Ndërlidhjet

S’ka rinumërim të votave


Qendra e Numërimit të votave
Qendra e Numërimit të votave

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë kërkesën e disa partive politike, që në nivel vendi, të rinumërohen votat për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

"Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, në seancën e mbajtur më datë 08.10.2019, ka shqyrtuar ankesat: Anr.350/2019, të paraqitur nga subjektit politik PDK, Anr.351/2019, e paraqitur nga subjekti politik LDK dhe Anr.353/2019, e paraqitur nga koalicioni Nisma-AKR-PD, të datës 07.10.2019, me të cilën kanë kërkuar që të urdhërohet KQZ-ja, që të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendim për të hudhur si të palejuara ankesat e lartë theksuara", thuhet në komunikatën për media të këtij paneli.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, kishin dërguar në PZAP kërkesën për rinumërimin e të gjitha votave, në nivel vendi.

Në bazë të rezultatit aktual, pas numërimit të të gjitha votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 25.49 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind, pastaj Partia Demokratike e Kosovës me 21,24 për qind, koalicioni AAK-PSD me 11.57 për qind dhe Lista Serbe me 6.62 për qind.

Por, duke pretenduar se ka disa probleme teknike, PDK dhe LDK kërkuan kthimin e procesit të numërimit në pikën zero, e që më pas u hodh poshtë nga PZAP.

Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, më herët gjatë ditës i tha Radios Evropa e Lirë se rinumërimi i votave duhet të ndodh për faktin, siç tha ai, se formularët dhe disa vota të partive nuk janë shkruar në formularët përkatës.

"Realisht ne kemi kërkuar të numërohen votat e PDK-së, sepse votat tona në të gjithë formularët e vendvotimeve janë bartur te një parti tjetër", tha Gashi.

Gashi tha se për shkak të këtij gabimi nuk mund të shkruhet saktë rezultati përfundimtar.

Edhe zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë treguar se pse kanë kërkuar nga PZAP-i rinumërimin e tërësishëm të votave.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, para vendimit të PZAP-së për mosnumërimin e votave, i ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për të qenë në rregull në aspektin juridik, rinumërimi i votave është i domosdoshëm.

"Kemi kërkuar rinumërim sepse ka qenë një problem teknik që i atribuohet KQZ-së lidhur me procesverbalet e numërimit të votave. Një parti e listuar dhe pjesëmarrëse në garë nuk ka figuruar fare në listë. Ky problem duhet të zbardhet deri në fund për të parë pastaj se si kanë dalur procesverbalet dhe a ka rregullshmëri në renditjen e partive dhe numrave", është shprehur Haziri.

Pas kërkesës së partive politike për rinumërimin e votave, në Lëvizjen Vetëvendosje thanë se mbështetësit e këtij subjekti politik duhet të jenë të qetë, pavarësisht kërkesave të tilla.

"Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumrimi", ka shkruar Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të dielën, më 6 tetor, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Bazuar në raportimet nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtar, procesi kaloi qetë dhe ishte në harmoni me standardet demokratike.

XS
SM
MD
LG