Ndërlidhjet

Thaçi dekreton Hotin për kryeministër – Vetëvendosje i drejtohet Kushtetueses


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një konference për media. Foto nga arkivi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekretuar kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Vetëm pak çaste pas shpalljes së këtij dekreti, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se presidenti ka marrë një vendim kundër-kushtetues.

Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deponuar në Kuvend, kërkesën me 61 nënshkrime të deputetëve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të shtunën, më 2 maj, me pikën e vetme, zgjedhjen e qeverisë së re.

Vendimi i presidentit Thaçi pason votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, në kuvend, më 25 mars.

“Në ditët në vijim, një tjetër qeveri e re mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me rendin demokratik të Republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët e kuvendit dhe zotimi që u dëshmua sot i shumicës së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit”, theksoi Thaçi.

Ai tha se të gjithë duhet të pajtohen me procedurat ligjore e kushtetuese dhe askush “nuk mund të pretendojë që me metoda jodemokratike mund ta marrë, ta mbajë apo uzurpojë pushtetin”.

Në anën tjetër, Vetëvendosje ka deponuar kërkesën e saj në Gjykatën Kushtetuese në përpjekje për të sfiduar vendimin e presidentit Thaçi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se kjo parti politike i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të dhënë aktgjykimin në lidhje me dekretin e presidentit Thaçi.

“Me këtë dekret, ne vlerësojmë që presidenti ka shkelur kushtetutën”, tha Selimi. Sipas tij, dekreti i presidentit është bërë publik pak para 1 Majit dhe vikendit, në përpjekje që Kuvendi të formojë qeverinë e re, në mënyrë jokushtetuese, gjatë ditëve të festës dhe vikendit.

“Ne presim vendim të drejtë të Kushtetueses dhe nuk jemi këtu të paragjykojmë”, theksoi deputeti Selimi.

Kurse deputetja Arbërie Nagavci, po nga Vetëvendosje, tha se i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese që deri në marrjen e vendimit, të pezullohen të gjitha procedurat rreth zgjedhjes së qeverisë së re.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes deputetit Arben Gashi, ka deponuar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, kërkesën me 61 nënshkrime të deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për të shtunën, në ora 13:00, me pikën e vetme të rendit të ditës, zgjedhjen e qeverisë së re.

Koalicioni i ri që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në përbërje ka edhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Social Demokrate, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe partitë nga pakicat joserbe.

Më 22 prill, presidenti Hashim Thaçi kishte konstatuar se Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, përkundër pesë thirrjeve të tij, nuk e ka shfrytëzuar mundësinë kushtetuese për propozimin e mandatarit, kështu që këtë të drejtë ia ka kaluar LDK-së.

Ndryshe, përderisa përplasjet rreth procedurave kushteuese vazhdojnë, gjatë ditës, Lidhja Demokratik e Kosovës ka finalizuar edhe disa marrëveshje me disa parti më të vogla, në përpjekje përmbylljes së procesit të formimit të qeverisë së re brenda pak ditësh në kuvend.

Pas marrëveshjes me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listën Serbe, LDK i përmbylli me marrëveshje edhe negociatat për koalicion me Nismën Socialdemokrate.

Bazuar në këtë marrëveshje, Nisma Socialdemokrate do të ketë një post të zëvendëskryeministrit si dhe dy poste ministrore. Marrëveshjen e ka konfirmuar kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i cili tha se me rëndësi është që Kosova ta ketë një qeveri me funksione të plota.

“Kosova ka nevojë për një qeveri me mandat nga Kuvendi, që është e mbikëqyrur dhe i përgjigjet kuvendit, një qeveri që mund të funksionojë sipas ligjeve”, tha Limaj.

Të mërkurën LDK-ja finalizoi marrëveshjen me AAK-në e Ramush Haradinajt. Bazuar në atë marrëveshje, AAK merr një pozitë të zëvendëskryeministrit të parë në qeveri si dhe katër poste ministrore.

Po ashtu, edhe në bazë të marrëveshjes me Listën Serbe, kjo e fundit merr një post të zëvendëskryeministrit dhe dy poste ministrore.

LDK, ndërkaq deri më tani ka konfirmuar se përveç pozitës së kryeministrit, do të ketë edhe një pozitë të zëvendëskryeministrit dhe shtatë pozita të ministrave.

Mbetet të shihet ndërkaq se sa ministri dhe çfarë pozita do t’u ndahen AKR-së dhe pakicave joserbe.

Marrë parasysh faktin se procesi i formimit të qeverisë duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës, kryetarja e këtij institucioni, Vjosa Osmani ka biseduar në lidhje me këtë çështje dhe problematikën e zbatimit të kushtetutshmërisë me ambasadorët e pesë vendeve të Quint-it dhe përfaqësuesen e BE-së në Kosovë.

“Osmani i informoi ata për hapat që do t’i ndërmarrë ajo si kryetare e kuvendit për mbrojtjen e integritetit institucional të kuvendit, mbrojtjen e stabilitetit dhe të demokracisë në vend, si dhe respektimin e Gjykatës Kushtetuese si e vetmja instancë e cila mund ta interpretojë kushtetutshmërinë e veprimeve të institucioneve”, thuhet në një komunikatën të lëshuar nga Zyra për Media e Kuvendit të Kosovës.

Për zgjedhjen e qeverisë, nevojiten të paktën 61 vota për të deputetëve.

XS
SM
MD
LG