoncuar disa raste se janë bërë pre e lajmeve të rrejshme të aplikuara përmes rrjeteve sociale dhe ueb-faqeve të kamufluara si të vërteta.

Ekspertë të medieve thonë se lajmet e rrejshme ka marrë hov të konsiderueshëm në këtë fushatë zgjedhore, plasimi i së cilave kryesisht bëhet përmes faqeve të rrejshme në rrjetet sociale, si dhe ueb-faqeve që në shikim të parë duken se i përkasin medieve të mëdha në vend, me pak detaje të padukshme që e bëjnë dallimin.

Sefer Tahiri, nga Fakulteti i Medieve në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se problemi i shfaqjes së medieve të rrejshme, përkatësisht depërtimit të informacioneve të paverifikuara në mediet online, është te fakti se sfera e këtyre medieve nuk është e rregulluar në formë strikte me normat ligjore. Sipas tij, Ligji për shpifje nuk gjen zbatim.

Tahiri thotë se struktura të caktuara, veçanërisht gjatë kohës së fushatave zgjedhore, duke shfrytëzuar mundësinë që mediet online nuk i nënshtrohen asnjë organi rregullator, keqpërdorin hapësirën mediatike duke plasuar informacione të paverifikuara, duke bërë propagandë për opsione të ndryshme politike.

“Vlerësoj se keqpërdorimi i hapësirës nuk përkon me normat etike, nuk përkon me kodin e gazetarëve. Dhe, gjithashtu, vlerësoj se ka një keqpërdorim te ne se liria e medieve kuptohet si liri e pakufishme, si liri që nuk shkon bashkë me përgjegjësinë”.

“Këtu te ne ka njerëz të shumtë të papërgjegjshëm, të cilët e luajnë rolin e gazetarit, e në fakt ata s`janë të tillë, nuk janë të shkolluar për atë punë, nuk disponojnë me njohjen elementare të gazetarisë, se si shkruhet lajmi dhe si raportohet - kjo bën që të kemi një kaos të vërtetë informativ. Kemi një laramani të portaleve, të cilat dalin si kërpudha pas shiut, por në anën tjetër kjo dukuri në masë të madhe e dëmton gazetarinë objektive”, thotë Tahiri.

Ndërkaq, Biljana Petkoska nga Instituti i Medieve në Maqedoni për Radion Evropa e Lirë thotë se shtrirja e lajmeve të rrejshme kryesisht bëhet përmes rrjeteve sociale duke pasur si qëllim betejën e ndyrë politike.

“Në vigjilje të zgjedhjeve lokale, jemi dëshmitarë se është intensifikuar përdorimi i termit ‘lajme të rrejshme’ edhe atëherë kur ky term ështëadekuat në raste të caktuara, por edhe në ato rate kur nuk është adekuat ky term. Megjithatë, e ritheksoj se problematika e lajmeve të rrejshme aktualizohet në kohën e zgjedhjeve pra në një farë forme politikanët në Maqedoni e kapin këtë trend që ka përmasa botërore”, vlerëson Petkovska.

Nga ana tjetër, Sefer Tahiri konsideron se përmes mekanizmit të vetë -rregullimit të medieve, mund të pastrohet eteri mediatik nga lajmet e rrejshme. Sipas tij, vetë politikanët janë ata, të cilët në forma të ndryshme krijojnë aleanca me media të caktuara online për të atakuar oponentët e tyre politikë.

“Ne sot kemi një situatë kur vetë politikanët ankohen nga disa portale se ua prishin imazhin, se keqinformojnë, se propagandojnë, se nxjerrin deklarata nga konteksti se nuk e thonë të vërtetën, nuk raportojnë për ngjarjet ashtu siç janë. Por, në anën tjetër i kemi po të njëjtit politikanë, të cilët janë, thënë kushtimisht, në raporte miqësore me pronarët e portaleve apo gazetarët, që punojnë në media online të caktuara".

"Prandaj, ne sot kemi një sistem të dualizmit edhe sa i përket qasjes politike ndaj medieve online, ngase politikanë të caktuar mendojnë se nëse portalet e ndryshme i kanë në anën e tyre, atëherë më mirë do të kalojnë te popullata përmes shigjetimit të oponentëve, përmes medieve dhe jo drejtpërdrejt nga ta”, thekson Tahiri.

Por, Zhaneta Trajkoska, ligjëruese e medieve, vlerëson se mediat konvencionale, organizatat joqeveritare po edhe vetë politikanët duhet të angazhohen për edukimin opinionit që të mund të dallojnë qytetarët se çka është informacion i drejtë dhe çka paraqet lajm të rremë dhe veçanërisht informacionet e rrejshme sa i dëmtojnë interesat e përgjithshme të shoqërisë.

“Për fat të keq, një pjesë e madhe edhe e mediave konvencionale vetëm bëjnë transmetimin e lajmeve pa verifikuar burimin, pa dalë gazetarët në vendin e ngjarjes, duke humbur funksionin bazë për çka ata duhet të ekzistojnë. Përderisa kemi media jo-kualitative, krijohet një hapësirë shumë e volitshme për krijimin e lajmeve të rrejshme”, shprehet Trajkovska.

Ndryshe, vitin e kaluar, gjatë fushatës zgjedhore në SHBA qyteti i Velesit në Maqedoni u bë i njohur në përmasa botërore pasi disa të rinj nga ky qytet kishin hapur disa sajte me lajme të rrejshme në favor të njërit kandidat, nga të cilat informacione ata thoshin se arrijnë të sigurojnë mjete tëkonsiderueshme financiare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG