Ndërlidhjet

Maqedonia e V. nuk është imune ndaj presionit të COVID-diplomacisë 


Shefi i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e V. flet për ngjarjet e Kumanovës
Shefi i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e V. flet për ngjarjet e Kumanovës

Drejtori i Agjencisë për Zbulim në Maqedoninë e Veriut, Erolld Musliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se edhe Maqedonia e Veriut nuk mbetet imune nga e ashtuquajtura COVID-diplomaci, e cila siç e ka sqaruar ai, paraqet vegël për kreatorët e zhvillimit të strategjive hibride për të ushtruar presion ndaj qeverive, për sa i përket mungesës së vaksinave.

Më herët, autoritetet e vendit disa herë kanë theksuar se “mungesa e vaksinave në treg, ka krijuar terren të volitshëm për zhvillimin e presionit mediatik ndaj qeverive përmes COVID-diplomacisë”.

Musliu thekson se Maqedonia e Veriut si shtet anëtar i NATO-s, mbetet e fokusuar në shkëmbim të informacioneve dhe përvojave me vendet aleate, për ta patur më të lehtë ballafaqimin me COVID-diplomacinë dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë efikase sfidave me lajme të rrejshme.

Evropa e Lirë: Zoti Musliu, çka nënkuptoni me COVID-diplomacinë, term ky që gjithnjë e më shumë po është i pranishëm, e të cilin madje e keni përmend dhe ju në raste të caktuara; dhe çfarë dëshirojnë shtete të caktuara të arrijnë përmes këtij mekanizmi?

Erolld Musliu : COVID-diplomacia është mjet në strategjinë hibride, i cili u shfaq që në fillim të pandemisë së COVID-19, dhe i cili po vazhdon, pra e kemi gjatë tërë periudhës një vjeçare të pandemisë.

Secili përpilues dhe si ta them zbatues i një strategjie (hibride) zhvillon dhe vepron me masa taktiko-operative, të cilat përfshijnë disa platforma të bazuara në interesat gjeopolitike, rrethanat rajonale dhe në konfiguracionet në terren.

Strategji hibride të veprimit dhe të prezencës në një regjion të caktuar, zhvillojnë vetëm shtetet e mëdha me interesa gjeostrategjike në një rajon të caktuar, të cilat gjithsesi kanë përkrahje nga pika të caktuara prej ku do ta zbatonin agjendën e projektuar. Krijohen përgatitje dhe platforma të llojllojshme, të bazuara sipas shtetit në të cilin ka interesa të veprohet. Pra, aty ku ka interesa të veçanta dhe mund të ketë variacione mënyrash, duke përdorë diplomacinë, zbulimin, interesat ekonomike dhe energjetike, veprimin e propagandës dhe mediat, me qëllim përfundimtar të bërit presion mbi qeveritë dhe realizimin e interesave të tyre.

Të gjithë ne e kemi të njohur se në fillim të pandemisë, kishte një luftë për informacion, ju kujtohet, për furnizim me maska, skafanderë, dorëza dhe mjete dezinfektuese. Ndërsa, në periudhën e fundit, tre katër muajt e fundit, kjo është shndërruar në një betejë për marrjen e informacioneve si dhe veprimeve për furnizim apo sigurim të vaksinave.

Për momentin, eksploatohet procesi i vaksinimit dhe promovimi i një tipi apo brendi kundër tjetrit, pra është luftë mes shtetesh dhe kompanive, që në të ardhmen e afërt, do të shndërrohet në një betejë për të krijuar ilaçin e duhur.

Radio Evropa e Lirë: Cilat shtete e zhvillojnë këtë COVID-diplomaci dhe në çfarë mënyre bëjnë presion mediatik?

Erolld Musliu: Shikoni, taktika e plasimit dhe shpërndarjes se lajmeve të rreme, në fillim qëndronte në kërkimin të fajtorit mbi prejardhjen dhe përhapjen e pandemisë, që më vonë e mori drejtimin e një misioni si të them humanitar, shpëtimprurës, në të cilin mision kishte elemente propagandistike në media me glorifikimin e dhënies së donacioneve, që arrinin me avionë ushtarakë.

Këtu ishte qëllimi që të potencohet promovimi i paaftësisë së qeverive dhe krijimi i konfuzionit dhe mosbesimit në mesin e popullatës, si dhe mosbesimit ndaj vlerave të vërteta të demokracive perëndimore dhe aleatëve tanë.

Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s dhe kështu që normalisht, punon në realizimin e prioriteteve dhe sfidave strategjike të sigurisë në luftën kundër kërcënimeve, për të realizuar strategjinë me mjetet propaganduese në media.

Dhe këtu patjetër se ata përpiluesit dhe ata që i zbatojnë këto strategji, kanë nevojë që të kenë pika të caktuara rnë rajon, prej ku do të mund ti plasojnë lajmet e rreme, si pjesë e strategjisë hibride, që të kenë efekt edhe në vendin tonë.

Radio Evropa e Lirë: Pra kjo dukuri është e pranishme edhe në Maqedoninë e Veriut?

Erolld Musliu : Po, patjetër që po. Dhe jo vetëm në Maqedoninë e Veriut. Ne si Agjenci Zbulimi mbledhim informata dhe analizojmë situatën edhe në rajon. Mund të them lirisht se po kjo dukuri është e pranishme.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, çfarë ndërmerrni ju si Agjenci për Zbulim në këtë drejtim, për të luftuar këtë dukuri?

Erolld Musliu: Agjencia për Zbulim ashtu si edhe shërbimet e tjera, me shfaqjen e pandemisë, një pjesë të kapaciteteve të saj i ka orientuar në drejtim të të dhënies ndihmë vendit.

Kemi punuar në veçanti në terren por edhe kemi shkëmbyer informacione me aleatët si edhe partnerët tanë, për ndërmarrjen e masave më pozitive dhe më të mira, si edhe në këmbimin e përvojave me shtetet e tyre, që ta kemi më të lehtë ballafaqimin dhe të përshtatemi me këtë situatë.

E tani, se sa është serioze qasja ynë ndaj këtij fenomeni dhe si do të punojmë në të ardhmen, flet fakti që në ligjin e ri për punën e Agjencisë për Zbulim, parashihet që një pjesë prioriteteve të punës sonë të jetë dhe mbledhja e informacioneve për pandemitë në nivel global, që kanë potencial destabilizues dhe ndikim në sigurinë kombëtare. Këto shkojnë së bashku me rivalitetin gjeopolitik dhe shtetet që zhvillojnë strategji hibride.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG